Rudina Muharremi BEJA
SFONDEVE MATANË
( Cikël poetik )
Orfe
ende ndiehen tingujt e lirës që të fali Apollo
e muzat të mësuan t’i biesh,
dëgjohen këngët që qajnë ujërave plot zhurmë,
tek zbresin rrëmbyer për t’u përhumbur fyellit
për të sjellë pranverë.
Orfe
prekja e ëmbël e atyre gishtërinjve
fijeve shtuar nga duart e tua
për të krijuar magjinë e melodive
e të fjalëve shndërruar në këngë,
do të mahniste gjithë krijesat
e muzat që përcillnin korin e stinëve
teksa frymën
derdhje në vargje
e symbyllur këndoje për Euridikën.
Orfe
ti s’mund ta dije se sfondeve matanë
fati do të rrokullisej kundër
dhe se kafshimit të helmët fshehur barit të gjatë
atë do ta humbisje,
e se një qyqe
që atëherë do të këndonte
qenien për të ta mbushur me mungesë
trishtimit vizatuar në shpirt.
Orfe
Dashuria jote s’u venit asnjë çast
Guxove të zbrisje deri portave të Hadit
territ të mijëvjeçarëve,
me dëshpërimin e një brenge që të brente,
përmes klithjes së shpirtit
e lotit, që s’dinte të ndalte.
Orfe
Dhimbja jote do t’i shkrinte edhe akullnajat më të thella
do të zbuste tërë gurëzimin e zemrave
do të ndizte sërish shpresën e shpirtrave,
që të ceknin përsëri ato dyert memece
për të udhëtuar drejt një pranvere
që tretej mjegullave e agimeve.
Orfe
Me lirën tënde do ta bindje edhe Hadin
për madhështinë e asaj ndjenje,
që mërzitur pranoi të ta kthejë Euridikën
së bashku për të prekur ngrohtësinë e rrezeve,
zërave të ndritshëm,
për të kënduar sërish meloditë e zemrave
larg hijeve,
… sikur,
sikur gjer në fundin e ditëve
ndezur t’a mbaje kandilin e shpirtit!
KUR HUMBA SHTËPINË QË PATA NË ATDHE
M’u duk sikur humba diellin,
kur humba shtëpinë që pata në atdhe,
hënën që më vështronte nga lart
dëshirën për t’u kthyer prapë atje.
Bëj gati dhe një herë valixhet
pengut të mbetur, trishtimit si kujtim
zhytem sërish mjegullës së reve
lamtumirën t’i le vendit tim.
Më kumbojnë zëra në kujtesë
rënkimi i erës, angushtimi i mbledhur
përqafimi i nënës, i të afërmve gjithashtu,
lotët, vetmive derdhur.
Heshtur vrapoj mes shtëllunga resh
magjisë së netëve në muzg
lëndinave të zgjuara në pranverë,
për të mbërritur në shpirt!
DITË E HUMBUR
Dielli zbret me një mijë vezullime
struket pas kreshtës së një tjetër mali,
mbrëmjes më gjen
pritjes së gjatë,
tek ruaj kështjellën e shpirtit
dhe përtyp grimca heshtjeje.
MURET QË MË NDAJNË NGA VETJA
Kur dhimbjet pa ngjyrë më brejnë
ulem në teh të humnerës time.
Sa të lartë muret, që më ndajnë nga vetja!
PËR DITËN E HUMBUR
Këto rreze të ngrohta –
psherëtima
për ditën e humbur
që s’ka për t’u kthyer kurrë…
SHKALLËT E SHPIRTIT
Unë nuk mund t’i kapërdij të djeshmet,
pa zbritur më parë nëpër ato shkallë,
thërrimet pa ua mbledhur melankolive,
notat melodive,
pa i bërë edhe një herë dhimbjet gërshet,
pa u arratisur edhe një herë heshtjeve të bekuara,
rebusit të labirinteve,
e thepnajave të lodhura darovitjes së reve
që me vete sjellin përherë rrufe…
Më pas mund të ngjitem shkallëve të shpirtit,
të fluturoj lartësive,
ku korbat nuk venë
dhe me fije shprese në sqep
të ndërtoj folenë…
MBRËMJEVE TË FTOHTA
Ndoshta je mendim i parrëfyer
a regëtimë që trazon
kur troket dritares vetmitare
mbrëmjeve të ftohta.
Nganjëherë ngjan me një zbulim të ri
ardhur karvanëve që shkojnë,
nganjëherë si një diell i fshehur
mjegullave që verbojnë…
Nganjëherë zbret ngadalë
qytetit rënë në letargji
nganjëherë vjen si mungesë
që s’është tjetër veç prani..