Timo MËRKURI
SHPRUSHjA SI METAFORË QENDRORE E NJË LIBRI
( Pas një leximi të thelluar të librit më të ri poetik të Sabit Rrustemit, SHPRUSH NËPËPËR DEJ, edituar nga sh.b ROZAFA, Prishtinë, 2025)
Libri “Shprush nëpër dej” i Sabit Rrustemi paraqitet si një përvojë poetike e përqëndruar dhe organike, ku dashuria nuk trajtohet si motiv i zakonshëm lirik, por si energji që përshkon gjithë strukturën e tekstit. Që nga titulli shpaloset një vizion poetik i ndërtuar mbi dy pole kuptimore: “shprushja” që nuk sugjeron vetëm një lëvizje të fshehtë, por një akt të drejtpërdrejtë- një goditje mbi prushin e mbuluar nga hiri, një ndërhyrje që rizgjon zjarrin dhe e kthen fshehtësinë në flakë; ndërsa, poli i dytë, përmes “dej”-ve shënjon hapësirën intime ku kjo energji qarkullon, duke e kthyer trupin dhe shpirtin në një terren të gjallë poetik.
Në libër, metafora funksionon si mekanizëm jetësor i ligjërimit. Vargu pulson me një ritëm të brendshëm, ku figura, imazhi dhe tingulli ndërthuren për të krijuar një organizëm të vetëm kuptimor. Dashuria shfaqet si përjetim që kapërcen kufijtë e episodikës: ajo bëhet mënyrë ekzistence, gjendje ontologjike, frymë që përshkon individin dhe e lidh atë me universin. E dashura nuk shfaqet si figurë konkrete, por shndërrohet në prani energjie, në burim drite dhe zjarri që mban gjallë lëvizjen e brendshme të qenies.
Në këtë kuptim, libri sjell një thellim dhe zhvendosje të ndjeshme në poetikën shqipe të dashurisë, duke e ngritur atë nga përjetimi intim, në univers simbolik dhe ekzistencial. Kjo analizë synon të ndriçojë pikërisht këto prurje të veçanta dhe risitë që Sabit Rrustemi sjell në poetikën shqipe, aty ku prushi i fjalës shndërrohet në univers kuptimi.
I. METAFORA SI BOSHT NDËRTUES
Në librin “Shprush nëpër dej”, Sabit Rrustemi nuk mjaftohet të shkruajë poezi dashurie; ai ndërton një strukturë poetike që mbështetet mbi një metaforë qendrore. “Shprushja” nuk është vetëm figurë stilistike, por energji që qarkullon dhe organizon gjithë librin. Ajo bëhet boshti që mban të lidhura poezitë, si një trung prej të cilit degëzohen përjetime, imazhe dhe ritme të ndryshme. Këtu qëndron edhe risia: metafora nuk shërben për të zbukuruar vargun, por për ta strukturuar atë. Ajo i jep kohezion tërësisë dhe e shndërron librin në një trup të vetëm poetik, me frymëmarrje të brendshme dhe me jehonë që shkon përtej përjetimit individual.
1. Libri si strukturë e ndërtuar mbi një metaforë qendrore
Rrallë ndodh në poezinë shqipe që një përmbledhje të ndërtohet kaq e përqëndruar rreth një fjale që shndërrohet në bosht frymëmarrjeje. Kjo është prurja e veçantë e Rrustemit: fjala qendrore bëhet jo vetëm figurë, por puls i vazhdueshëm që mban gjallë gjithë strukturën e librit, një risie e rrallë në poezinë shqipe bashkëkohore. Në këtë libër, metafora e “shprushjes” qarkullon nëpër të gjithë organizmin e tekstit, si gjak që nuk ndalet. Ajo bëhet ritëm, bëhet puls, bëhet një akt i vazhdueshëm rizgjimi që nuk e lë dashurinë të bjerë në hi, por e mban në një ndezje të brendshme, herë të butë si prush, herë të fortë si zjarr i papërmbajtur. Prushi dhe shprushimi janë dy fjalë që gjenden thuaja në çdo faqe të librit, që nga poezia e parë e librit, “Këtë zemër sall ma rrëmben” :
“Qenies sime shprushet zjarri i fjetur
e ndjenjat ndizen pa fjalë”
e gjer te poezia e fundit: “Deri sa të soset për fije fundi i çdo pritjeje”, me vargjet:
“Kështu do të të vij për çdo natë
për çdo mëngjes,
përmes një shprushjeje a puthjeje
derisa të soset për fije edhe fundi i çdo pritjeje”
dhe kështu ne “ecim“ mbi një prush poetik të shprushur që na ndez zjarr nëpër dej, sepse këto fjalë nuk janë thjeshtë përsëritje leksikore, por janë shenja të një sistemi poetik të ndërtuar me vetëdije. “Prushi” është gjendja dhe “shprushja” është veprimi, lëvizja. Njëri është thelb i fshehur, tjetri është akt i rizgjimit. Kështu ndërtohet një dialektikë e brendshme që e mban librin në tension të vazhdueshëm poetik.
Metafora e shprushjes nuk shfaqet si ornament i izoluar, por si sistem kuptimor që lidh poezitë mes tyre.
Në poezinë “Për atë fjalë” (fq. 278), shprushja merr dimensionin e kërkimit të fjalës së munguar, të asaj fjale që shëron e që nuk shqiptohet lehtë:
“Kërkojmë e shprushim nëpër dëshira
edhe kur duart na ngatërrohen flokëve të pashprishura
varur diku pritjeve nëpër cepa sysh
Male zemrash janë djegur për atë fjalë
e buzët tona ende s’janë të gatshme ta shqiptojnë “
Këtu ( e kudo) “shprushim” nuk është thjesht veprim, por një proces i brendshëm i ndërgjegjes dhe i ndjenjës. Fjala kërkohet si një prush i fshehur nën hi, që duhet trazuar me kujdes për të mos u shuar. Dashuria nuk paraqitet si rrëfim episodik, por si tension i vazhdueshëm midis zjarrit dhe heshtjes, midis djegies dhe përmbajtjes. Po vargu “Male zemrash janë djegur”, e zgjeron metaforën në përmasa kolektive, duke e bërë shprushjen jo vetëm intime, por edhe universale.
Kështu, libri fiton koherencë të brendshme dhe bëhet një trup i gjallë poetik. Çdo poezi është si një dhomëz e zemrës ku prushi ruhet, fryhet, ndriçon. Shprushja shndërrohet në mënyrë ekzistence poetike, në një filozofi të dashurisë që nuk pranon mpirjen, por kërkon vazhdimisht ndezjen. Në këtë kuptim, libri nuk është një përmbledhje episodike dashurish, por një organizëm ku një metaforë e vetme mban gjallë gjithë strukturën, si një diell i brendshëm që nuk perëndon.
2. Përzierja e dialekteve dhe tonaliteteve
Një nga prurjet më të veçanta të Sabit Rrustemit në “Shprush nëpër dej” është mënyra se si ai ndërthur dialektin me gjuhën standarde pa krijuar çarje artificiale, por duke e lënë ligjërimin të rrjedhë sipas ritmit të ndjenjës. Gjuha nuk është kostum i imponuar, por lëkurë e gjallë e përjetimit. Ajo ndryshon timbër, si një lahutë që herë kumbon thellë në kraharor e herë ngjitet në një tingull të pastër e të kthjellët. Në disa poezi, fjala merr ngjyrë toke, erë kroi e pluhur rruge, duke e sjellë dashurinë si përvojë të mishëruar në vend e në kujtesë. Në poezinë “Nëse e ke veç nji trohë zemër” (Varianti final) – fq. 226, dialekti nuk është zbukurim folklorik, por frymë e brendshme e thirrjes:
“Kët’ natë të trishtë
m’duhet me plakë i vetëm
sonte e deri n’frymën e mbramë “ (f.226)
Këtu “nji”, “m’duhet”, “n’frymën e mbramë” krijojnë një afërsi të menjëhershme, një ton të zhveshur që të kujton rrëfimin e heshtur pranë oxhakut. Dialekti bëhet truall ku mbin dhimbja, si bari i egër që nuk e ndal askush. Ai nuk e kufizon poezinë, përkundrazi e rrënjos thellë në tokën e përvojës.
Në një tjetër poezi, “Shiun tuj ëndërrue” (Variant) – fq. 119, gjuha rrëshqet natyrshëm në trajta gegërishteje që i japin vargut një butësi intime:
“Nji shi të mirë
ka kohë që jam duke e ëndërrue
dhe Ty si një njomëz vere”
Fjala “ëndërrue” dhe “nji” nuk janë thjesht forma dialektore; ato janë frymëmarrje e ndjenjës. Tingulli i tyre i hapur krijon një melodi të butë, si pikla shiu që bien mbi prushin e brendshëm. Ndërkohë në poezinë “Ti mbetesh vetë dashuria“ fq. 195, tonaliteti bëhet më i përqëndruar, më universal, afër një lirike moderne të brendshme:
“Sa t’ketë gjak nëpër dej
dhe yje në këta qiej
Ti mbetesh vetë dashuria” (f.195)
Këtu gjuha pastrohet nga ngarkesat dialektore dhe merr një frymë më të gjerë, pothuaj kozmike. Vargu ngrihet nga trupi në qiell, nga “dej” te “qiej”, duke krijuar një bosht vertikal ku dashuria bëhet kategori ekzistenciale.
Kjo lëvizje midis tokës dhe qiellit, midis dialektit të ndjesisë dhe gjuhës së përpunuar poetike, krijon një hapësirë ku tradita dhe moderniteti nuk përplasen, por bashkëjetojnë si dy lumenj që derdhen në të njëjtin det. Dialekti është rrënja, standardi është degëzimi drejt hapësirës së hapur. Njëri e mban poezinë të lidhur me tokën, tjetri e çon drejt një universi më të gjerë ku dashuria merr përmasë ontologjike. Kështu, përzierja e dialekteve dhe tonaliteteve nuk është thjesht teknikë gjuhësore, por filozofi poetike. Ajo dëshmon se dashuria, për Rrustemin, ka shumë zëra dhe shumë timbre, por një zemër të vetme që rreh në të gjitha trajtat e saj. Kjo lëvizje midis tokës dhe qiellit, dialektit dhe gjuhës standarde, është një tjetër prurje e veçantë e librit: mënyrë që lidh traditën dhe modernitetin pa u përplasur, duke zgjeruar përmasën ekzistenciale të dashurisë.
3. Vetëdija e procesit krijues dhe variantet poetike
Rrustemi nuk e sheh poezinë si produkt të mbyllur, por si proces në lëvizje. Prania e varianteve në disa tekste dëshmon një vetëdije të qartë për aktin krijues, për përpunimin e vazhdueshëm të figurës dhe të ritmit. Poezia nuk lind e përfunduar, por kalon nëpër faza, si një zjarr që kërkon ajrin e duhur për të marrë formë të plotë. Në poezinë “Kur të rikthehesh “ndjesia e pritjes dhe riformësimit shprehet me një ton të brendshëm që duket sikur kërkon
vazhdimisht fjalën e saktë:
“Do ta rishkruaj këtë mall
sa herë të rikthehesh
në dritën e syve të mi” (f. 142,
“Kur të rikthehesh ”)
Mund të përmendim edhe variantet e poezive: “Ti lulja ime mëngjezore” Varianti 1, “Acarin e dejve të pritjes e shkriva” variant
2,”Vjelja e heshtjes” Varianti final, etj Këto shënime nuk janë teknike, por poetike. Ato tregojne se poezia për Rrustemin është si prushi që rri nën hi dhe kërkon herë pas here shprushjen e duhur për të marrë flakën e re. Varianti është një lloj frymëmarje tjetër e së njejtës ndjenjë, një kthim te fjala për ta parë nga një kënd më i thellë. Kjo ide e rishkrimit bëhet metaforë e vetë procesit poetik. Dashuria nuk është e ngrirë në një deklarim, por është projekt estetik që përpunohet, thellohet dhe rikrijohet. Rrustemi sjell një prurje të veçantë në poezinë shqipe: ai nuk e sheh vargun si produkt të mbyllur, por si proces në lëvizje, ku çdo variant është frymë e re që zgjon ndjenjën dhe zgjeron kuptimin e dashurisë. Dhe kur metafora merr frymë si trup i gjallë, natyrshëm lind pyetja: kush e ndez këtë prush dhe ç’fytyrë merr energjia që e mban në lëvizje?
II-E DASHURA SI ENERGJI OSE TRANSFORMIMI POETIIK I NDJENJËS
Në traditën e lirikës shqipe, shumë herë dashuria shfaqet përmes figurës konkrete të të dashurës, me fytyrë të dallueshme, trup të bukur dhe përjetime të ndara personale. Libri “Shprush nëpër dej” i Sabit Rrustemit sjell një ndryshim të qartë dhe të thellë poetik: këtu poeti nuk i këndon një personi të veçantë, por vetë dashurisë si energji dhe gjendje ekzistence. Kjo është risi, sepse figura e të dashurës nuk është më objekt soditjeje, por burim i lëvizjes së brendshme dhe transformimit shpirtëror.
Në këtë vepër, e dashura nuk është një person fizik, nuk ka fytyrë me tipare të hollësishme, as trup që kërkon të zotërojë vargun me bukurinë e vet. Ajo është një prani që lëviz si mjegull e ngrohtë, e padukshme në formë, por e fuqishme në ndikim. Kjo zgjedhje poetike nuk është mungesë; është një vetëdije e plotë: poeti nuk i këndon të dashurës si individ, por e përdor atë si arketip të dashurisë, si frymë që kalon nëpër trup, si zjarr që qarkullon në gjak. Prandaj, figura e saj shndërrohet në burim të lëvizjes së brendshme, në energji që e bën poezinë të gjallë dhe të përjetshme.
1. E dashura si energji që qarkullon
Në poezinë e Rrustemit, e dashura nuk shfaqet me bukurinë e saj, por me atë që zgjon , me ndezjen shpirtërore. Ajo është shprushje ndjenjash, është gjendje.
“Nuk po t’shoh
vetëm nëpër dej
shprushjet Tua i ndjej”
(“Shprushjet tua i ndjej”, (, f. 11)
këtu vajza e dashur nuk ka sy, nuk ka flokë, nuk ka buzë. Ka vetëm përflakje të brendshme. Ajo është bërë puls, është shndruar në rrymë gjaku. Dashuria nuk është më ndjenjë e jashtme, por proces biologjik dhe shpirtëror, njëherësh. Kjo është një prurje e re, e rëndësishme, pasi poeti e zhvendos vëmendjen nga figura te fenomeni. Nga trupi te energjia, nga pamja te përjetimi. Dhe kështu e dashura bëhet funksion poetik i dashurisë. Si qiri që digjet për të dhënë dritë, dhe këtu, drita është thelbi.
2. Ndërtimi i një hapësire për dashurinë
Në libër, poeti nuk ndërton një shtëpi intime për një mikeshë konkrete. Ai ndërton një “shtëpi-poezi” për ndjenjën. Me këtë rast zemra bëhet kopsht, vargu bëhet mur, malli e dashuria bëhet themel. Te poezia “Lulja e jetës” lexojmë:
“Në kopshtin e kësaj zemre
ngjitas meje buloi e çeli
këtë botë me aromë e mbushi” ( f. 12–13)
Lulja është e dashura, dhe aroma që mbush botën është dashuria. Poeti nuk ndalet te petalet, ai ndalet te përhapja, te fryma, te ndikimi apo efekti i saj. Kjo e bën figurën e saj më të madhe se vetja fizike. Ajo nuk kufizohet në individualitet, ajo shndërrohet në simbol. Në një arketip të ndjenjës që mund t’i përkasë kujtdo. Ndoshta vlen të themi se asnjë element fizik nuk shfaqet konkret në poezitë e tij, gjithmonë ato janë të përgjithëshme si “faqemolla”, “ e bukur si ëndrra” etj duke dhënë universalitet poetik.
3. E dashura si urë drejt thellësisë
E dashura nuk është “destinacion” i poetit, ajo është urë nëpër të cilën kalon ai . Ajo ( e dashura), përmes asaj “ure” e çon poetin drejt vetes, drejt përjetësisë së ndjenjës. Te poezia “Këtë zemër sall ma rrëmben”, ai shkruan:
“Si dritë vetëtime
çan murin e dendur të reve
e mbin para meje” , f. 7)
Ajo është dritë që hap qiellin, nuk është qielli vetë. Është çarje e reve, është çasti i ndriçimit që vjen. Kjo figurë e bën të dashurën të lëvizshme, të tejdukshme, të hapur. Ajo nuk mbyll horizontin, por e hap edhe më shumë. Nuk e kufizon dashurinë, por e çliron edhe më tej.
4. Pamundësia e prekjes si thellim i dimensionit metafizik
Në poezinë “Buzëve gurro si krua” (f.87), poeti shpreh pamundësinë për ta prekur fizikisht vajzën, por kjo mungesë nuk e varfëron ndjenjën, përkundrazi e thellon atë:
“Në mënyrën time të jetoj
a nuk arrij të të zë
as edhe për një prekje
puthje a përqafim”
Pamundësia e prekjes e shfaq dashurinë si një horizont që nuk arrihet kurrë, por që e mban shpirtin në lëvizje të vazhdueshme, si një etje që nuk shuhet, sepse vetë etja është mënyra e saj e të qenit. Si një puthje e pa dhënë që ecën pa u ndalur. Edhe kur sytë mbyllen, dashuria vazhdon të frymojë:
“Pafundësia e kësaj dashurie
nuk ka të sosur
frymon edhe kur i mbylli sytë” (f.87)
Për arsyen e mosprekjes dashuria merr cilësi të përjetësisë, duke u bërë një prani që nuk varet nga koha, nga distanca apo nga trupi, por nga vetë thellësia e përjetimit, si një det i brendshëm që lëviz edhe kur sipërfaqja duket e qetë.
E veçanta poetike e këtij libri qëndron pikërisht këtu: e dashura nuk është monument, por frymë. Nuk është portret, por energji. Nuk është qëllim përfundimtar i vargut, por mjet përmes të cilit dashuria merr trup, zë dhe përjetësi. Në vend që të ndërtojë një statujë për një figurë konkrete, poeti ndërton një tempull për ndjenjën. Dhe në këtë tempull mund të hyjë çdo lexues që ka ndjerë njëherë zjarrin e brendshëm. Kur e dashura shndërrohet në energji, dashuria pushon së qeni figurë dhe bëhet vetë mënyrë e të qenit, një zjarr që nuk ndriçon vetëm tjetrin, po, vetë ekzistencën.
III. DASHURIA SI ONTOLOGJI, JO SI EPISOD EROTIK
Në këtë libër, dashuria nuk është histori që ndodh dhe shuhet, as episod erotik që ndez dhe ftohet pas çastit. Ajo që poezia na fton të prekim është një dashuri që zgjon qenien, që nuk mbaron me aktin, por vazhdon të rrjedhë si lumë i brendshëm, duke i dhënë jetë çdo çasti.
1. Dashuria si ontologji
Në këtë libër, dashuria nuk është histori që ndodh dhe shuhet, as episod erotik që ndizet dhe ftohet sipas çastit. Erotika mund të shfaqet, por ajo është vetëm hije e saj, jo thelbi. Ajo që poezia na fton të prekim është një dashuri që zgjon qenien, që nuk mbaron me aktin, por vazhdon të rrjedhë si lumë i brendshëm, duke i dhënë jetë çdo çasti. Nuk është emocion që kalon, por realitet, mënyrë e të qenit në kohë.
Në librin “Shprush nëpër dej”, dashuria nuk ka fillim e fund, nuk ka takime të datuara apo ndarje dramatike. Ajo është gjendje ekzistence, një frymë që përshkon trupin, kujtesën dhe shpirtin, një zjarr i heshtur që digjet nën hirin e përditshmërisë. Nuk është vetëm emocion që ndodh dhe shuhet; ajo është energji që ngroh dhe strukturon qenien, si diell që ngjallet brenda mes hijeve të përditshme. Bën gjakun të rrahë më shpejt, zemrën të çelë si kopsht i fshehur pas murit të heshtjes, dhe mendjen të ndiejë një dritë të brendshme që nuk shuhet. Ajo është si prush që digjet nën hiri, si frymë që mbush kraharorin pa bërë zhurmë, si ujë që rrjedh fshehur nën gurët e ditëve të zakonshme, duke lënë shenjë pa u parë, por duke ndryshuar gjithçka brenda.
Në këtë kuptim, dashuria bëhet themeli i identitetit, jo një emocion i kalimtë. Nuk është vetëm ajo që ndodh midis dy qenieve; është ajo që i jep formë dhe jetë ekzistencës së njeriut, ajo që e bën qenien të ndjejë vetveten si pjesë të diçkaje më të madhe. Kjo qasje zhvendos hapat e lexuesit nga sentimentalja drejt ontologjikes, nga rrëfimi drejt qenies: dashuria nuk rrëfehet, ajo përjetohet si frymë, si zjarr i brendshëm, si dritë që ndriçon heshtjen. Ajo nuk është monument që admirohet, por energji që lëviz, që transformon, që rrjedh si muzikë e heshtur nën ritmin e jetës. Dhe në çdo çast të saj ndjehet e përjetshme, si një yll që ndriçon natën pa u lodhur, duke i dhënë çdo dite nuanca dhe thellësi të re.
2. Dashuria si gjendje ekzistence, jo si rrëfim sentimental
Në librin e Sabit Rrustemit, dashuria nuk rrëfehet si histori me hyrje, kulm e mbarim. Ajo nuk lidhet me takime të datuara, ndarje dramatike apo kujtime të një romance të mbyllur në kohë. Dashuria këtu nuk është ngjarje që ndodh e shuhet; ajo është gjendje, një mënyrë të qenit në botë, një frymë e brendshme që mban qenien zgjuar. Ajo nuk kërkon skenografi, nuk pret sfond narrativ. Është si ajri që nuk shihet, por pa të cilin nuk mund të jetohet. Si drita që rrjedh në një dhomë të errët pa bërë zhurmë, duke ndryshuar krejt klimën e saj. Në poezinë “Këtë zemër sall ma rrëmben”, dashuria shfaqet si rizgjim i një zjarri të fshehtë:
“Qenies sime shprushet zjarri i fjetur
e ndjenjat ndizen pa fjalë” (f. 7)
Zjarri nuk vjen nga jashtë si pushtim; ai ishte i fjetur brenda qenies, si prushi i fshehur nën hi. Dashuria thjesht e shprush, duke zgjuar atë që ishte i fjetur dhe potencial. Ajo nuk është emocion që ndodh, por akt i vetëdijes, një gjendje e thellë ekzistenciale. Përmes saj, njeriu bëhet më i pranishëm në vetvete, më i lidhur me vetë qenien. Në poezinë “Nxito drejt meje”, kjo përmasë e pakohshme e dashurisë shprehet qartë:
“Nxito drejt meje
si drejt qiejve
ku nuk na arrijnë retë
Ti ishe dhe mbete
dashuria ime e njëmendtë” (f. 48)
Dashuria këtu hapet si horizont, si një lartësi ku retë nuk arrijnë. Nuk ndikohet nga kalimet e motit emocional. Ajo është e njëmendtë, e vërtetë në kuptimin ontologjik, jo thjesht emocional. Rrustemi çliron dashurinë nga rrëfimi sentimental dhe e ngre në nivel të qenies. Dashuria nuk është ajo që i ndodh njeriut; është ajo që e bën njeriun të jetë. Kjo është risia poetike më e thellë e librit: dashuria nuk është motiv lirik i zakonshëm, por kategori ontologjike, një dimension ekzistence që çon poezinë shqipe drejt një thellimi të ri.
Ndryshe nga një pjesë e mirë e lirikës shqipe, ku dashuria mbetet rrëfim sentimental, mall intim apo elegji ndarjeje, te Rrustemi ajo shndërrohet në parim të qenies, në frymë që mban gjallë zemrën dhe shpirtin, një zjarr që nuk shuhet, një prush që ndez çdo ditë ekzistencën.
3. “Ti”-ja poetike: nga figurë konkrete në arketip
Në fillim, “Ti”-ja duket si një figurë e prekshme, si e dashur që mund ta prekësh me sy e me dorë. Ka hapat e saj që afrohen, shikimin që ndriçon, buzët që flasin heshturazi. Por ndërsa lexon librin, kjo figurë zgjeron horizontin e saj. Ajo nuk mbetet thjesht një person; ajo bëhet qendër gravitacioni e gjithë botës lirike, një energji që rrotullon çdo element të vargut. Në poezinë, “Secila stinë është e etur për ty”, figura e saj kalon përtej marrëdhënies intime:
“Secila stinë është e etur për ty
… dhe unë” (f. 10)
Këtu “Ti”-ja nuk është vetëm arsye e etjes së poetit. Ajo bëhet arsye e etjes së stinëve, e natyrës, e kohës. Është boshti rreth të cilit rrotullohet ritmi i botës, qenia e saj që mbush hapësirën lirike me frymë dhe rrahje. Në poezinë “Për t’i thënë vdekjes shko”, figura merr përmasë më të thellë, si një dritë që depërton në errësirën e brendshme:
“Sytë ndrisin
nëpër të errëtat e padukshme
Harresës
i humb dhe ajo pak hapësirë
për t’u fshehur” (f. 21)
Drita këtu nuk është thjesht shfaqje e syve. Ajo është akt shpirtëror, energji që zhduk harresën, që heq strehën e fundit të boshllëkut. “Ti”-ja bëhet forcë që lufton errësirën, një zjarr që ndez zemrën dhe shpirtin përballë vdekjes, harresës dhe mpirjes. Kur poeti e quan:“Ti shprushësja e flaktë e kësaj zemre” (f. 21) ajo nuk është më thjesht e dashur konkrete. Ajo është parim ndezës, energji arketipale e jetës. Është ajo që mban zemrën gjallë, që e shpëton njeriun nga zbrazëtia dhe e çon drejt një lartësie ku dashuria nuk është më ndjesi private, por dimension i qenies.
Në këtë mënyrë, dashuria te Rrustemi nuk është marrëdhënie mes dy vetash. Ajo është ontologji. Është mënyrë e të qenit. Kjo është një prurje e re; individualja ngrihet në arketip, dhe dashuria fiton përmasë universale. Ajo bëhet dritë, frymë dhe zjarr që lëviz përtej kohës dhe hapësirës, duke shpërfaqur një energji që mbetet e gjallë në çdo lexues, një pasqyrim i thellë i vetë ekzistencës.
4. Trupi si hapësirë metafizike dhe ritmi i brendshëm i dashurisë
Në librin “Shprush nëpër dej”, trupi nuk është thjesht një konstrukt fizik që mund ta masësh apo ta prekësh. Ai bëhet hapësirë e brendshme, tokë e heshtur ku lëviz dashuria, ku çdo ndjenjë gjen rrënjët e veta. Nuk është skenë pasioni, por altar ku ndodh shndërrimi i qenies. Çdo frymë, çdo çast i ndjesisë, përshkon trupin si rrjedhë në lumenj të fshehur, duke i dhënë jetë mendjes, kujtesës dhe shpirtit. Në poezinë “Siç e dua heshtjen tënde”:
“Përmes plasave që zbresin deri në rrënjë
një lule si jona dashuri
lëshon shtat” (f. 9)
plasat nuk janë thjesht çarje të gurit; ato janë çarje të brendshme të shpirtit, hapësira ku mbijnë dëshirat, kujtimet, shpresa dhe plagët. Rrënja nuk është thjesht element natyror, por thellësia ku njeriu ruan vetveten. Dashuria mbin aty ku qenia është e çarë, duke shndërruar thyerjen në pjellori, dhimbjen në energji krijuese. Në poezinë “Buzëve gurro si krua” (f. 87), përjetimi trupor zhvendoset nga kontakti fizik te etja metafizike:
“Në mënyrën time të jetoj
a nuk arrij të të zë
as edhe për një prekje
puthje a përqafim”
Trupi këtu nuk është vend i pushtimit, por vatër e brendshme, ku dashuria qarkullon si zjarr i fshehur, duke mbajtur gjallë çdo qelizë të qenies. Pamundësia e prekjes nuk e varfëron ndjenjën; përkundrazi, e thellon. Dashuria bëhet energjia që shpërthen përtej gjestit, frymë që i mbush hapësirën me dritë dhe nxehtësi të brendshme. Në “Për t’i thënë vdekjes shko” zemra bëhet vatër e ndezur: “Ti shprushësja e flaktë e kësaj zemre” (f. 21) ku zemra nuk shfaqet më si organ anatomik; ajo është altar ku flakët e dashurisë digjen pa pushim, duke luftuar harresën dhe zbrazëtinë.
5. Dashuria si ringjallje dhe rizgjim i qenies
Në këtë univers poetik, dashuria nuk është thjesht ndjesi që digjet e shuhet. Ajo nuk hyn si një emocion i rastit, por si frymë që zgjon jetën e brendshme, si një pranverë që nuk pyet nëse koha është e përshtatshme për të çelur. Ajo futet butë, por me fuqinë e një stuhie të heshtur, dhe rikthen atë që ishte i mpirë, nxjerr qenien nga heshtja e saj dhe i jep ritëm vetes. Te poezia “Mbij i paftuar” poeti e thotë, troç:
“Aty ku dashuria lëshon rrënjë
dheun përpush
sythoj e dal
e mbij i paftuar” (f. 33)
Foljet “sythoj, dal, mbij” e bëjnë qenien të duket si një proces i gjallë, i vazhdueshëm, jo gjendje e ngrirë. Dashuria nuk pyet për kohën; ajo vjen si pranverë e papritur që çel në heshtje, që shkrin ngrirjen e brendshme dhe zgjon çdo pjesë të shpirtit. Në poezinë “Fshehtas syve të kësaj bote” (f. 225), dashuria shfaqet si qenie që lëviz në thellësitë e brendshme, e fshehtë, e gjallë, por gjithmonë e pranishme:
“Drejtë thellësive të këtij Deti nën kraharor
ti noton fshehtas syve të kësaj bote”
Ky det nën kraharor është metaforë e pafundësisë së brendshme, vend ku dashuria lëviz si dritë që shkund errësirën, si rrjedhë që zgjon çdo qoshe të shpirtit. Ajo është ringjallje e heshtur, jo me britmë, por me frymëmarrje të thellë që e bën qenien të ndjejë vetveten, të ndjejë botën që rrotullohet rreth saj. Në poezinë e Rrustemit, dashuria nuk ndodh dhe shuhet si zjarr i rastit; ajo është agim që rikthehet, valë që e nxjerr shpirtin nga mpirja, dritë që hap horizontin e brendshëm. Ajo e rikthen njeriun tek vetja e tij më e thellë, dhe e bën ekzistencën të ndriçojë me një dritë që nuk është vetëm emocionale, por thellësisht ontologjike. Kështu, në poezinë shqipe, Rrustemi sjell një prurje të re: dashuria si akt rizgjimi ontologjik, jo si afsh i përkohshëm emocional. Ajo është frymë që rrit dhe ringjall qenien, hije që ndez flakën e brendshme, një prush që nuk shuhet kurrë, duke i dhënë jetës jo vetëm ngrohtësi, por edhe thellësi dhe kuptim.
6. Dashuria si akt shpëtimi
Në librin e Rrustemit, dashuria arrin kulmin kur bëhet akt ekzistence. Ajo nuk është flakë që ndizet e shuhet, as afsh që përvëlon çastin dhe pastaj mbetet hi. Është mburojë e padukshme që ngrihet mes njeriut dhe humnerës, qëndresë e brendshme që nuk përkulet kur koha shtrëngon me grushtin e saj të ftohtë. Është fjala që shqiptohet buzë greminës, kur njeriu ndjen erën e rënies, por zgjedh të mos bjerë. Është një “jo” e qetë përballë vdekjes dhe një “po” e zjarrtë për jetën. Në poezinë “Për t’i thënë vdekjes shko” kjo përmasë e dashurisë shfaqet pa zbukurime, por me një dritë të brendshme që s’shuhet:
“Ardhjen Tënde e pres
përqafimin e asaj puthjeje
për t’i thënë vdekjes
shko”( f.21)
Këtu dashuria nuk është pritje e një përqafimi që shuan mallin e trupit; ajo është pritje shpëtimi, si agimi që pritet nga i humburi në mes të detit. Puthja nuk është vetëm prekje buzësh; është frymë që zgjon çdo gjë të fjetur në thellësitë e qenies, si pranvera që çel rrënjët e ngrira nën tokë. Është shqiptim me “dy fjalë” që i bën dy botë të dridhen, sepse ato fjalë nuk janë tinguj, por drithërima ekzistence.
Dashuria bëhet zë që i drejtohet vdekjes sy më sy, si një njeri që i flet natës pa frikë. Ajo nuk mohon fundin dhe nuk e zhduk hijen që na ndjek; i del përballë me dritë në sy, me jetë në damarë, me zjarr në shpirt- si pishtar që nuk pranon të shuhet, edhe kur errësira mendon se ka fituar.
Dashuria, pra, është akt shpëtimi. Është një “shko” e thënë vdekjes, një “qëndro” e thënë jetës. Ndërmjet këtyre dy fjalëve, poeti ndërton frymëmarrjen e këtij libri. Këtu qëndron risia më e thellë e Rrustemit në poetikën shqipe: dashuria artikulohet si akt shpëtimi ontologjik. Ajo nuk është strehë emocionale, por qëndresë metafizike përballë vdekjes dhe asgjësë, frymë që ndez flakën e brendshme dhe i jep jetës thellësi, kuptim dhe ngrohtësi të pashuar. Por çdo ontologji ka një truall ku mbin, dhe në universin e këtij libri ai truall ka një emër: Çepurin.
III- MALI I ÇEPURIT
Në kulturën shqiptare mali nuk është thjesht një formë relievi, por figurë themelore e vetëdijes kombëtare, simbol krenarie, trimërie dhe burim i lirisë. Ai është hapësira ku njeriu shqiptar gjen ekuilibrin e vet mendor e shpirtëror, vertikalja përmes së cilës mat forcën dhe dinjitetin. Nuk është rastësi që me emra malesh pagëzohen djemtë, si një bekim qëndrese, sepse mali në traditën tonë është lartësia ku karakteri provohet dhe forcohet. Mirëpo në librin “Shprush nëpër dej” të Rrustemit, kjo figurë rimerr një kuptim më të thellë dhe më intim. Mali i Çepurit nuk mbetet thjesht peizazh apo kujtesë fëmijërore, por shndërrohet në boshtin rreth të cilit sillet universi poetik i veprës. Poezitë duket sikur kanë mbirë në atë truall dhe çdo varg bart në vetvete jehonën e gurit dhe të kohës. Çepuri nuk qëndron përballë poetit si objekt soditjeje; ai rrjedh brenda tij si frymë dhe ngrihet në vetëdije si një prani e përhershme. Këtu mali nuk është sfond, por qendër krijuese dhe njëherazi qendër ushqyese e poezisë: vendi ku lind vargu dhe burimi që e mban atë gjallë. Në të përzihen gjaku dhe guri, dashuria dhe toka, duke e bërë malin vertikalen që i jep drejtim dhe qëndrueshmëri prushit të brendshëm të dashurisë.
1. Çepuri si qendër krijuese
Çepuri para se të jetë mal është qendra krijuese e këtij libri. Ai është pika nga ku nis fjala dhe ku ajo merr drejtim. Ashtu si Parnasi për poetët antikë, ky mal është lartësia ku poeti ngjitet për të dëgjuar jehonën e vet. Nuk është rastësi që shumë poezi përmbajnë emrin e tij; kjo e bën malin një bosht gravitacional të gjithë vëllimit. Në poezinë “Për dashurinë tënde të munguar” lexojmë:
“Një grishë e hershme Çepuri
kah dritarja sillej“ (f..17)
Ndërsa te “Ajo stinë e ndryrë dashurie” poeti konkretizon vendin ku ulet e shkruan: “Sillem e mbështillem /palët e kësaj vetmie i përimtoj /Nëpër mjegull çaj /nga rrëza e Çepurit /deri në Maje te ajo Tumë Ilire” (f.25) Këtu akti krijues lidhet me lartësinë. Mali bëhet vendi ku lind dhe rilind poezia. Ai nuk është sfond, ai është laborator i brendshëm i shpirtit, ku fjala kalon nëpër heshtje përpara se të marrë trajtë. Në këtë kuptim, Çepuri është qendër rrezatuese: prej tij shpërndahet drita poetike në të gjitha drejtimet.
2. Çepuri si gjëndër ushqyese
Por Çepuri nuk është vetëm qendër krijuese; ai është edhe “gjëndër ushqyese” që ushqen vazhdimisht vargun. Nëse qendra krijuese është çasti i shpërthimit, gjëndra ushqyese është rrjedha e përhershme që e mban gjallë vargun. Në poezinë “ Buzëve gurro si krua” ai shkruan:
“Në gotën e mbushur me ujë Çepuri
sytë e tu bëjnë dritë
sot e gjithë jetën
…
Gurro për buzët e mia
gurro si krua”(f. 87 -88)
Mali këtu pihet si ujë. Ai futet në trup, në qarkullim, në gjak, në ndjenja. Kjo është metaforë e ushqimit shpirtëror. Çepuri nuk mbetet si panoramë; ai bëhet lëng jetësor që përzihet me dritën e dashurisë, si qumështi i gjirit. Gjëndra ushqyese prodhon vazhdimisht kuptim, mall dhe energji. Edhe te “Puthe atë zog”, kur poeti shkruan:
“Nëpër Dymbëdhjetë unaza
kurrizit t’ Çepurit
përbirohet Ai Zog” f. 91)
mali i Çepurit personifikohet si organizëm i gjallë, si një njeri me trup e kurriz. Ai ka damarë ku kalon zogu i shpirtit. Kjo është figura e një gjendre që mban dhe ushqen lëvizjen e brendshme.
3. Nga lokalja në universale
Prurja më e veçantë qëndron në faktin se mali i Çepuri nuk mbetet lokal. Ai nuk është një reliev i kufizuar, një pikë e shënuar në hartë, por një simbol i rrënjosur thellë që flet për çdo njeri që ka një truall të brendshëm. Rrustemi nuk e këndon malin si një poet lokalist; ai e shndërron atë në formë ekzistence. Në poezinë “Nën flatra zogjsh e petale lulesh” , ndërsa fillon me vargun: “Një mal puthjesh fluturojnë përditë kah Ti”, ai shkruan:
“Në lumin me zjarrin më t’ëmbël të dashurisë
që brendësisë sate pareshtur gurgullon
dëshirojnë të notojnë e kërkojnë
paqen e munguar të shpirtit”
(“Nën flatra zogjsh e petale lulesh”, f. 237)
Nga mali kalojmë te lumi i brendshëm, nga relievi te energjia universale. Çepuri është pikënisje, por jo kufi. Ai është rrënjë që e mban trungun, ndërsa degët shtrihen në horizont. Çepuri pra, në këtë libër është njëkohësisht qendër krijuese dhe gjëndër ushqyese. Si qendër krijuese, ai është pika e lindjes së vargut. Si gjëndër ushqyese, ai është burimi i vazhdueshëm që mban gjallë zjarrin e brendshëm. Në poezinë “Me lulet e Çepurit” (fq. 89), Çepuri nuk është vetëm mali i jashtëm; ai shndërrohet në truall të brendshëm, në tokë ku rrënja e dashurisë gjen vendin e vet:
“Në dherat e qenieve tona
për rrënjë lidhemi
stinëve që ndërrohen” (f.89)
Dherat “zhvendosin” malin nga relievi në shpirt: nuk është më një vend që shikohet, por një tokë që mbillet brenda qenies. Çepuri shndërrohet kështu në qendër krijuese-burim i lidhjes dhe lindjes së ndjenjave; dhe në gjëndër ushqyese, ku rrënja ushqehet, jeton, dhe rigjallërohet me stinët që ndërrohen. Vargu përmbyllës: “mjaltin e kësaj jete për t’ua dhuruar” forcon këtë idil shpirtëror: nga thellësia e tokës së brendshme lind ëmbëlsia që jepet, jo si posedim, por si energji e shpërndarë për jetën e të tjerëve. Në poezi, mali i Çepurit mbetet i padukshëm si mal fizik, por themelor si burim: truall ku dashuria mbillet si farë dhe pret stinën e saj. Mali nuk është më thjesht vend; ai është cikël i gjallë, ku krijimi dhe ushqimi i ndjenjave bashkëjetojnë përjetësisht.
Për ta rrumbullakësuar, them se libri “Shprush nëpër dej” mbetet një dëshmi se poezia e dashurisë mund të jetë njëkohësisht intime dhe universale, e brendshme dhe kozmike. Te Sabit Rrustemi dashuria nuk është thjesht ndjenjë, por energji që qarkullon si gjak nëpër vargje, si zjarr që nuk shuhet edhe kur mbulohet nga hiri i kohës. Metafora e shprushjes shndërrohet në simbol të vetë poezisë: ajo digjet në heshtje, por ngroh, ndriçon dhe mban gjallë.
Ky libër jo vetëm që lexohet po dhe përjetohet. Pasi të mbyllet faqja e fundit, ndjesia që mbetet është ajo e një prushi që vazhdon të digjet në brendësi të lexuesit – si kujtesë se dashuria, falë poezisë, nuk shuhet, por qarkullon nëpër dejtë e shpirtit, pafundësisht.
Sarandë, shkurt 2026





