Futboll

SC Gjilani humbjen e shndërron në fitore

SC Gjilani ka patur një paraqitje të tmerrshme në pjesëlojën e parë në ballafaqim me të fundit në tabelë, Feroniklin ’74, ekip i cili edhe praktikisht ka humbur statusin e të qenit në Superligë.

Gjilani, që kishte ngjallur shpresat se mund të dalë në Evropë, me paraqitjen në pjesëlojën e parë e ka dëshmuar se nuk e meriton një gjë të tillë.

Në minutën 23, vendasit kanë bashkëvepruar mirë kur Kiqina e gjeti Zekollin, e ky nga djathta asistoi te Hasan Hyseni i, cili shënoi për 1-0.

Si rëndom kur luan Gjilani edhe në Dranas kundër tyre u akordua një penalti e lehtë, në një situatë kur sulmuesi është i kthyer me shpinë kah goli. Atë në gol e shndërroi Hasan Hyseni, i cili e dërgoi portierin Bllaca në njërën anë, e topin në anën tjetër për rezultatin 2:0. Pas shënimit të golit të dytë në minutën 35, nuk ndodhi asgjë me rëndësi dhe pjesëloja e parë u mbyll me këtë rezultat.

Gjilani e ka nisur vrullshëm pjesëlojën e dytë dhe që në minutën 52 ia ka dalë që të zvogëlojë epërsinë e vendasve në 1:2. Armend Thaqi, që ka shpërthyer nga e djathta ka harkuar në brendi, ku më së miri është gjetur zëvëndësuesi Aganspahiq, i cili e ka qëlluar topin me kokë dhe e ka dërguar atë në këndin e majtë të portës vendase.

Në minutën 67, Senad Jaroviq është shërbyer për mrekulli nga Armend Thaqi, por gjuajtja e tij me kokë përfundoi mbi portë. Rast më të mirë Gjilani pati edhe në minutën 70, por gjuajtjen e Bashës me kokë e priti portieri Moskin. Ai e priti një minutë më pas edhe gjuajtjen e Jaroviqit me kokë.

Hasan Hyseni i Feroniklit pati rast të mirë për të shënuar het-trik, por gjuajtja e tij nga afërsia u përplas për shtylle. Në minutën 78, Aganspahiq me kokë gjuajti mbi portë.

Gjilani ia ka dalë që të barazojë në minutën 82, sërish përmes sulmuesit zëvëndësues Aganspahiq, i cili pas një tollovie në brendi pas harkimit të Thaqit, me volej ka shënuar një gol të bukur, duke qëlluar këndin e psohtëm të majtë të portës vendase.

Në minutën 86 të ndeshjes pas ndërhyrjes së sistemit VAR, Gjilani ka fituar penalti, përgjegjësinë për ekzekutimiy të të cilës e mori Seanad Jaroviq, i cili e huqi tërë golin.

Kur u mendua se kjo ndeshje do të mbaro9jë me rezultat të barabartë, pas një harkimi nga e majta, Jaroviq zgjati topin deri te Aganspahiq, i cili nga afërsia e futi topin në rrjetë për rezultatin 2:3.

Krejt në fund, në minutën 100, pas një ndërhyrje të ashpër Armend Thaqi u ndëshkua me karton të kuq. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like