Recensionet për librin: “Vrojtime, ballafaqime, dokumente…” të Ismail Kurteshit nga Prof. Avni Dehari, Dr. Sadri Ramabaja dhe PhD kand. Hatixhe Hoxha.
Avni Dehari
NJË LIBËR I RRALLË NË FUSHËN E BOTIMEVE NDËR NE
Libri me titull “Vrojtime, ballafaqime, dokumente, debate, shkrime, intervista…” i autorit Ismajl Kurteshi është një shembull i rrallë në fushën e botimeve të librave ndër ne. Në këtë libër autori ka përfshirë shkrimet që kryesisht bëjnë fjalë për angazhimin dhe për përkushtimin e tij si veprimtar politik dhe si funksionar që ka ushtruar pozita të ndryshme në institucionet komunale dhe në institucionet qendrore të Republikës së Kosovës në periudhën e pasluftës.
Libri ndahet në shtatë krerë. Në kreun e parë bëhet fjalë për angazhimin e autorit gjatë luftës së fundit në Kosovë si korrespondent i Deutsche Velle-s, i BBC-së dhe si kryetar i Këshillit të Emergjencës për Zonën Operative të Karadakut.
Ismajl Kurteshi, si njohës i mirë i anglishtes, meqë kishte mbaruar studimet universitare për këtë gjuhë, ka përcjellë zërin e luftës së UÇK-së në gjuhën angleze dhe në gjuhën shqipe në dy agjencitë e lajmeve Deutsche Welle dhe BBC, valët e të cilave shpërndahen në mbarë botën.
Rrethanat e luftës, në periudhën 1998―1999, ishin shumë të vështira. Vrasjet e përditshme, bombardimi dhe djegia e shtëpive nga armiku, shpesh edhe me njerëz të ngujuar brenda, mungesa e ushqimit, mungesa e veshmbathjes, kushtet e rënda shëndetësore dhe higjienike, si dhe shumë mungesa të tjera, i shtrëngonin njerëzit të kërkonin strehim në ato vende ku mund të gjenin njëfarë sigurie. Nga Drenica e Dukagjini, zona të ashpra të luftës, burra, gra, fëmijë e pleq, për të shpëtuar nga vdekja e sigurt, kishin mësyrë Komunën e Gjilanit. Këshilli i Emergjencës në Gjilan, kryetar i të cilit ishte edhe autori i këtij libri, i strehonte këta njerëz dhe nga depoja në Gjilan dhe në fshatin Bresalc, nga furnizoheshin ushtarët e UÇK-së të Zonës Operative Karadakut, u ofronte ushqim, barna e veshmbathje.
Në kreun e dytë të librit bëhet fjalë për angazhimin e autorit në organet e përkohshme qeverisëse komunale të Gjilanit. Disa nga përfaqësuesit e partive vendore të themeluara para dhe pas luftës, nën ndikimin e oportunizmit dhe të servilizmit dhe disa përfaqësues të faktorit ndërkombëtar me mision paqeruajtës dhe administrativ në Kosovë, të KFOR-it, në veçanti të UNMIK-ut, nën trysninë e serbëve të Kosovës, të instrumentalizuar nga politika hegjemoniste e Serbisë, për zgjidhjen e problemeve me rëndësi për statusin e Kosovës mbanin qëndrime, që binin ndesh me interesat e shumicës së shqiptarëve në Kosovë dhe me normat ndërkombëtare, që në këso rastesh shërbejnë si model për zgjidhje të drejta afatgjate.
Shpesh ndodh që politikanët tanë, për zgjidhjet e padrejta, që kanë ndodhur menjëherë në
Kosovën e pasluftës, të arsyetohen duke thënë se kështu kërkonin përfaqësuesit e UNMIK-ut e të KFOR-it. Kështu mund të arsyetohen vetëm ata që nuk kanë qenë syçelë, që nuk kanë punuar me përkushtim, që nuk janë përgatitur të sjellin argumente për zgjidhje të mira dhe nuk kanë ngulur këmbë për t’i jetësuar kërkesat e drejta të qytetarëve të Kosovës, që për lirinë e këtij vendi kanë luftuar edhe me armë në dorë.
Për t’u njohur me nivelin e përgjegjësisë së autorit mjafton t’i lexojmë dy letrat e tij në kreun e dytë të këtij libri dërguar ndërkombëtarëve dhe shkrimin me titull “Z. Heaslip dhe shtatorja e Car Llazarit”.
Letrën e parë ua drejton eprorëve të KFORIT, gjeneralit Petersen dhe Kolonelit Scorlock për aktet që sollën disa lëndime dhe një humbje jete të shqiptarëve në Komunën e Gjilanit në festën e Ditës së Pavarësisë së popullit shqiptar, për rrëzimin e shtizës së flamurit kombëtar në Varrezat e Dëshmorëve dhe për dëmtimin e kurorave të vendosura mbi varret e dëshmorëve në Gjilan nga armiqtë e shtetit të Kosovës, për arrestimin e disa gazetarëve të Radio Gjilanit, që në mbrëmjen e 28 Nëntorit, kishin lëshuar në program këngë për UÇK-në dhe për pengimin nga ana e ushtarëve të KFOR-it të stafit redaktues në lokalet e kësaj radioje për të dhënë program për këtë festë kombëtare.
Letra e dytë i adresohet administratorit të përkohshëm të OKB-së në Komunën e Gjilanit, z. Reachard Heaslip për takimin me guvernatorin e Millosheviqit, pa pëlqimin e përfaqësuesve të Komunës së Gjilanit.
Shkrimi me titull “Z. Heaslip dhe shtatorja e Car Llazarit” flet për ballafaqimin me z. Heaslip, që kishte marrë vendim për vendosjen e shtatores së pushtuesit serb, Car Llazarit, pas rrëzimit të saj nga gjilanasit, që Millosheviqi në kohën e tij e kishte ngritur në qendër të qytetit.
Tema më e nxehtë që trajtohet në kreun e tretë të këtij libri është decentralizimi në baza etnike. Për autorin e librit ky decentralizim i pushtetit në Kosovë i ngritur mbi projektet e Serbisë çon drejt ndarjes së Kosovës. Formimi i komunave në baza etnike, sipas këtij projekti politik, përmbush synimin e Serbisë ta bëjë Kosovën shtet jofunksional duke i kanalizuar të gjitha përpjekjet e politikanëve serbë dhe të disa ndërkombëtarëve, që Kosova të përfundojë me një status me “më pak se pavarësi e me më shumë se autonomi”. Plani i Qeverisë serbe për Kosovën që parasheh për serbët “autonomi në kuadër të Kosovës dhe autonomi për Kosovën në kuadër të Serbisë” i ka rrënjët në projektet serbe që nga koha e Garashaninit, e Çubrilloviqit, e Andriqit, e Akademisë së Shkencave të Serbisë e deri te Millosheviqi, shkaktarit të të gjitha luftërave të fundit të shekullit XX, që ndodhën pas shthurjes së Jugosllavisë. Njëherësh ky projekt politik mbështetet edhe në qëllimet e politikanëve serbë, si Dobrica Çosiqi, Branimir Kërstiqi, Aleksandër Despiqi, Dushan Batkoviqit, Gjingjiqi, Tadiqi etj., që në pamundësi për ta gllabëruar krejt Kosovën, ofrojnë zhbërjen dhe ndarjen e saj.
Autori në shkrimet e këtij kreu i vë përballë qëndrimet e faktorit ndërkombëtar, një pjesë e të cilit përkrahin kërkesat e Serbisë për decentralizim, që janë të motivuara politikisht dhe të një pjese tjetër, që i kundërvihen këtyre kërkesave, që bien ndesh me interesat e qytetarëve të Kosovës.
Thumbin e kritikës për çështjen e decentralizimit etnik autori më së shumti e drejton kundër udhëheqësve shtetërorë të Kosovës, që në bisedimet e Vjenës në vitin 2006 i bënë Serbisë koncesione që para popullit përpiqeshin t’i shitnin si çmim për pavarësinë e Kosovës.
Shkrimet, që kanë të bëjnë me ngritjen e arsimit në baza të shëndosha, me dukuritë negative në tekstet shkollore të serbëve të Kosovës, ku Kosova edhe pas çlirimit paraqitet si pjesë përbërëse e Serbisë dhe lufta çlirimtare e UÇK-së, si luftë kundër popullit serb, Marrëveshja për Asociacionin me Shumicë Serbe, Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi dhe në Republikën e Maqedonisë Veriore, si dhe shumë çështje të tjera, që kanë të bëjnë me fusha të ndryshme të shtetndëritimit të Kosovës, përfshihen në katër krerët pasues të këtij libri.
Të gjitha këto shkrime janë shtruar qoftë në formë letrash, si ajo për Ahtisaarin, autorin e Pakos, që përfshin planin për decentralizimin në baza etnike dhe planin për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, që ngërthen në vete edhe “diskriminimin” pozitiv për minoritetin serb në Kosovë; kërkesat qëllimkëqija të serbëve të Kosovës në dëm të shtetit të Kosovës, provokimet e Shtetit të Serbisë në kufijtë e Kosovës, qoftë në formë pyetjesh e debatesh parlamentare, qoftë në formë të shkrimeve të botuara në gazeta të ndryshme të Kosovës, si dhe në formë intervistash.
Sa u përket shkrimeve në media, meqë autori nuk ka mbajtur shënime për mediat ku janë botuar, për datën dhe për vitin e botimit, shpesh dalin pa këto të dhëna të plota.
Autorin në shkrimet, që zënë vend në këtë libër, arrijmë ta njohim si qytetar aktiv, që nuk pajtohet me padrejtësinë, pa marrë parasysh nga kush vjen e nga vjen, si veprimtar të ndërgjegjshëm politik të nivelit komunal, si kryetar komune dhe si deputet, që i kundërvihet çdo dukurie dhe çdo përpjekjeje me pasoja negative për qytetarët e Kosovës, të çdo nacionaliteti qofshin ata, thjeshtë si politikan që për çdo situatë ofron zgjidhje.
Qëndrimi njerëzor dhe parimor i autorit del në pah edhe kur emërohet në pozitën e kryetarit të Komunës së Gjilanit nga QPK-ja dhe kur kjo detyrë i besohet nga ndërkombëtarët. Në këtë rast ai me plot gojën u thotë atyre: “… pranoj të jem kryetar i Komunës së banorëve të Gjilanit, por nuk pranoj të jem kryetar vetëm i shqiptarëve ose i ndonjë pale tjetër”.
Ky libër, që në vete përfshin shkrimet që flasin për një njeri, që gjithë punën si veprimtar politik, si funksionar shtetëror, si dhe në angazhime të tjera, e bën me përkushtimin më të madh, çdokujt duhet të shërbejë si model se si duhet t’i pranojë e t’i kryejë detyrat dhe të gjitha përgjegjësitë që na i ngarkon shoqëria në kohë dhe në rrethana të caktuara.
Ditari politik i një veprimtari
Shkruan: Dr Sadri Ramabaja
[Recension për librin: “Vrojtime, ballafaqime, dokumente…” të Ismail Kurteshit, botues: Orfeu, Prishtinë 2022, f. 414]
Prishtinë, 18 shkurt — Ismail Kurteshi para ca javësh ka publikuar librin me titull “Vrojtime, ballafaqime, dokumente, debate, shkrime, intervista” — një ditar politik i veçantë i një intelektuali nga më specifikët që ka Anamorava jonë, që shquhet si një atdhetar e veprimtar nga më të palodhshmit, që ishte gjithmonë në shërbim të Atdheut.
Libri është një kontribut shumë i rëndësishëm, nëse duam ta kuptojmë historinë e re të kësaj pjese të Shqipërisë, që sot njihet si entitet politik me emrin Republika e Kosovës.
Biografia e ismail Kurteshit shpërfaq jetën dhe personalitetin e pakorruptueshëm të një qytetari aktiv, dhe pashmangshëm e për shumëçka na kujton atë të Koço Tashkos.
1.
Libri është i mbarështruar në shtatë kapituj, ku përfshihen gjithësejt 151 njësi. Njësitë shtrihen në një deri gjashtë faqe tekst dhe përbëjnë de fakto ditarin politik të një prej veprimtarëve politik nga më të veçantët që ka nxjerrë Gjilani. Aty gjejmë ese politike të shkurtëra, dokumente specifike, tekste debatesh në dy nivelet e pushtetit ku ai ishte shumë aktiv, intervista e letra që bartin zërin e popullit e peshën e kohës.
Në kreun e parë janë përfshi dy njësi: I pari me titullin Këshilli i emergjencës në Gjilan dhe i dyti me titullin “Raportimi për DW-në dhe BBC-në”, ku shpërfaqet angazhimi i autorit gjatë luftës së fundit, që me të drejtë nga historiografia jonë po shenjohet si Lufta e UÇK-së.
Në shkrimin që i paraprinë librit, Ismailin e shohim në cilësinë e veprimtarit politik, respektivisht të përgjegjësit të Logjistikës për Anamoravë, që atëbotë qe emruar si Këshill i Emergjencës. Ky trup politiko-ushtarak do të mirret kryesisht me trajtimin e popullsisë së evakuar nga zonat e luftës, por edhe me furnizimin e njësive të UÇK-së në Zonë dhe detyra tjera me peshë për kohën. Ndërkaq në njësin pasuese të kreut të parë autorin e gjejmë në cilësinë e korrespondentit të Deutsche Welle-s dhe të BBC-së, dy prej Shtëpive mediale nga më të mëdhatë në Europë, e të cilat i kishin kushtuar hapësirë të mirë luftës në Kosovë.
Që në faqet e para të librit, në këto dy njësi, që hapin këtë libër bukur voluminoz, lexuesi do ta vë re ndjesinë e përgjegjësisë dhe shpirtit kolegial që e karakterizon një veprimtar të denjë, kur merr pësipër një detyrë me përgjegjësi, siç ishin ato me të cilat ishte ngarkuar Ismail Kurteshi atbotë.
2.
Kreu i dytë ka 17 njësi, ku shpërfaqet angazhimi i autorit në organet e pushtetit lokal, nga të cilët unë veçova shënimin me titull “Sfidat me ndërkombëtarët”. Në këtë shënim vëmë re diçka specifike që do ta shoqërojë pastaj administratën tone, jo vetëm atëk, e cila kishte të bënte me segmentet e admninistratës nëdrkombëtare — fillimisht me UNMIK-un, e pastaj edhe me EULEX-in. Në përballje me këto segmente, siç dëshmon autori në këtë tekst që ka vetëm dy faqe, nuk mjaftonte vetëm njohja e mirë e anglishtës si gjuhë komunikimi, por zyrtarit lokal i duhej edhe dija politike, tok me vendosmërinë.
Për absurditetin e kërkesave të UNMIK-ut flet mjaftueshëm ky fakt që na e sjell autori, ku potencon kërkesën e zyrtarit të UNMIK-ut për ta nënshkruar ai një dokument, në të cilin shkruhej e zeza në të bardhë se, “në Komunën e Gjilanit para lufte, 30% e banorëve kanë qenë serbë, edhe pse kjo as nuk ishte e vërtetë, e as nuk ishte punë e administratorit, as edhe e UNMIK-ut”, pohon autori. Kësaj kërkese politike, që origjinën e kishte nga Serbia, Ismail Kurteshi i jep përgjegjen e argumentuar, duke u thirrë po në burimet serbe, të publikuara në Beograd në vitin 1971.
Kështu me gjuhln e argumenteve binëdse dhe logjikës së shëndosh, ai do ta zgjidhë edhe përplasjen me KFORin që kishte të bënte me vendosjen e flamurit kombëtar etj.
Duke lexuar këtë shënim, po mendoja se si do të dukej Ligji për gjuhët në rast se nga pala jonë, Zyrën e Kryeministrit, atbotë kur po hartohej ai (2005), do ta përfaqësonte ismail Kurteshi. Sigurisht zyrtari spanjoll i UNMIKU-t nuk do ta impononte dot dygjuhësinë edhe aty ku nuk kishte as para luftës banorë serb, por as edhe përkthimin e gjithë atij korpusi dokumentesh, madje edhe në gjuhën turke, me ç’rast buxheti i Republikës, edhe sot e kësaj dite, ngarkohet tej mase!
Në kreun e dytë janë përzgjedhur edhe shkrime e dokumente me rëndësi, si ai I Statusit të përkohshëm të Komunës së Gjilanit dhe në veçanti fjala e autorit në Sesionin shkencor në kuadër të “Flakës së janarit”, ku autori me pedantërinë që e karakterizon, ka sjellë të dhënë specifike. Aty mësojmë se “Gjilani, që para lufte, …kishte 12.702 familje shqiptare me gjithësej 94.534 banorë shqiptarë, gjatë luftës i ka pësuar këto dëme:
147 qytetarë të vrarë;
75 të plagosur;
4 të zhdukur;
38 të burgosur në burgjet serbe;
1702 familje të maltretuara;
2 varreza massive
1402 shtëpi dhe 1200 objekte ndihmëse të djegura;
4000 shtëpi të plaçkitura
6300 krerë bagëti të plaçkitura.
3.
Kreu i tretë ka të bëjë me çështjen e decentralizimit si akt politik-subversiv në tërësinë e tij dhe ndarjes së hapësirës katastrale të Komunës së Gjilanit dhe Anamoravës e Kosovës në përgjithësi.
Autori, që në hyrje të analizës, që është edhe njësia më e gjatë në tërësinë e librit, duke marrë në konsideratë peshën e çështjes që parashtron e shtjellon, paralajmron për rrezikun, duke i rënë kambanave të alarmit, tek pohon se “ajo që filloi si kërkesë për decentralizimin e pushtetit në Kosovë, po e çon vendin drejt Federalizimit”. (25.08.2011)
Në fakt, tek ky proces, ka burimin Marrëveshja e 19 prillit 2013 mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që na përplaset në tavolinat e diplomacisë edhe sot e kësaj dite si akt tashmë gjoja i kryer!
Në këtë kapitull vëmë re seriozitetin e veprimtarit politik dhe përkushtimin prej atdhetari të Ismail Kurteshit, ndoshta më shumë se kudo tjetër. Ai na vie këtu me tërë plasticitetin që e karakterizon atë si një intelektual atdhetar, që në trajektoren politike të tij transformohet në një demokrat revolucionar. Ky transformim vie si rezultat i përkushtimit të tij për lirinë dhe gjakimin permanent për zhvillim progresiv të Republikës në të gjitha rrafshet.
4.
Ismai Kurteshi i përket brezit të Republikës, që e karakterizonte përkushtimi për liri dhe çlirim kombëtar. Ai brez Republikën e kishte shndërruar në kauzë politike. Kësaj ia kishte arritur, meqë besonte tek vetvetja.
Nga pikëpamja sociologjike frymën e përkushtimit tek ky brez, do shikuar edhe si një mekanizëm specifik, i cili ofron një lehtësim dhe siguri sociale.
Sociologu bashkëkohorë Annthony Giddens në librin e tij “Pasojat e Modernizmit”, besimin e sheh si tepër të rëndësishme në modernitet. Sipas tij, “besimi është një sistem abstrakt i fondacioneve të shoqërive, (nga të qenit normal) ndërsa ankthi dhe frika janë kushti që shkatërrimi i mekanizmave mbështesin besimin i cili provokon. Pra, besimi funksionon si një lloj kontrate shoqërore dhe ekzistenciale ndaj gjendjes së natyrës Hobesiane”.
Këtë trajtë besimi autori na e shpërfaq në kapitujt vijues, sidomos në shkrimet e tij në cilësinë e deputetit. Përkushtimi i tij për ndryshime thelbësore në mënyrën e të qeverisurit, sidomos në lëmin e arsimit, është produkt i besimiin në vetveten, njohjen e sistemit dhe mundësive që ofron Liria për ndryshimet e duhura, por edhe për faktin se ai i njeh modelet më të mira të arsimit në nivel europian.
Prandaj ai investon në idetë që selisin urtësinë e dijen, i bindur se “Besimi social i referohet besimit ndërpersonal midis qytetarëve, ndërsa besimi politik është midis qytetarëve dhe elitës politike, apo besimit të qytetarëve në institucionet politike”, do të shprehej studjuesja jonë Dr. Ermira Babamusta në studimin e saj me titull sinjifikativ “Besimi Politik në Kosovë: Dinamikat Kulturore dhe Institucionale”, botim i NY Elite Press, New York, SHBA, 2020 (fq. 30).
5.
Qasja e autorit në gjithë korpusin e njësive që përbëjnë këtë libër, nuk është qasje e cila i përshkruhet ekskluzivisht shkencave politike, përkundrazi, gjatë leximit vertikal të tekstit, ajo, pra qasja, fokusohet edhe në aspektin social, ekonomik, politik dhe atë kulturor. Rrjedhimisht rezulton se në këtë libër autori ia ka dalë ta ndërlidhë mirë qasjen teorike me atë praktike. Ky fakt ia shton vlerat librit, duke e shndërruar atë në sfond të gjerë holistik dhe mjaftë domethënës, ku secili lexues mund të gjej vetën e tij.
Në esenë e gjatë me titull “Gjendja në arsimin e lartë në Kosovë”, ndërlidhjen e teorisë me praktikën e hasim më mire se kudo tjetër, prandaj për shumëçka mund të thuhet se këtu ai arrinë ta bëjë një anamnezë të mirëfilltë të ndeshtrashave të këtij sektori, kaq të ndjeshëm për të tashmen dhe të ardhmen e Republikës.
Për shumëçka mund të thihet se kjo është ndër esetë më holistike në eseistikën tone.
Shikuar edhe nga ky kontekst, mund të konkludojmë se Ismail Kurteshi ka trajtuar ndeshtrashat që kanë shoqëruar Kosovën në këtë rrugëtim lirie në mënyrë objektive, sepse përveç tjerash, jo vetëm në këtë cikël eseshë, ai flet edhe për vështërsitë me të cilat ballet shoqëria jonë, duke u nisur nga korrupsioni, besimi i ulët në gjykatat e vendit, nepotizmi, problemet e theksuara politike me Serbinë, zhvillimi ekonomik i mangët, migrimi, si dhe çështje të tjera, të cilat janë plagë të trashëguara qysh nga lufta. Do ët thoshim nëse parafrazojmë sociologun tone të njohur Ferdi Kamberin.
6.
Përmes këtij recensioni kam mëtuar të shpërfaqë disa pikëpamje kruaciale të vlerësimit për këtë libër, ku objekt trajtimi është Kosova, jeta e saj në rrugëtimin drejt lirisë e tutje deri tani, kur kemi nevojë immediate për ngritjen e ringritjen e institucioneve të vendit dhe kthimit të besimit ndaj politikës. Autorit, Ismail Kurteshit, duke e komplementuar për këtë libër, i dëshiroj shëndet dhe suksese tutje, me bindjen e plotë se edhe për mënyrën si ai e organizon jetën në moshën e tretë, mund të jetë model i qytetarit modern, aktiv e përjetësisht të lidhur me interesat e Atdheut!
Hatixhe Hoxha
Të nderuara Zonja dhe Zotërinj,
Të nderuar miq!
Ne sot jemi këtu, në këtë promovim të librit: ”Vrojtime, ballafaqime, dokumente, debate, shkrime, intervista…”, të autorit Ismajl Kurteshi.
Dhe gjithësecili që do të ketë rastin ta lexojë këtë libër, do ta shoh se ashtu siç e thotë edhe titulli, ai përmban: Vrojtime, dokumente, debate e shkrime, intervista… që i përkasin ngjarjeve e viteve të ndryshme, pra që kohësisht, ato përfshin një periudhë të gjatë kohore, e që janë vitet ‘98-99 e deri më vitin 2021.
Duke e marrë parasysh faktin se autori kishte shumë shkrime të botuara e të shpërndara në gazeta e revista, të ndryshme, si dhe shumë dokumente, fjalë që kishte mbajtur brenda institucioneve, e në debate të ndryshme…
Prandaj, disa nga ne, që kemi pas rastin t’i lexonim, që herët këto shkrime, si dhe t’i shihnim këto material, e menduam se do të ishte një punë e mire, nëse ato do të përmbledheshin të gjitha, në një botim të veçantë, dhe kështu do t’i ofroheshin lexuesit si dokumente. E që flasin për vitet dhe kohën në të cilin autori u angazhua dhe punoi, për më shumë se 20 vitesh, e që përfshinin ngjarje dhe kohë të ndryshme, që flisnin për rrugëtimin e tij, por, dhe që shumë nga ato ngjarje e tema, ndërlidhen edhe me fatin tonë të përgjithshëm.
Sigurisht, se mbarështrimi i gjithë këtij materiali, nuk ishte punë edhe aq e lehtë.
Dëshiroj të theksoj këtu se:
Materiali që është mbarështruar në këtë libër:
Nxjerrë në pah:
preokupimet,
për ngjarjet
dhe zhvillimet
– që autorin e kanë cytur,
– e kanë preokupuar,
– dhe që nuk ka mundur të qëndroj idiferent,
karshi tyre…
– Ka ngritur zërin dhe shprehur mospajtime…
herë- herë si qytetarë aktiv
por edhe shumë herë si veprimtar politik.
Ne këtë libër ne shohim angazhimet e tij,
në qeverisjen komunale,
të pas luftës në Gjilan,
si dhe preokupimet e sfidat e shumta, nëpër të cilat kaloi qeverisja e atëhershme komunale.
Në shumë shkrime,
shohim reagimin e shpesh herë edhe mospajtimin e autorit, varësisht nga funksioni që kishte ai,
si: në cilësinë e kryetarit të komunës, drejtorit të arsimit, apo deputetit të Kuvendit të Kosovës.
Dhe kjo shihet si në: shkrime, nëpër gazeta apo revista, në intervista e debate, ashtu edhe në seancat e kuvendit, dhe jo vetëm.
Por, padyshim, se njëra ndër temat, që autori, në këtë libër, i rikthehet disa here,
është Decentralizimit mbi baza etnike, aq i dëmshëm, si për Anamoravën, po ashtu edhe për gjithë Kosovën.
Dhe në fund fare dëshiroj të theksoj se: Nga gjithë materiali që shtrohet në këtë libër, është një mesazh që përqohet tej përtej,
se: kudo e ngado që vemi,
– sado lartë të ngritemi, çfarëdo detyre që do të bartim,
e që lidhet me lagjen e qytetin, me komunën apo shtetin…
Kurdoherë, duhet të jemi: qytetarë aktiv,
dhe detyrat që bartim t’i kryejmë me nder.
– E përgëzoj autorin për librin,
– Dhe uroj të vazhdoj të shkruaj edhe mëtej.
Ju faleminderit!