Sot mbushen 45 vjet nga demonstratat studentore të vitit 1981 në Prishtinë. U mendova të shkruaj apo mos të shkruaj, por diçka më shtynte nga brenda se duhet të shkruaj, duhet të flas, të kujtoj këtë ngjarje, që nuk përsëritet më. Demonstratat e vitit 1981 që filluan me një “rrebelim” në menzën e studentëve, “kinse” për kushte më të mira dhe që vazhduan me 26 Mars, me 1 dhe 2 Prill, shënojnë ngjarjen më të rëndësishme, në vazhdën e përpjekjeve dhe sakrificës së qindra e mijëra patriotëve shqiptarë, që nga 1912-ta, 13-ta, 45-ta, 68-ta e këndej, për çlirim dhe identitet kombëtar.
Edhe pse nganjëherë vërej tendenca për të njollosur këtë ngjarje, “kinse” paskan qenë të “manipuluara”, dorë e zgjatur e Serbisë etj., unë personalisht e mbroj atë, edhe për të cilin u flijuan dhe derdhën gjakun bijtë dhe bijat më të mira të Kosovës, se kjo datë shënoi një kthesë të madhe dhe të rëndësishme mbi të ardhmen dhe perspektivën e popullit tonë. Këto ngjarje thyen tabunë e një lloj “bashkim vëllazërimi” të rrejshëm, shpalosën para opinionit ndërkombëtar: padrejtësitë dhe shtypjet që ushtroheshin mbi popullin shqiptar, ngecjen ekonomike, politike, diskriminimin dhe të drejtat e mohuara në krahasim me popujt tjerë të ish Jugosllavisë.

Ish udhëheqës të ndryshëm për të mbuluar dështimet e tyre, për fat të keq merren me kualifikime të tilla jo bindëse dhe të dëmshme. Meqë ka shumë pak shkrime në lidhje me këto ngjarje, hiq shkrimin nga ish i burgosuri politik Z. Selatin Novosella – “Pranvera 81”, Inxh. Ismajl Zylfiu në librin “Kopra”, një shkrim të pakët dhe të devijuar në monografinë e fshatit Shipashnicë, etj., shkrime tjera nuk kam parë. Kërkoj ndjesë nga lexuesit por më duhet të shpalos disa detaje, që ndoshta opinioni nuk i di apo nuk i ka dëgjuar.
Isha një pjesëmarrës aktiv në të dy demonstratat 11 dhe 26 Mars ’81. “Rrebelimin” që e filluam në menzën e studentëve, kinse për kushte me të mira e vazhduam me daljen në rrugë për në qytet duke brohoritur parullat si: “kushte studentëve”, “unitet”, “lironi shokët”, “kushtetutë ja me hatër ja me luftë” etj. Në të kthyer pas qëndrimit përballë komitetit krahinor, afër menzës sulmohemi nga policia e atëhershme me gaz lotsjellës. Pas një pauze disaditore demonstratën e vazhduam me 26 Mars 1981.
Të tubuar në hapësirën në mes menzës së studentëve dhe konviktit nr. 1 mbajtëm një tubim, ku merrnin pjesë edhe strukturat e ish partisë me Azem Vllasin në krye, si dhe merrte pjesë edhe ish rektori i Universitetit Dr. Gazmend Zajmi. Pas bisedave të pasuksesshme, masa ka filluar marshimin për në qytet. Meqë nuk arritëm të thejmë kordonin e policisë, ishte numër i madh dhe atë ditë kishte për të arritur stafeta e Titos, nuk u lejuam dhe në gjuajtje e sipër me policinë, në tentim për t’ju kthyer petardet me gazin lotsjellës, plagosem në dorën e djathtë thuajse të tërën.
Falë intervenimit të shpejtë të mjekëve me në krye të ndjerin prof. Dr. Riza Binishi, prof. Dr. Agron Pustina dëmi u zvogëlua, humba 2 gishtrinj dhe arrita një funksion 50%. Me këtë rast falënderoj stafin e atëhershëm mjekësor, motrat medicinale si dhe tërë popullin tonë të rinj e të reja që na dhanë përkrahje dhe na ndihmuan moralisht.
Në spital qëndrova 45 ditë dhe së bashku edhe me tre shokët e mi Isa Bajra (jurist i ndjerë), Hamdi Gërvalla (gazetar), Fehmi Krasniqi (punëtor), Fahri Buqinca arrestohemi më 4 Maj. Me fasha në duar, të pashëruar na dërgojnë në burgun e Prishtinës. Me procedurë të shpejtë na dënojnë me 60 ditë burgim, të cilat i mbajmë deri në fund. Në krahasim me burgun në Prishtinë i cili ishte i tmerrshëm, në Smrekovnicë kishte qenë më mirë pasi na transferuan.
Vlen për t’u treguar edhe heroizmi që tregoi prof. Dr. Ali Zatriqi gjersa ishim në spital. Ai reagoi ndaj inspektorëve të atëhershëm policorë duke e zhveshur mantilin e bardhë dhe duke ju thënë atyre: “urdhëroni zotëri ju kontrolloni pacientët e unë shkoj atje poshtë (kuptohej në burg)”, si dhe ndihmën e pakursyer të motrës Sofije në burgun e Smrekovnicës.
Pas mbajtjes së vuajtjes së dënimit, përsëri fillojnë telashet: vjen largimi nga fakulteti, diferencimi, kërkesa për të rikthyer bursën e studimeve, largimi nga e drejta për të punuar, vendosja e kushteve shtesë për vazhdim të sërishëm të fakultetit etj. E tani edhe kushti tjetër që më vë ky shtet, për të patur 15 vite pune para lufte për të gëzuar pensionin e plotë. A ka edhe diçka që duhet për të përmbushur, pata me i përmbushur që të shëroj “egot” e sëmura të dikujt.
Pritëm lirinë duke menduar se do të bien në vend disa gjëra, përkundrazi për çdo ditë keq e më keq. Secila parti që mori pushtetin, së pari po i rehaton “militantët” e vet dhe as që qanë kokën për të tjerët. Lufta përfundoi, qytetari sot kërkon një jetë më të mirë, me dinjitet e jo të bëhet objekt për t’u mbajtur me “ndihma”.
Nuk duhet shoqëria të sillet sikur nuk ka ndodhë dhe nuk do të ndodhë asgjë, kur problemet janë shumë të mëdha si në rrafshin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar, kur kemi ndryshime të ndjeshme të “aleancave”, e ne me çka merremi: me atë se kush duhet të jetë president, kryetar apo diçka tjetër. Është momenti i fundit që këto mosmarrëveshje të zgjidhen, dhe që të fillohet në zgjidhjen e problemeve të qytetarit. Këtë luks nuk jua fal as gjaku i dëshmorëve që dhanë shumë për këtë vend. Historia nuk ju fal!



