Libri

Shaip Bllaca dhe portreti letrar i tij

Thonë se, jeta shkruan romane. Kjo është e vërtetë. Edhe Shaip Bllaca, krijues nga Gjilanit, kaherë ka filluar të shkruajë vargje. Vargjet e shkruara e kanë “përjetësuar” jetën e tij. S’ka me jetën! Ajo është një lloj “teatri” ku loz e luan njeriu. Sepse, vargjet (këngët) janë pjesa më e dhimbshme e jetës së autorit. Ato të bëjnë ta jetosh jetën ashtu si e ndjen apo si e “shijon” atë.

Andaj, ditë më parë, autori, Shaip Bllaca, krijues, ka botuar këto vepra letrare, si janë:“Jeta ime”, “Mirëmëngjes jeta ime”, “Lotët e bilbilit”, “Biseda me shpirtin”, “Një pikë loti” dhe vepra me vargje për fëmijë me titull “Edhe mua më thonë i vogël”. Autori, në të shumtën e veprave të tij ua kushton jetës së vetë. Autori në veprat e tij e ka shprehur dashurinë ndaj jetës së bukur, por edhe ndaj asaj jete me vuajtje e me skamje. Këtu vërehet dhembja e tij ndaj vendlindjes, ndaj prindërve, shkollës, ditëve të gëzimit, këngëve të bilbilit, gjurmave të jetës, lotit të poetit, buzëqeshja, gëzimet e jetës në përgjithësi, nënës, kohës, dëshmorit të kombit, Agim Ramadanit, atdhetarit Nazmi Hoxha, stinës së pranverës, personalitetit e trimit të shquar të kësaj ane, Hasan Alisë, ditës e mesditës, Kosovës, lule borës, natës, ditës, vuajtjeve, dashurisë etjen e dashjes ndaj nënës, ëndrrës, ditëve të mira, zemrës, heshtja, etj, etj.

Shaip Bllaca është nga fshati Cërnicë, komuna e Gjilanit. Ai është adhurues i madh i librit. Shih për këtë, ai gjer më tani ka botuar dy libra me poezi “Jeta ime” dhe librin e fundit me titull “Lotët e bilbilit”. Jo vetëm kaq. Se është adhurues i madh i librit, tregon fakti se, ai nuk lë asnjë manifestim letrar duke marrë pjesë dhe, herë pas here, punimet e veta letrare i lexon para masës. Kështu e kanë adhuruesit e artit, të cilët, sado që jeta i bën “presion”, krijuesit nuk ndahen nga pjesa më e ndjeshme shpirtërore e tyre.

Poezia e këtij poeti është një lloj shënimi të atyre “ngjarjeve” të ndjeshme nga jeta e përjetuar dhe e nxitur fort nga brenda. Andaj, poezia e Shaip Bllacës është prekëse dhe shumë personale apo intime. Ajo rrëfen ngjarje, kohë, momente, dukuri, por rrëfien edhe histori dhe pjesë të tjera të jetës së njeriut tonë. Kjo vepër poetike kryekëput është me poezi që autori ia ka kushtuar jetës së vet. Me fjalë të tjera, vepra e tij është një lloj ditari në vargje. Siç dihet, ditari shkruhet dhe në prozë, por shkruhet edhe në vargje. Këto lloj vargje janë plot kumbim me “shije” ekzaltueses. Ato si të tilla kanë dalë origjinal, por si “rrëfime” janë pak pa përvojë poetike. Psh: te poezia “Gjurmët e mia”, autori në vargun e katër, shton: “me libër në dorë duke shkruar”? Kjo nuk zë vend në poetikë. Nuk thuhet me libër në dorë duke shkruar, por me laps në dorë, shkruaj libra etj.

Por, marrë në tërësi, librin në fjalë deshëm ta prezantojmë si vlerëe me ato vargje, të cilat, në një mënyrë a tjetër, autori e ka shfaqur dashurinë e flaktë ndaj artit letrar dhe vërehet qartë përpjekja e tij për të hartuar vargje poetike. Ajo që vërehet te kjo vepër poetik është fakti se, poezitë janë hartuar në formë të gjatë. Këto poezi nga pak tingëllojnë sikur të ishin poema. Pra, aty vëren rrëfime dhe ngjarje. Këto “sende” janë paksa të tepërta, për faktins e, poezia e bukur është me pak vargje, por me domethënie të qartë. Pra, poezia të shkruhet, por aty duhet autori të jetë më i përmbledhtë, ta përdorin koncentracionin e tij poetik.

E rëndësishme është se, Sh. Bllaca, kësaj herë na del me një vepër që jetën e vet e ka shkruar në vargje në formë ditari apo autobiografia e tij në vargje. Prandaj, këto artikulime artistike të autorit në fjalë janë kryesisht për vendlindjen, prindërit, nënën e anëtarët tjerë. Kjo vepër ta përkujton veprën e I. Kadaresë me titull “Autobiografia e popullit tim në vargje”. Pse jo? Shaip Bllaca nuk ka lënë pjesë të jetës së popullit pa e “prekur” me vargje, si i ka kënduar Kosovës, mërgimtarëve, dëshmorëve të kombit, pesonaliteteve të të rëndësishme të kulturës shqiptare, dhimbjeve njerëzore, shkollarit, poetit, por edhe “figurave” të tjera siç i quan autori “pashallarë”, ku iu drejtohet me vargje: “Pashallarë keni mendjen/ punoni për popullin/ mendoni për kurbetqarët/ ndjerësa jonë me gjak/ pa kursyer para tona/ edhe më këtu ku jemi” (f.11).

Mandej, në vargje, autori jep mesazhe këtyre “pashallarëve” duke iu drejtur atyre me këto vargje thumbuese: “Leni klanet e partitë/ Thonin pleqt tani e dikur/ Kungulli gjithmonë/ nuk shkon mbi ujë”(f. 11). Krijuesit tjerë, jo vetëm në vargje, por edhe me forma tjera e kanë “kënduar” jetën e tyre. Pra, nuk ka krijues që nuk ka hartuar ndonjë vepër autobiografike. Sidoqoftë, Shaip Bllaca është treguar hartues i vargjeve, të cilat, si të tilla, plotësojnë një pjesë të letërsisë sonë shqipe. Vepra “Jeta ime” ka 172 poezi, me 174 faqe tekst./Tefik Selimi

You Might Also Like