Libri

SHOKUT QË S’I SHKOVA AS NË VARRIM

  Xheladin Rexhepi

SHOKUT QË S’I SHKOVA AS NË VARRIM

(Elegji për Musli Berishën)

Si nuk vdiqe në betejat për çlirim
Kur çdo faqe dite hapaj me varre
Me zhurmë lopatash me trishtim
Po në këtë luftë me gjethe lirie

Më e rëndë se vdekja qenka pika!
Kur miqtë i ranë zilës te porta
Matanë një zë i shtjerr “s’jam këtu..”
Bebza zjarrmie maska oksigjeni

S’dua të ta shkruaj me të zezë
As fletë vdekjen tënde në gur
Vetëm numër a makth kronike
Me troha dheu pa rite pa njeri

Çfarë do t’më thuash nesër nuk e di
Kur do të ringjallemi nga kjo jermi
Mbetur si hije pesë pare njeri
N’albume kujtimi s’gjejmë paqe

Laps i ngrirë të pret mbi tavolinë
Librat me bojë lamente shpirti
Shokët dhe makijato që avullon
Përbijnë heshtjen pa lamtumirë…

2 gusht 2020

You Might Also Like