Libri

REALIDEALIZMI SI LIGJERIM POETIK…

Shefqet DIBRANI

REALIDEALIZMI SI LIGJERIM POETIK…

( Sabit Rrustemi: “GRAFITE NËNLËKURORE”, poezi, Botoi Shtëpia Botuese, “BEQIR MUSLIU”, Prishtinë 2015, faqe 164. ISBN 978-9951-594-60-8 )

Libri me poezi “GRAFITE NËNLËKURORE”, i Sabit Rrustemit, hapet me poemën “Lexime në mur”, që nga titulli duket sikur të jetë sinonim me “Grafite në mur”. Kjo poemë e strukturuar në 35 poezi me format të çrregullt, padyshim se bart fatin artistik të vet autorit i cili është njëri nga personalitetet më të kompletuara letrare dhe poetike nga brezi i tij, të cilit shpesh here rriten letrare e artistike do t’ia devijojnë zhvillimet politike nëpër të cilat kaloi vendi dhe shoqëria jonë, prandaj ai shprehet se “Heshtja nuk është ushqimi im i preferuar/ nuk e kam gëlltitur/ as kur dhunshëm ma kanë servuar”, se mbase “Më ka ngelur dhëmbëve/ pa u grimcuar”.
Poezitë lirike e identifikojnë Sabit Rrustemin, si përfaqësues më i mirë i këtij brezi. Natyrisht edhe jeta ishte përplotë peripeci dhe përplot pengesa që i vinin nga faktori njeri, por më në fund erdhi edhe çasti i lirisë së ëndrruar dhe bashkë me të edhe suksese dhe libra poetik mirë të realizuar, nga të cilët “prej ngazëllimit të çastit mos fluturo/ se bie si prej qiellit”, është shprehur për të tjerë, dhe sigurisht edhe për vete, në mënyrë metaforike vet poeti, i cili tërë jetën ka ecur kujdesshëm, po e potencojmë këtë fakt, veçmas në fushën kulturore dhe të krijimtarisë letrare.
Kur jetën e këtij shkrimtari e kanë përcjellur përgjime, përbuzje dhe anatemime të shumta, bashkë me format psikologjike të dhunës moderne kundër tij, artit dhe letërsisë, krijimi letrar më nuk është sfidë por është sakrificë deri në flijim. Sigurisht janë vështirësi të asaj kohe në të cilën: “Të djathtën e tradhton thembra/ e majta prishë ritmin e hapave/ trupi humb drejtpeshimin”, që duket si një sinkronizim automatik i realitetit, në të cilin ritmi i këmbëve nuk po e mban drejtpeshimin e trupit.
Nëse shikojmë me kujdes krijimtarinë e Sabit Rrustemit, shohim se poeti shpeshherë e ka flijuar mirëqenien për të botuar libra letrar, andaj kjo gjendje ia vështirësonte edhe më tej jetën shpirtërore, e në anën tjetër as në jetën publike nuk bënte rivalitet me askënd, ai ishte i drejtë dhe mbante qëndrim vertikal. Këto elemente poeti, përveç në këtë poemë i ka trajtuar me saktësi brenda librit “GRAFITE NËNLËKURORE”, ku paska pohuar se: “Larg po (t) shoh më mirë/ pa syze/ e pa pasqyrë”, në anën tjetër “asnjë vuajtje a dhimbje a pritje/ nuk ma blen kush”, pasi “brenda meje kanë zënë vend do gjëra/ që as shiten as blihen.”
Sigurisht këto lirika nën ramin “GRAFITE NËNLËKURORE”, përkatësisht këto “TATTOO” ose në shqip “Tatuazhe”, janë gjurmët e jetës së njeriut që shkruante dhe përjetonte poezinë. Nga ky prizëm, me të drejtë themi se është vetë poezia e cila ka lënë gjurmë “ndër” ose (mbi)lëkurore, poezi këto të cilat sado që i ka zhveshur nga personalja “grafitet nënlëkurore”, përkatësisht “Tatuazhet nënlëkurore”, kanë lënë gjurmët e tyre të dallueshme, që gjithsesi ato paraqesin ndjenjën e brendshme: “Nuk ra molla prej dege/ as e shkundi kush// vetëm brenda nesh diçka u përpush”. Në njëfarë mënyre janë klithma dhe protestime poetike, kundër vrazhdësive të shumta që ndodhin në të e përreth tij, prandaj shprehet ai se “rrenës/ pak prej frike pak prej ëndje/ më shumë se vetes i kam besuar”, ashtu siç “nuk kish qenë qysh na kanë kallëzuar/ me sy në ballë na kishin mashtruar”.
Duke e shikuar jetën e autorit nga një distancë kohere (1981-2015), më duket se ecajaket e Sabit Rrustemit drejt suksesit kanë kaluar nëpër sfida të mëdha, të cilat nuk mund t’i tejkalojë secili. Edhe nëse i thjeshtësojmë gjërat, përseri shihet kjo luftë e ashpër për mbijetesë (sidomos artistike), e cila lë gjurmët e veta, ose siç thotë poeti lë “grafite nënlëkurore”, ndërsa të tjerët aktrojnë-hipokrizojnë tamam si në vargjet: “ti që kurrë nuk shkele një skenë teatri/ jetën reale e luajte në skenë te hapur”.
E gjitha krijimtaria letrare e poetike e Sabit Rrustemit është e lidhur ngushtë me fatin e atdheut, prandaj vullneti për zhvillim pozitiv i përshkon të gjitha angazhimet e autorit, pavarësisht ironizimin që ua bënë mjaft veprimeve, të cilat shprehen bukur, mirë dhe saktë edhe në poezitë e shkurtra, të cilat kanë një mesazh përmbajtjesor: “Mesnata ndërron ditët/ zgjedhësi pushtetarët/ një muaj vrap e fjalë/ fitues nuk janë të parët”, poezia “FILLON…”, faqe 43.
Padyshim se gjurmë, përkatësisht grafite në këto poezi kanë ndikuar ngjarjet e mëdha ditore, zhvillimet e shumta politike të cilat kudo në krijimtarinë e Sabit Rrustemit, janë të pashmangshme, ravijëzime këto që nuk mbeten jashtë librit dhe jashtë kësaj qasjeje, të cilat nuk janë pa ndikim, mesazhe që përcaktojnë idetë dhe angazhimin e gjithmbarshëm të vet autorit. “Sa shumë kërkoni numra/ sa pak afroni vlera/ në mjegull mbetet turma/ një dysh i varur te dera”, faqe 44, nga poezia “PARTIVE TONA”, ndërsa në poezinë “GARA E GJELAVE”, poeti shprehet: “Nuk rreshtohen kurrqysh gjelat/ me dy këmbë shkelin vijëbardhën/ pipëza s’dëgjohet prej kakarisjeve/ pa flatra rrihen për ta fituar garën”, faqe 45.
Metaforat e poezisë janë elemente nënshtresore, nënvetdijësore, nënlëkurore të cilave autori iu ka kushtuar kujdes të shtuar, sikurse simbolikën të cilën e ka element veçuese e dalluese dhe mjaft përpunuese, madje deri në hollësi të së mundshmes. Me një fjalë Sabit Rrustemi është poet i detajit të saktë, i metamorfozës së ndjeshme, e cila i përcjell zhvillimet esenciale të asaj që quhet lajm i ditës dhe bëma politike, mbase një kronikë e saktë artistike e cila jo gjithmonë ka shkuar e është takuar aty ku ka dashtë poeti. “Ua çel derën për t’ua mbushur gushën/ ata çapareshen marrin fushën/ në vrap për të nxënë zogëza/ drojë se do mbesin pa kokrra”, është një metamorfozë e zhvillimeve ditore të cilat përmes ironisë vetëm poeti mundet me i shastisë (çmendur) kështu, në këtë kontekst poezinë “DROJA”, e mbyll me vargjet: “Aty brenda i kishin e s’i kanë parë/ terri i pulave sysh u ka rënë”, faqe 46.
Në të gjitha poezitë e Sabit Rrustemit, shohim një autor konstant dhe të qartë i cili nëpërmes refleksionit poetik ka arritur t’i harmonizoj idetë me mesazhin për të cilat ai është i përkushtuar, që “SIPAS MEJE?!”, sidomos në aspektin proverbial është i saktë: “Koshin pa një kokërr misër”, pra koshin e zbrazët, “e zbrazë edhe një mi”.

SIPAS MEJE

Koshin pa një kokërr misër
e zbrazë edhe një mi

Faqe 48.

Sabit Rrustemi, vërtetë mbetet një poet i kërkimit të thellë, i detajit të hollë dhe imagjinatës brilante në lirikën poetike e cila ka një harmoni mirë të realizuar, ka qëndrim konstant të cilin e materializon me sukses. Sepse të rrallë janë ata poet të cilët arrijnë deri në këtë nivel ta harmonizojnë iden me veprimin dhe të gjitha poezitë të strukturohen si “grafite”, si gjurmë të dukshme, gjurmë nënlëkurore që janë tatuazhe të dukshme, pra qenkan grafite e gravura në shpirtin dhe zemren e poetit, por si krijime poetike e artistike, padyshim kanë ndërtuar jetëgjatësinë përtej botës reale, pasi këto lirika të shprehura si ide personale janë vetja e tij brenda idesë dhe vargut poetik që me sukses kanë materializuar angazhimin krijues për tu identifikuar si avangardë e brezit të tij. Këtë mund ta arsyetojmë me vargjet e shumta të cilat janë metafora artistike: “Kush pendohet nga ajo që e ka pasur/ zemrën të qetë më s’ka për ta pasur/…/ dhe vetvetja një jetë ka për ta tallur”, “Duke shkelur nëpër Kokrra/ kokërrisht bie/ në kokërr të shpinës”, “E vërteta në fushën e rrenave/ po kërcet si zorra në prush”, “Tall(j)a s’gëlltitet pa kripë”, kur “Gjuha pa eshtra/ na mbuloi me gënjeshtra” andaj ndodhë “për dritë të diellit/ e për dritë të hënës/ u soll e u mbështoll/ mullarit të lëmës”, kurse poeti porosit “Nëse s’mund t’ia zgjasësh dorën/ të rrëzuarit/ kurseje së paku nga shkelmat”, sepse sipas tij “lisat humbin gjethet/ gjethet stinët/ e humbësit rrugën brenda oborrit”. Këto metafora kanë një ironi të përsosur të cilën dinë ta shkruaj e trillon vetëm mendja e poetit Sabit Rrustemi, ku brenda këtij cikli ka dhuruar margaritar emblematik të kësaj natyre dhe vargje tejet të realizuara, po më shumë për mesazhin artistik që ka dhënë. Pavarësisht këtyre sugjerimeve duket se poetin e shqetëson niveli i vetëdijes qytetare për t’i ngritur gjelat me mendje të çala: “Krrokama e tyre/ krrokatet gjuhëve të përdala/ për lartësitë e paarrira me mendje të çala”, janë këto arsye pse poeti sugjeron që kryeparët nuk duhet pyetur sa libra i kanë lexuar? Këtë sintagmë e materializon në poezinë:

…DUKE LËRUAR

Kryepari nuk pyetet
sa libra ka lexuar

Nëpër vithe femrash
dhe faqet i ka ngatërruar
Me gjuhë duke lëruar

Faqe 97.

Të jesh vetja edhe në poezi, edhe në art, edhe në jetë është një arrritje intelektuale. Sabit Rrustemi këtë e realizon edhe për gjatë librit “GRAFITE NËNLËKURORE”, të cilin e kemi në shqyrtim, ku qartë duket se është vetja e tij, është jeta e tij e rrëfyer në mënyrë artistike, janë dashuritë e tij përplot vuajtje, por vargjet kaq lirike shprehin harmoni, ku do të gjejmë ngadhënjim dhe fitore, suksese drejt arritjeve të caktuara. Gjithsesi poezitë shprehin ndjenjën e poetit i cili përmes tyre bënë një lidhje të kohërave, të ngjarjeve, të bëmave, e lidh etnografinë me etnosin kulturor të cilin si askush tjetër ky e njeh. Me një fjalë Sabit Rrustemi është Zot i (Meseleve) – Letërsisë Popullore, i rrëfimeve dhe anekdotave të shumta dhe bëmave intelektuale të nivelit akademik. Me një fjalë është poet i kompletuar në të gjitha aspektet, prandaj duke rrëfyer të kaluarën aspiron për të ardhmën e bukur dhe e bardhë – paqësore! Por ai e dinë se “Llomotitësi/ në llomin e ngritur mbet”, prandaj këtë farë “nuk e lan as i ziu det”, gjë që shpreh keqardhjen e tij artistike.
Pavarësisht ironisë dhe mënyrës së shprehjes poetike, në fokus të trajtimit është çështja kombëtare dhe zhvillimet politike të cilat bënë që vendi dhe shoqëria të kalojë nëpër shumë vështirësi për të ardhur deri këtu. Me një fjalë poeti nëpër poezi ka shpalosur vlera të cilat sublimojnë përpjekjet e tij për kauzën kombëtare:

Ç’T’I BËJ GJUHËS

Nuk shërohet dhëmbi
pse lëpihet nga gjuha

Krimbi i fshehur
i fryrë nga të palarat tona
grimcon dhe gjuhën

Dhëmbi s’po më dhimbset
ai nxirret e ndërrohet

Ç’t’i bëj gjuhës

Faqe 105.

Në një plan më artistik do t’i kisha renditur ciklin e poezive “Mureve të palexuara -I dhe II”, që karakterizohet me inspirime të pashtershme dhe me mundësi të përhershme për tu cituar si thënie e porosi të vyeshme, të rralla dhe mbase emblematike. Poezitë shpalosin motive e kujtime për aktualitetit politik, ndonëse ato janë shkruar shumë vite më parë. Nga kjo mund të konstatojmë se një poezi e mirë që shkruhet për një aktualitet ditor, duhet t’i shërbej aktualiteteve të ngjashme edhe pas shumë vitesh e shekujsh. Poezitë në planin artistik janë inspirime të përhershme, por Sabit Rrustemi kudo që shkon, hallin e atdheut me vete e bartë. Këto vlera universale mund të shkruhen nga poetët të cilët i ndjejnë dhembjet artistike të vendlindjes, në anën tjetër vetëm ata ndjejnë zjarrin për të, e kur i përjetojnë rastet, padyshim dalin poezi të përjetuara siç i kemi në librin “GRAFITE NËNLËKURORE”, ku do t’i shijojmë vlera të rralla artistike. Një hov i perspektivës për një të ardhme më të shëndetshme, më artistike! Këshilla e porosi me vlera të rralla: “Edhe ata me të cilët kam bashkecur deri dje/ po përpiqen për të më gënjyer sot…”, të cilëve as vet poeti nuk i beson më sepse “Po as kohë për të humbur/ pas fytyrave të fshehura nën maska të reja s’kam”, faqe 119.
Siç shihet, Sabit Rrustemi, është poet i spikatur, poezia e tij ka shtrirje motivesh prej më të shumtave, ai ka ravijzuar fatin e vet, fatin e kombit dhe fatin e njerëzimit. Kjo prushmë lirike e bënë poetin edhe në planin letrar e kulturor të dinjitetshëm, një sublimim i jetës poetike, ndjenja këto të përshkruara me një lirizëm të hollë që përmbajnë të gjitha elementet e poezisë moderne në të cilën gërshetohen angazhimi i gjithanshëm i poetit, qoftë për çështjen kombëtare, e qoftë në aspektet tjera kulturore, në të cilat “Falë këtij hiri nuk jam djegur/ kur gaca duarve më kanë hedhur”, që paska shprehur një revolt qytetare atëherë kur “Prishësi i rregullave të lojës/ me bishtin ndezur të dhelprës/ një birë miu për topin dhe veten kërkon”, e në këto rrethana shthurëse me përmasa shqetësuese edhe vet poeti shpreh dyshimin: “Po minjtë ku do të mbesin?!”
Natyrisht përcjellësit e krijimeve poetike duhet ta kenë parasysh se ardhja e Sabit Rrustemi në letërsinë shqipe është bërë në kohë të rënda, në kohë traumatike, atëherë kur zor ka qenë për ta thënë fjalën publike. Por ai e ka thënë, bile me bujë e potere, ndonëse i ka kushtuar me burgim të rëndë. Në ato rrethana shoqërore e politike, ku mëshira ndaj intelektualit ngjason me të sotmen përbuzëse, poeti nuk kishte mundësi të botonte. Vetëm pas shumë e shumë vitesh, pasi i kaloi pengesat e drejtpërdrejta e të tërthorta, që i ushtronin njerëzit e sistemit mbi poetin dhe ushtronin edhe kontrollin e tyre mbi mediat dhe shtypin e shkruar, Sabit Rrustemi do të rikthehet, ndonëse shkëlqimin artistik vazhdimisht po ia mohon injoranca demokratike. Në rrethanat e tanishme mund të shtrohet pyetja hipotetike nëse “sistemi politik” i ka pushuar gërvishtjet, përkatësisht ato grafite të dukshme?! Me siguri se jo, e një thënie popullore thotë: “Çfarë pjella një mace, gjuan minj”, tash Bijtë e Etërve komunist, iu kanë hipur skijave të demokracisë(?!), sipas refrenit “tradita vazhdon?!”, ndërsa në anën tjetër edhe këto Tatuazhe, në trupin e poetit-atdheut janë ngulitur thellë. Mbase ky është fati i tij, fati i krijuesit, fati i intelektualit për të mos gjetur qetësinë e duhur, as mbështetjen e mjaftueshme të shoqërisë, as qetësinë e qetësim, as paqen e paqësimin, as tash, as tashti dhe as nesër sigurisht?!

IV
Kush ulet pandershëm në krye të vendit
s’i shkon mendja për t’u ngritur me faqe të bardhë
se i mungojnë dy gishta fytyrë
dhe një dorë e fortë
për ta nxjerrë jashtë

Faqe 122.

Pavarësisht këtyre gërrithmash, Sabit Rrustemi nuk vjen me vaje, nuk di të dënes as të kukas, por kthehet i qiltër, me vizion të qartë dhe me sy drejtuar kah e ardhmja, kah perspektiva e këtij vendi. “Ta jap besën/ në sofër e në prehër më ke përditë/ aty ku nuri yt sall shndritë// As i vdekur nuk largohem prej teje Kosovë”, faqe 133.
Por edhe nëse iu rikthehet atyre temave, të cilat tashmë edhe për të i takojnë një të kaluare, këtë e bën për të mos u harruar dhembjet, për të mos u dalldisur sëtepërmi, prandaj kur flet për zhvillimet e politikës nacionale dhe tjetër fare, ato dhembje i kthenë në gjurmë të dukshme siç janë Grafitet “mbi” ose (nën)lëkurore për të mos u harruar kurrë, mësa dhuna e pushtetit serb, pasi ato janë ngjarje që i ka përjetuar si tatuazhe në lëkuren e vet.

VIII.
Ruana Zot nga një mars i zi
se në paçim mbetur të ruhemi vetë
na ka rruar sërish ai dreq
si mos më keq…

Faqe 126.

ose…

IX.
Pranverat e parakoheshme
që të djegin me brymë
e të lënë pa lule e bimë
kurrë mos i gëzofsh
Kosovë…

Faqe 127.

Poezitë lirike që merren me zhvillimet e gjithmbarshme, politike, kulturore e shoqërore, janë poezi më të përjetuara dhe më të realizuara, se sa ato të tjerat kur shkruan për gjëra të përgjithshme që kanë nuanca të meseleve. Këto dy rrafshe, i pari real dhe i dyti sa ironik po aq ideal, krijojnë binomin e mendimit intelektual, ku nuk ka realizëm pa idealizëm dhe as e kundërta, pasi “Me blla blla blla u bë përshesh/ të vjellat tona ngelën në shesh// Kush e paguan faturën (s)u mor vesh”. Tamam si në një proces kimik në të cilin nuk mund të ketë oksidim pa reduktim dhe anasjellltas. Ky amalgam e bën poetin, autor i ndjenjave dhe përjetimeve reale dhe i ëndrrës si idealizëm, se mbase një ditë do të bëhet më mirë dhe do të jetojmë të bashkuar.
Fjala poetike, zëri i poetëve është respektuar kudo dhe kurdo, prandaj kjo ndjenjë e tij le të kategorizohet për lutje hyjnore që gjërat e mira dhe poezitive që shtrihen brenda poezive të bëhen realitet sa më parë. Këto mesazhe kaq të fuqishme e lidhin poezinë e tij me atdheun, kurse poetin e kategorizojnë si person të paqes, sado që ironizon, ai është optimist për një të ardhme më të bukur, më të shëndetshme, me një stil të të shkruarit që të pushton pashmnagshëm duke të bërë për t’i kujtuar këto lirika më gjatë se sa kur lexojmë poezi të rëndomta..

NGA AJO QË DUA

Nuk shmangem
nga ajo që e dua

Etja ime shuhet
vetëm në tëndin krua

Ti rrjedh
a një fjalë se thua

Përjetshëm buron për mua

Faqe 148

Poezitë e këtij vëllimi, kanë një dinamikë shpërthyese, kanë një bulëzim dhe frymojnë mirë, ndjeshëm dhe janë të përjetuara, kurse në aspektin meditativ lënë mbresa për një poet mjeshtër i cili ka qartësinë e mendimit. Poezitë lirike padyshim janë perla artistike të cila shprehin përjetime të stërholluara me mesazhe të qarta që simbolizojnë poetin në raport me jetën dhe ambientin që e rrethon, kurse nga aty shpërndanë motive ideoemocionale me përshtypje përrallore, pasi sipas lirikave, Kosovës-Atdheut nuk duhet me i munguar kujdesi i njeriut dhe as penda e poetit. Të shpresojmë se këtë të fundit Sabit Rrustemi e ka realizuar synimin intelektual, qoftë si qytetar, po më shumë si letrar e poet i realizuar.
Ne e dimë se poezia është edhe revoltë, është një mënyrë shpërthyese, prandaj poezitë e tilla janë plot hare dhe ironi tallëse, në anën tjetër janë lirika që i japin sharm, vargut ndijim mjaft përjetues. Pikërisht janë këto ndijime e përjetime, të cilat na shtyjnë me besuar se poeti Sabit Rrustemi, në planin lirik, është poet i rrënjës së fismedhe i përjetimeve reale që dinë të artikuloj mendimin në mënyrë artistike.
Me librin “GRAFITE NËNLËKURORE”, të Sabit Rrustemit, shoqëria jonë kulturore është pasuruar me bulëzime të vyeshme, të shëndetshme, motivuese dhe për shumë kënd edhe inspiruese, andaj përpjekja e Sabit Rrustemit si POET, kurdoherë ka ngadhënjyer mbi injorancën dhe mbi pushtetin!…

St. Gallen, korrik 2019.

You Might Also Like