Gjilan

Revista për enigmatikë “Horizonti”, shënoi 45-vjetorin, ndahen mirënjohje për ata që e ndihmuan këtë rrugëtim

Më 15 janar 1981, në Gjilan, doli në dritë numri i parë i revistës për enigmatikë “Horizonti”, e cila shënoi një moment themelor në historinë e kulturës enigmatike shqiptare.

Sot, në nderim të kësaj date dhe në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit”, Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda” e Gjilanit, ka ndarë mirënjohje për individë dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar dhe mbështetje të vazhdueshme gjatë këtij rrugëtimi.

Kushtrim Zeqiri, u. d i drejtorit për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Gjilanit, ka vlerësuar këtë ngjarje si të një rëndësie të madhe për enigmatikën shqiptare. E veçantë, sipas tij, është se Gjilani është dëshmuar edhe në këtë fushë, pasi këtu e 45 vite më parë, ka pas revistë për enigmatikë, me vlerë për krejt trojet shqiptare.

“Për 45 vite me radhë, Horizonti ka qenë një shkollë e mendimit logjik, një nxitës i kureshtjes intelektuale dhe një promotor i vlerave kulturore shqiptare. Në këtë jubile të rëndësishëm, dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite në jetën dhe suksesin e kësaj reviste: autorë, redaktorë, bashkëpunëtorë, ilustratorë, shpërndarës dhe mbi të gjitha lexuesit besnikë, pa të cilët “Horizonti” nuk do të kishte kuptimin që ka sot”, ka thënë Zeqiri.

Ai falënderoi kryeredaktorin e revistës, Zijadin Hasani, për vizionin, përkushtimin dhe punën e palodhur profesionale si dhe Shemsedin Kryeziu, kreun e Shoqatës, për angazhimin dhe rolin e tij të rëndësishëm në ruajtjen dhe forcimin e këtij projekti kulturor me vlera kombëtare.

“Po ashtu dua të potencoj rëndësinë e mbështetjes institucionale të vazhdueshme. Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka qenë dhe duhet të mbetet një partnere e qëndrueshme e projekteve të tilla me vlerë kulturore dhe edukative. Mbështetja për Horizontin dhe për enigmatikën shqiptare në përgjithësi nuk është vetëm mbështetje për një revistë, por investim në kulturë, arsim dhe formimin intelektual të shoqërisë sonë”, ka thënë drejtori Zeqiri, i cili, për kontributin dhe përkushtimin e tij, u nderuar me Mirënjohje, nga SHE “Ndre Mjeda”.

Ndërsa, kryetari i ShE “Ndre Mjeda”, Shemsedin Kryeziu tha se botimi i revistës ‘Horizontit’ nuk ishte vetëm një akt botues, por një ndërmarrje kulturore me rëndësi të veçantë, që synonte kultivimin e mendimit logjik, pasurimin e gjuhës shqipe dhe afirmimin e krijimtarisë enigmatike si formë e vlefshme e shprehjes intelektuale ku revista “Horizonti” u shndërrua në një platformë të qëndrueshme për autorë, krijues dhe studiues të enigmës.

Kryeziu shtoi se gjatë dekadave të veprimtarisë së saj, “Horizonti” ka luajtur një rol të rëndësishëm në institucionalizimin e enigmatikës shqiptare, duke ndikuar drejtpërdrejt në edukimin kulturor, në krijimin e një tradite të mirëfilltë enigmatike dhe në formimin e brezave të rinj të enigmatëve. “Sot, në përvjetorin e 45-të të daljes së saj, “Horizonti” përfaqëson një vlerë të konsoliduar të trashëgimisë kulturore të Gjilanit dhe të Kosovës, si dëshmi e vazhdimësisë, seriozitetit dhe përkushtimit ndaj enigmës”, tha ai.

Përndryshe, ShE “Ndre Mjeda” e Gjilanit, në kuadër të shënimit të 45-vjetorit të veprimtarisë enigmatike, ka ndarë mirënjohje për individë, dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar dhe mbështetje të vazhdueshme gjatë këtij rrugëtimi.

Janë nderuar, themeluesit e ShE “Ndre Mjeda”, Dr. Zijadin Hasanin, Xhelal Selmanin, Fadil Dërmakun dhe Rasim Vllasaliun.

Me Mirënjohje janë nderuar edhe: Fahredin Bexhetin, kryetar i parë Shoqatës, Faik Shkodra dhe Ilaz Haliti, pastaj Hasan Bunjaku, Beqir Musliu, Musa Ramadani. Ali Huruglica e Muharrem Shahiqi (dy recensentë të parë të revistës Horizontit). Ali Kajtazi, Isuf Ismaili, Shefki Osmani, Adnan Sllamniku si dhe Sejdi Bilalli dhe Ymer Shabani, enigmatë nga Lugina e Preshevës.

Mirënjohje është ndarë edhe për ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku.

You Might Also Like