Shkruan: Enver Sadiku
Kur ndodhi Masakra e Gjilanit, ai ishte vetëm tetëvjeçar e tashti tetëdhjetë vjet më pas, Jakup Berisha, një qytetar i nderuar i Gjilanit rrëfen se si e kishte parë Masakrën e Gjilanit, por nga perspektiva e një fëmije, shkruan kryelajmi.com.
“Jam 87-vjeçar e në kohën kur ka ndodhur masakra isha i ri, i vogël 8-vjeçar. Do t’i evokojë disa raste që nuk i kam harruar dhe pasi që isha i ri ndoshta edhe nuk i kam kuptuar mirë”, nis rrëfimin e tij Jakup Berisha, teksa kthehet në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kohë kur populli shqiptar po përjetonte njërën ndër periudhat më të vështira.
Gjilani i vjetër – Lagja e Varoshit
“Në fillim, me familje isha në Prizren e u kthyem vetëm tri ditë para se të ndodhë lufta e Gjilanit e që më vonë është quajtur edhe lufta e mulla Idrizit”, thotë Jakup Berisha, i cili shton se gjithçka kishte qenë e planifikuar dhe se një ditë të premteje, më 22 dhjetor axha i tij Raif Berisha rastësisht kishte mësuar se diçka e madhe do të ndodhte në Gjilan. “Unë, si fëmijë që isha dhe me kureshtje u afrova të dëgjojë dhe kuptova se nesër fillon një luftë dhe vërtetë dhe të nesërmen shumë herët filluan krismat dhe ushtimat që përfunduan pas drekës. U rralluan krismat dhe ne vendosëm me u largu prej shtëpisë, në Beglermahallë kemi ndenjur, dolëm prej aty, gjyshi ishte imam në xhaminë e vogël në Deremahallë ai mbeti me e ruajtur shtëpinë. Ne, një pjesë e familjes, nëna me katër fëmijë shkuam te Bujnaktë, rreth 40 metra më poshtë kah tregu dhe u strehuam aty. Duke shkuar posa dolëm prej derës, nëna më tha “kqyr, kqyr, kqyr”, unë nuk pashë kurrgjë, por mandej më tha se dy vetë kanë qenë të vrarë. Nuk e di kush kanë qenë, por ishin civilë. Ne vazhduam rrugën, ndejtëm deri kah dreka, duke shkuar i pash nja 4-5 ushtarë të uniformuar, të përgatitur shumë mirë ishin ose jugosllavë ose maqedonas, ngase këtu ka qenë edhe aradha maqedonase dhe njëri prej tyre e drejtoi pushkën e tjetri ia uli”, vazhdon rrëfimin e tij Jakup Berisha që shton se ishin katër fëmijë dhe nëna, shpëtuam. “Të nesërmen jemi kthyer, ishte e diel 24 dhjetor e lamë me dalë, ngase na thanë bombën ua gjuajmë, përndryshe largohuni sa më shpejtë. U larguam, ecëm pak, familja u nda në dysh. Vazhduam jetën”.
“Ajo që është me rëndësi, me emra individë, unë kam pa vetëm me një rast, pas nja tri dite në rrugën afër Ballancëve, ajo rruga e Bujanocit në të djathtë, ende pa shkuar te shtëpia ( sot shtëpia e Ahmet Isufit), një rrugicë shumë e vogël. Ishim tre shokë, një Jakup, një i Malishevës, Abdyli, unë dhe një i familjes Kurteshi, por nuk ia di emrin (axha i Ismajl Kurteshit). Një rrugicë shumë e vogël, e pamë një njeri të përgjakur, ndërsa një qerre tërheqëse e morën e ngarkuan dhe nuk e di kah shkuan. Aty ishte një Sllavko vorraxhiu, dy njerëz të ngjyrës së zezë si romë, e morën e ngarkuan kufomën dhe shkuan”, vazhdon rrëfimin Jakup Berisha, i cili shton se “kur ishim te gjyshi me nënën dola natën, ishte ftohtë, acar e borë, ishte një zhurmë e madhe, sikurse me qenë ndonjë dasmë, ishte gjysma e mbrëmjes e pyeta nënën kush po e bënë dasmën, ajo më tha dasmë jo por po i vrajnë njerëzit, prandaj ka muzikë. Të vrarë kam pa nga shtëpia kur kemi dalë, dy të vrarë, një i vrarë te rrugica e vogël dhe dëshmitarë se nëna më tha vrasje po bëhen. Kam dëgjuar, i vrarë ka qenë ditën tjetër, një haxhi ose hafëz Ali, popullata e njeh si hafëz Ali, ka shkuar në xhami me u fal, pas luftës së Gjilanit vrasjet kanë vazhduar.
Ndërtesa e OZNA-s
Jakup Berisha, thotë se për këto vrasje është shkruar nga Sabile Keqmezi – Basha, Reshat Ramadani dhe Aliriza Selmani, i cili në detaje i ka shkruar edhe emrat e të vrarëve nga lagja e vet Deremahallë, ku ka pasur shumë vrasje, afër 35 me emra dhe me mbiemra.
“Këto vrasje, kjo masakër duhet të dokumentohet edhe më shumë, të flitet e të shkruhet. Edhe në Drenicë pati 8000 të vrarë, por edhe në Gjilan e rrethinë pati shumë të vrarë. Gjilani dhe rrethina kanë dhënë NDSH-istë, për të cilët është shkruar dhe duhet të shkruhet, ngase kjo organizatë dha dhe kontribuoi mjaftë dhe kombi shqiptar ka dhënë shumë viktima”, thotë Jakup Berisha.
Pasi u rrit dhe përfundoi shkollimin, Jakup Berisha do të bëhej një mësues i respektuar në komuën e Gjilanit, më pas edhe njëri ndër futbollistët më të mirë që ka dhënë Gjilani, kapiten e trajner, punëtor sportiv i dalluar dhe një qytetar tejet i respektuar, i cili është një enciklopedi në vete dhe rrëfimet e tij ngjallin kureshtjen e atyre që e dëgjojnë. Jakup Berisha jeton në Gjilan bashkë me familjen e tij, kurse si sportist i dalluar që ishte edhe tashti ka ruajtur vitalitetin./kryelajmi.com/.