Libri

Ridimensionimi i qenies shqiptare nëpër kohë

Shkruan: Mehmetali Rexhepi

Prend Buzhala

Ridimensionimi i qenies shqiptare nëpër kohë

Mehmetali REXHEPI: “HIRËSIA E MOTIT” (roman)

Ka një afishim ekspresiv, të shumëfishtë e shumështresor magjie të ligjërimit refleksiv nëpër “mozaikët e romanit” “Hirësia e Motit” të Mehmetali Rexhepit. E kjo magji na e zbulon shkallë-shkallë e nëpër shumë rrathë, fletë pas flete e shfletim pas shfletimi, këtë magji mozaikësh lirikë-refleksivë a mozaikësh narrativë-sprovues.

1. Poetika: në lirinë asociative të leximit

Nis me përplasjet midis botës kaq të pasur imagjinative e kureshtare të fëmijës përballë prindit, a Madhorit (sikundër komenton narratori-autor); vazhdon ta japë një kronologji në disa breza e në disa kohë në vazhdim: që nga viti 1924, nën Mbretërinë Serbe (kapitulli “Mal Brezi”); nëpër kohët e kërkimit atdhetar të ilegales, rezistencës, luftës dhe pasluftës… me personazhin-bosht Motin që përmbyll këtë aventurë kërkim-lirimi nëpër kohë…

Romani-mozaik përbëhet nga pesë tërësi tekstore: Mes parandjenjës e gjëmës, Përflakja e mësymjes, Metafora e liqenit dhe pengu i bukurisë, Ngadhënjimi i ëndjes dhe Vatra e fortesës prej letre, kurse secila tërësi e tillë thuret nga njësi të ndërlidhura tekstore: “Mal Brezi”, “Shtangie-shtare“ dhe “Dhimbje e bardhë (te tërësia e parë tekstore); “Loja e mësymjes”, “Thika” dhe “Toka është yll” (te tërësia e dytë); “Margaritari i lëngshëm”, “Ikona”, “Pengu”, “Buja”dhe“Zgorret e bukurisë” (te tërësia e tretë); “Lajthitja e një tundimi” dhe “Hija pa diell” (te tërësia e katërt) dhe “Djegia e dorëshkrimit”, “Shija e pelinit”, “Fortesë prej Letre”, “Pirgu i errësuar”, “(Sh)krimi”, “Vogëlsia e mahnitjes” dhe “Zhgualli i parimit” (te tërësia e fundit). Nëse duam t’i bindemi Roland Bartit, kënaqësia e krijimit dhe leximi, shkojnë së bashku, atëherë, gjithsesi, edhe tërësitë e tilla të kësaj vepre, herë lexohen si tekste të kënaqësisë lirike e si kërkime të kënaqësisë letrare; herë si poetikë e efekteve të energjisë së fuqishme shpirtërore-refleksive dhe herë si zë i shumëfishuar narrativ, që na fton në ndërgjegjësimin e vetvetes, apo si ligjërim i një zëri urtar i folësit lirik-refleksiv, si

udhërrëfyes jete, si mesazh drejtues në jetë, që na e tërheq vëmendjen për kohët që i jetuam e që na vijnë si jehona a copëza mozaikësh, që ringjallen herë pas here në për mote. Prandaj dhe titulli “Hirësia e Motit” vjen si jehonë e tillë (e shënjuar nëpërmes datave të krijimit nëpër vende të ndryshme e në kohë të ndryshme, pas luftës së fundit).

2. Nga simetria e thënies deri te rendja pas të bukurës

Tipi i tillë i prozës na fton në lexime të hapura dhe në lirinë asociative të leximit, duke

prodhuar kuptimet, simetrinë e thënies dhe një rendje pas së bukurës.

Nga ana tjetër, mozaikët ndërthurin një ndërliqësi tematike-kërkimore: sikundër është tema e madhe e lirisë së Kosovës, e Atdheut të shkelur, tema e lirisë dhe e robërisë, tema e kujtesës historike, si preokupim epik, parimesh estetike. Jo më kot edhe personazhet bartin shenja të simetrisë simbolizuese e semantike tekstore: Epi (nofkë stilistike për Rexhep Malën, por edhe shenjë e rrëfimit epik, e bëmave epike), Parimi (që therorizohet, bie dëshmor, por që shënjon triumfin e parimeve), Prarimi, Moti (koha në përmasat e përjetimit, por edhe njeriu nëpër rrjedha jete e përplasje shoqërore, sinonim i një brezi njerëzor), Ngadhënjimi, Flakërima, Gatimi, Miratimi, Pagëzoni, Flakëroni, Trimëroni, apo Bamiri, Agroni etj.

Ndërthurja e tillë e tërësive dhe njësive tekstore, sado që të duket e thjeshtë,megjithatë zhdrivillohet me anë të një procedimi të ndërliqshëm romanor: temë-tekstet dalin e trajtohen në shumë variacione dhe shpalosen përmes trajtave të ndryshme të shkrimit, të hapësirës së situatave refleksive-metaforike e të komunikimit të figurshëm artistik.

Mozaikët, si fragmente-copëza jete e ekzistimi, si ngjarje e situata narrative; rrudhen për t’iu lënë më shumë hapësirë edhe vizioneve epike edhe vizioneve ekspresive e refleksive të krijuesit-narrator. Kësisoj, edhe narratorët këmbejnë shpesh e shpesh rolet: herë shfaqet një zë narrativ autorial (si zë i narratorit profesionist që jepet më shumë pas përsiatjeve) e herë një zë që ligjëron nëpër kohë, si zë i përvojës historike e ekzistenciale; herë një narrator i gjithëdijshëm e herë një zë lirik-refleksiv…

Do theksuar se copëzat, pjesët, kapitujt etj, mbajnë dhe shenja datash e vitesh, apo dhe vendesh; si një univers gjeo-shumëzor, meditativ-eseistik, e që më shumë janë fakte të shkrimit të veprës, por dhe shkrimit të jetës. Një si tekst i jetës! Si rrjedhojë e kësaj përpjekjeje, kur përmenden datat e trajtat tjera dokumentare të gërshetuara në sfondin e poetikës së romanit; ato shërbejnë më shumë si kornizë prozaike për shqiptime reminishencash e befta, që shfaqen e nyjëtohen në kontekstin e situatave të caktuara të ngushticave ekzistenciale, emocionale dhe refleksive, kohore dhe hapësinore:

I buhavitur nga gjysmë jeta e gjysmë vdekja, me ngjyrë të papërcaktuar të shpresë mallëngjimit që nuk dihej nga do ta shpinte: në horizontalen e vdekjes a në këmbët e gjysmë jetës?

Ose kur këto situata të detyrojnë ta përjetosh jetën si dyshim që djeg e bren:

E gjithë jeta ecë mbi dyshime.

Dyshoj në të tjerët besoj në vetvete.

Nga t`ia mbante? Një këso rutine e egoizmi e bënë anemik. Çiltërisë së tij po i hipnin si një gomari.

Apo si enigmë:

Jeta të shtyka në enigma të cekëta e të thella… (…)

Moti kridhej në enigmën e vrimës së zezë të gjithësisë, si të mos i kish jeta enigmat e veta të zeza.

Apo si tekst i një homazhi përballë amullisë së realitetit, përballë, si thotë autori-narrator, përballë mendësisë paragjykuese, mëkatare e gjysmake:

I buhavitur nga gjysmë jeta e gjysmë vdekja, me ngjyrë të papërcaktuar të shpresë mallëngjimit që nuk dihej nga do ta shpinte: në horizontalen e vdekjes a në këmbët e gjysmë jetës?

Apo, mbi të gjitha, si gjakim:

Di se i lypja jetës më tepër se sa jeta vetë: një kullë, vetëm një kullë art-dehjeje, një kulm të tillë mbi kokë, ndonëse do të ishte lehtësisht e rrënuar pa lejen e idhujve të shpifur.

Kësisoj, modeli i tillë i leximit, na shpie më thellë në depërtimet tona kah labirintet e kuptimeve në ato të tekstit, , kah “vrimat e zeza” enigmatike të jetës dhe ekzistencës, si Nyje Gordi, ashtu sikundër na shpie dhe në anët e përmasat e përjetimeve dhe të ndjeshmërisë, të botës emocionale…

E dhamë, prandaj, këtë pamje titujsh për t’i parë se si shkrihen këta mozaikë në tërësinë romanore.

Një teskt i tillë reflektues, ndërthuret me një tekst që shqipton situata të psiko-dhunës:

… Përplasjeve, britmave u bënte garë një intonacion i dridhshëm, këlthitje herë-herë e ngritur në shkallën më të lartë që nuk ekziston në pentagramet e muzikës. Vetëm në pozitën horizontale Motit i ngjirej intonacioni.

(…)

Nëpër relievin e ri të trupit të poetit tashmë kalëronte dhimbja e shaluar faqeve, krahëve, kurrizit, këmbëve, duarve, gishtërinjve.

Kund e kund, tekstet futin dhe situatat antitetike: “Dinamikën e Hirësisë e mbajti të ndezur Hija.” Nëse Hirësia qëndron në vetë titullin e veprës (si supremaci e gjallimit kundruall një gjysmë-jete, supremaci e së bukurës, si sinonim i hijeshisë), gjenden dhe situata lëkundjesh a situata zie që e shndërrojnë njeriun në hije, në shëmti! “- Bukuri, bukuri, e zeza bukuri!”, klith një personazh që ta përkujton paradigmën tekstore që nga Bodleri e deri te Beqir Musliu. Mjeda do të lëshonte një britmë tjetër të mbytur së brendshmi: “Vetë bukuria, o i shkreti/ kenka për ty një kob.” Krahas një qëndrese atdhetare, personazhi-narrator i jep jehonë edhe një qëndrese e shqetësimi tjetër krijues; libri është dytëshori i shpirtit të tij, i qenies së tij, me të cilën ai i thur ecejaket në jetën e përditshme e në jetën shpirtërore:

“Brenda kraharorit kam librin tim: librin e fisnikërisë, të pastërtisë, të bukurisë, të shëmtisë… Libri në brendinë time, mëtonte të ishte i pakorrigjueshëm… Libri, libri, ai, vetëm ai të ruhej i pastër, i pa shpaluar nga gishtat e atyre…

– Oh dytësori im!

3. Përqasjet ndërtekstuale

Ndryshe nga rrëfimi epik, ku ka një rrjedhë zinxhirore ngjarjesh a një kompozicion unazor të materies romanore; kjo vepër, duke ndjekur poetikën e mozaikut romanor, e fragmentarizon me qëllim lëndën e trajtuar; çasti dramatik “zbutet” në çast refleksiv a në çast psiko-situatash e reminishencash e në rrezatim-kërkimesh të brendshme.

Një si lexim vetëkomentues lexohet dhe teksti autorial, i vënë në fund të librit, kurse metatekste të tilla shtrihen përgjatë tërë veprës, të shënjuar me përkufizimet intertekstuale: dorëshkrim, libër, (sh)krim, letër, sezamet e Beqir Musliut, reminishencat lirike të bohemit Mirko Gashi, rrezatime refleksive nga letrat shqipe (ku përmenden emra si Rexhep Elmazi, Azem Shkreli, Teki Dervishi, Federik Reshpja, Ali Podrimja) etj. Ja një bashkëbisedim i tillë në çastet e dhimbjes:

“- Ah Mirko, Mirko! Miku im i dhimbjes dhe filozofi i metamorfozës së ujit!

Çka më duhet trupi që nuk qëndron në këmbët e tija? Shëmbëllesës K. Mani ia kishin përkufizuar ecejaket: “Do të varesh ose do të varim!”

Nëse te pjesa e parë “Mal Brezi”, autori e vë mbitekstin e diskursit vetëkomentues: “Rropatjet ekzistenciale të malësorit shqiptar, përballjet me paragjykimin, urrejtjen patologjike shtetërore serbe, ndjekja dhe pozita e robit e shqiptarëve nën Mbretërinë e Serbisë”, këtë thelb tematik ai e jep nëpërmes skenave të përndjekjes, arrestimit, përbuzjes, torturës, mohimit armik. Aty ligjërojnë një thikë e një yll, një mahnitje dhe një kureshtje, një

gjëmë dhe një parandjenjë, atdhetari vetëflijues dhe një peng i bukurisë… Në këso momentesh, narratori komentues do të shënojë: “Përsiatje poetike, filozofike dhe estetike: Lasgushi mes dy përmasave ekzistenciale: arti dhe diktatura. Bukuria e liqenit të natyrës dhe estetika e metaforës së liqenit të letrës. Qasje identifikuese.”

Procedimori i tillë ndërtekstual, i jep veprës dhe frymën e një poetike postmoderne letrare. Ai dëshiron ta zërë çastin më dramatik e më kulmor të ekzistimit (njerëzit që shndërrohen në numra), atë momentumin e historisë më të re: aktualitetin e kthesës së madhe, që nga eksodi e deri te kthimi i magjishëm. Ai e thyen me qëllim rrjedhën fabulative të narracionit, e copëzon, e dezintegron, e dekonstrukton, për ta ri-unifikuar ndërthurur si frymë rikrijimi, si tekste autoriale, si zgjedhje sublime e së bukurës stilistike-narrative-meditative… Kërkimtarët kureshtarë (që e paguajnë me vetëflijim), janë në kërkim-sublimim të qenies e qenësisë sonë.

Rrjedhat tekstore (seri tekstesh “fragmentare” që strukturojnë tërësinë romanore), sugjerojnë rrjedha kohe në shoqëri me shkrimin dhe në shoqëri me kohët e sakrificës, ku bota shqiptare e këtyre personazheve ridimensionohet nëpër kohë, kurse vepra thurë simetrinë e saj përmasore për të marrë formën shumëplanëshe të shpirtit artistik. Mehmetali Rexhepi zotëron prirjet për strukturime të tekstit modern deri te ai postmodern; ashtu sikundër i zotëron dhe prirjen për ta ndërthurë memorien kombëtare natyrshëm me plane të tjera shkrimore të përdorimit të diskurseve të ndryshme narrative. Kësisoj, ai i jep romanit një frymë polifonike ligjërimore.

You Might Also Like