Dr. Bajram Kosumi
SHTATË ETAPA TE PAVARËSISË SË KOSOVËS
Një pamje dhe përvojë personale për historinë e Kosovës në shekullin XX
Pavarësia e Kosovës mund të strukturohet në shtatë etapa. Këto etapa nuk do t’i ndajmë me vite,
por me ngjarje dhe me personalitete kyçe të atyre ngjarjeve.
Këto etapa janë:
1. Hasan Prishtina dhe fillimi i luftës politike e luftarake për çlirimin e territoreve shqiptare të
okupuara nga Serbia/Jugosllavia;
2. Veprimi i fshehte politik, i quajtur “ilegalja e Kosovës” (Adem Demaçi, Metush Krasniqi etj);
3. Revolucioni i Vitit 1981;
4. Formimi dhe aktiviteti i partive politike në vitet ’90 (LDK , PPK etj);
5. Formimi i UÇK dhe lufta çlirimtare;
6. Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë/ Bombardimi i Serbisë/ UNMIK;
7. Shpallja e pavarësisë së Kosovës: 17 shkurt 2008.
Duke shpjeguar secilën nga këto etapa, mund të krijohet një pasqyrë e qartë e këtij procesi.
1. Hasan Prishtina dhe fillimi i luftës politike e luftarake për çlirimin e territoreve shqiptare të
okupuara nga Serbia/Jugosllavia
Hasan Prishtina është politikani i fundit shqiptar që foli në emër të kombit. Në kryengritjen e vitit
1911 ai mori telegrame nga te gjitha hapësirat shqiptare, të cilët ia jepnin legjitimitetin të fliste në
emër të tyre.
Ndodhi viti 1912, thyerja e Perandorisë Osmane, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, pushtimi nga
shtetet fqinje të më shumë se gjysmës së territorit shqiptar, Luftërat Ballkanike dhe LPB.
Mbas LPB fillon konsolidimi i shtetit shqiptar, ndërsa Hasan Prishtinë nis një histori të re: luftën për
çlirimin e tokave shqiptare të pushtuara nga Serbia. Ai e dizajnoi këtë luftë, bashkë me shumë të
tjerë, duke themeluar Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, më 1 maj 1918. Me këtë komitet
dhe programin e tij nis një luftë e re për çlirimin e territoreve shqiptare dhe bashkimin e tyre me
Shqipërinë.
Kjo politikë e Komitetit e ka pasur edhe një segment ushtarak: çetat e kaçakëve shqiptar, më e
njohura prej tyre Çeta e Azem Galicës.
2. Veprimi i fshehte politik, i quajtur “ilegalja e Kosovës” (Adem Demaçi, Metush Krasniqi etj)
LDB e vuri në plan të dytë projektin për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre me
Shqipërinë të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Partia Komuniste Jugosllave bëri një
manovër të susksesshme për këtë punë: deri sa në njërën anë në Konferencën e Bujanit u vendos
nga komunistët shqiptarë e serbë që pas LDB Kosova dhe viset e tjera shqiptare t’i bashkohen
2
Shqipërisë, në anën tjetër kreu i PKJ e shpalli të papranueshëm një epilog të tillë. Shteti komunist
Jugosllav krijoi disa liri për Kosovën, por gjithmonë fati i shqiptarëve mbeti në mëshirën e Beogradit.
Ne këto kushte lëvizja patriotike në Kosovë fillon përshtatjen me taktika te reja: formohen grupe,
organizata dhe parti të fshehta revolucionare. Ideatorë të këtij procesi qenë Adem Demaci dhe
Metush Krasniqi. Si rrjedhojë e këtyre veprimeve, dhjetëra mijëra patriotë revolucionarë, deri në
vitin 1990, u ndoqën nga Kosova, u torturuan, u arrestuan, u vranë, u burgosën dhe mbajtën deri në
njëzetetetë vjet burg, si Adem Demaci.
Këto burgosje, ndjekje dhe vrasje nuk e shuan flakën e lirisë, përkundrazi, e ndezën më shumë. Për
dyzet vjet me radhë këta revolucionarë e mbajtën të ndezur flakën e lirisë.
Unë e kam shumë të freskët dënimin e tretë të Adem Demacit me 18 shokë të tij, në vitin 1975. Nga
viti i dytë në gjimnazit, ende e ruaj të freskët një faqe të revistës Zëri, në të cilën jepeshin emrat e
dënimit të “armiqve të shtetit” , shkruar nga Ali Olloni Ende e ruaj të freskët komentin e RTP, shkruar
dhe lexuar nga poeti kosovar Fahredin Gunga, ku mallkoheshin “armiqtë e shtetit”. Atëherë nuk e
njihja asnjërin prej atyre emrave, përveç Adem Demacit. Sot, disa nga ata emra janë heronj të
Kosovës, si Rexhep Mala e Isa Kastrati; disa janë persona me ndikim të madh në luftën për liri, si
Skender Kastrati, Osman Dumoshi, Ilmi Ramadani etj.
3. Revolucioni i Vitit 1981;
“Ilegalja e Kosovës” i dha frutat e vet në demonstratat e vitit 1968, po veçanërisht me Lëvizjen
Studentore dhe Revolucionin e vitit 1981.
Pse 1981?
– Sepse në vitin 1981 u rihap “Çështja e Kosovës”.
– Në Kosovë iu dha fund politikës komuniste Jugosllave, edhe pse ajo do të mbijetoje edhe për
një dekadë. Aty u nda rruga e Kosovës nga Jugosllavia.
– Sepse në vitin 1981, si e kanë thënë edhe shumë historianë e publicistë, fillon shpërbërja e
Jugosllavisë.
– Sepse në vitin 1981 fillon krijimi I një mendimi të ri politik dhe të një klase të re politike, e
cila do të ketë rol vendimtar deri në çlirimin e Kosovës.
– Sepse me demonstratat e vitit 1981 u krijua një kualitet I ri I lëvizjes kombëtare, pa
shkëputjet e mëparshme, duke shpërthyer rrethin e grupeve ilegale dhe duke e bërë
parullën Kosova Republikë parullë gjithë-popullore.
– Sepse në vitin 1981 në Kosovë, bashkë me Lëvizjen e Solidarnostit në Poloni, fillon rënia e
perandorisë komuniste të dirigjuar nga Rusia.
Revolucioni I vitit 1981 e ndërgjegjësoi Kosovën dhe gjithë popullin shqiptar në Jugosllavi për
procesin e shkatërrimit të Jugosllavisë dhe për domosdonë e gjetjes së një rruge shpëtimi për
Kosovën dhe shqiptarët.
Unë e kujtoi vitin 1981 në shumë përmasa. Besoj se aty liria e ka dehur popullin shqiptar. Metë
drejtë Rexhep Qosja e quan vitin 1981 “Rilindje të dytë shqiptare”.
Dua t’ua tregoj njërën prej këtyre përmasave.
Në vitin 1982, pas dënimit në Gjykatën e Prishtinës, më dërguan, me disa dhjetëra shokë të
evolucionit, në Burgun Qendror në Beograd. Aty filluan hetimet e dyta. Mua më merrte në pyetje një
hetues I vjetër federal, I cili interesohej vetëm për një çështje: cila është qendra e
“kundërrevolucionit”?
Një ditë i thashë: ne nuk duam ta shkatërrojmë Jugosllavinë. Ne duam republikën tonë. Nëse doni ta
ruani Jugosllavinë, pranojeni republikën e Kosovës, përndryshe Jugosllavia do të shkatërrohet.
Ai, duke besuar në çiltërsinë time, më tha tërësisht nga shpirti: Bajram, Nuk ekziston më Jugosllavia!
E shkatërruat në Kosovë!
4. Formimi i partive politike shqiptare në vitet nëntëdhjetë
Formimi i LDK në vitin 1989, sado me kontroversa të shprehura më vonë, ka qene ngjarje madhore
për Kosovën, së pakut për dy arsye:
3
– për herë të parë populli shqiptar i Kosovës u rreshtua kundër Serbisë në tërësi;
– bashkësia ndërkombëtare fillon ta trajtojë çështjen e Kosovës si një problem që do zgjidhje.
Kjo është periudha e nëpërkëmbjes më të madhe të shqiptarëve në kohën e re. partitë politike
vepronin në disa zyra të vogla skutave të Prishtinës, aktivistët ndiqeshin e rriheshin kudo, shkollat
mbanin mësime në garazhe e bodrume, ndërsa sapo binte terri i parë shqiptari mbyllej në shtëpi
duke pritur rrezikun. Rreziku shfaqej edhe në formën e një polici të vetëm serb, i cili nëpërkëmbte
një lagje të tërë.
Krahas LDK u formuan edhe parti më revolucionare, si Partia Parlamentare e Kosovës dhe UNIKOMB,
të cilat më vonë do të përshpejtojnë procesin e rezistencës aktive dhe do të përgatisin popullin të
rreshtohet në krah të luftës se UÇK. Nga viti 1996 PPK angazhohet për rezistencën aktive, ndërsa nga
viti 1997 e përkrahu dhe e mbrojti publikisht e në takimet diplomatike luftën e UCK.
Kjo politikë e rezistencës aktive kulmoi me protestat dhe demonstratat e nisura nga studentet e
Universitetit të Prishtinës në vitin 1997. Këto demonstrata në verën e vitit 1998 u shndërruan në
përkrahje masive gjithë-popullore për UÇK. Dhjetëra mijëra qytetarë brohoritnin në sheshet e
Prishtinës: “UCK jemi ne!” Ky legjitimitet popullor ndaj UCK-së e pamundësoi që qendrat e vendosjes
ndërkombëtare ta trajtojnë ndryshe UCK, përveç si një ushtri çlirimtare.
Më kujtohet një takim me ambasadorin e atëhershëm të Gjermanisë në Beograd, z. Wilfried
Grueber. Në takim unë e mbroja të drejtën e shqiptarëve dhe të UCK për të luftuar për lirinë edhe
me armë dhe se NATO duhej të ndërhyjë për të parandaluar gjenocidin e Serbisë mbi popullin
shqiptar. Mbas takimit, deri sa e përcillja ambasadorin shkallëve nga kati i dytë, ai më tha
“privatisht” me zë të ulët: ju lutem, me luftën e armatosur po e shkatërroni ekzistencën e popullit
shqiptar në Kosovë. NATO nuk do ta shkrep asnjë plumb kundër Serbisë për Kosovën.
Iku ambasadori, më vonë kam lexuar qe ai nuk ka pasur një karrierë të mirë diplomatike.
5. Formimi i UÇK dhe lufta çlirimtare
Lufta e UCK pa dyshim është historia më e dhimbshme dhe më krenare në rrugën e Kosovës për liri.
Por në gjithë këtë histori, dy janë momentet kyçe.
1. Momenti I parë është rënia heroike e Adem Jasharit dhe e 54 anëtarëve të Familjes Jashari. Flijimi I
Familjes Jashari e ndërroi rrjedhën e historisë së Kosovës. Pse?
– Sepse ky flijim e mbylli çdo rrugë për kthim prapa: shqiptarët nuk kishin ku të kthehen në
asnjë farë lloj Serbie. Ata ose duhej të luftonin për liri, ose do të therorizoheshin të gjithë.
– Sepse ky flijim I bindi edhe qendrat e vendosjes ndërkombëtare se në Kosovë ose duhej
gjetur një zgjidhje ose do të zhvillohej një luftë shkatërrimtare deri te shqiptari I fundit.
– Sepse ky flijim e bindi edhe Serbinë se në Kosovë ose do të vriste pandërprerë të gjithë ose
do të duhej të lëshonte pe.
2. Momenti I dytë është dëbimi dhe kthimi i shqiptarëve në Kosovë.
Më kujtohet si e kam përjetuar këtë çështje në malet e Marecit dhe në Majac bashkë me UCK. Kur
arriti shifra e të dëbuarve në 700.000 persona, më kapi një frikë e thellë! Kujt i duhej Kosova pa
njerëz? Në mbrëmje dëgjova premtimin e Tony Blerit: të gjithë refugjatët do të kthehen shumë
shpejt në shtëpitë e tyre!
Me hyrjen e NATO dhe UNMIK në Kosovë, jo të gjitha qendrat e vendosjes kanë pasur një vizion për
lirinë e Kosovës. Kthimi i të gjithë refugjatëve për një kohë shumë të shkurtër, e vulosi për herë të
fundit se Kosova është e atyre që jetojnë aty dhe jo log i ushtrive gjakatare.
6. Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë/ Bombardimi i Serbisë/ UNMIK;
Si rezultat I luftës së shqiptarëve për lirinë e Kosovës, qendrat e vendosjes ndërkombëtare ndërhynë
për të gjetur një zgjidhje për Kosovën, duke organizuar Konferencën e Rambujesë. Marrëveshjen e
Rambujesë e nënshkroi në Paris Delegacioni I Kosovës, në mars të vitit 1999, ndërsa Serbia nuk e
nënshkroi dhe ky fakt solli bombardimin e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe dhe miratimin në KS të
OKB të Rezolutës 1244, me të cilën legjitimohet misioni qeverisës i OKB në Kosovë, UNMIK.
4
UNMIK, sa do me politika të paqarta për të ardhmen e Kosovës, ka shërbyer mjaft mirë për ta
përgatitur Kosovën për funksionim si shtet.
Nga Rambuje dua t’ua tregoj vetëm një situatë: Delegacioni i Kosovës punonte tërë kohën e flinte
shumë pak. Edhe pas seancave zyrtare të Konferencës ne rrinim për orë të tëra duke diskutuar se si
do t’ia bëjmë. Hanim ushqimet shpejt e shpejt dhe uleshim në ndonjë zyre a dhomë për të vazhduar
diskutimet si t’ia bëjmë? Ndodhte të zgjoheshim para orës 6 të mëngjesit për t’u përgatitur për
seancën e orës 8.
Ndërsa Delegacioni i Serbisë, i udhëhequr nga presidenti serb Millan Millutinoviq, hante, pinte dhe
këndonte. Ata këndonin edhe natën, me verërat më të shtrenjta të Kështjellës së Rambujesë.
7. Shpallja e Kosovës shtet i Pavarur: 17 shkurt 2008.
Në vitin 2005 KS I OKB e dërgoi ambasadorin Kai Eide për të vlerësuar kushtet për gjetjen e zgjidhjes
përfundimtare për Kosovën. Në tetor 2005 Ambasadori Eide dorëzoi raportin në KS, në të cilin
vërteton se Kosova është përgatitur për të ecur drejt zgjidhjes përfundimtare. KS I OKB emëroi
ambasadorin Marti Ahtisari për të propozuar një zgjidhje. Në shkurt të vitit 2007 ambasadori Ahtisari
propozoi formimin e shtetit të Kosovës.
Më 17 shkurt 2008 Kuvendi i Kosovës, në pajtim me qendrat e vendosjes ndërkombëtare
perëndimore, shpalli Republikën e Kosovës, si shtet të pavarur e sovran.
Unë shkova që herët në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Binte borë e madhe. Bashkë me disa
deputetë u ulëm pranë dritareve të një zyre dhe shikonim makinat e zyrave të huaja që vinin si
mysafirë dhe vëzhgues në seancën e shpalljes së pavarësisë. Për herë të parë ata kishin vendosur në
makina flamujt e shteteve të tyre. Me këtë veprim, ata na tregonin se kishin filluar ta konsideronin
Kosovën shtet edhe para se të shpallej.
Përmbyllje
Të dashur të pranishëm,
Sot jemi këtu, në trembëdhjetë vjetorin e Pavarësisë, njëzet e një vjet pas përfundimit të luftës, falë
gjakut, dijes dhe djersës së qindra mijëra burrave e grave që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Sot ne jemi të nderuar që e vazhdojmë punën e tyre.
Sot, Hasan Prishtinë, Adem Jashar e Xhevë Lladrovci është:
– mësuesi, profesori dhe studenti që e ngritin cilësinë e shkollës fillore, të mesme dhe
universitetit;
– mjeku I përkushtuar për shëndetin e pacientit;
– gjykatësi dhe prokurori I ndershëm, gardian I paqes e i drejtësisë;
– biznesmeni që punëson shumë punëtorë dhe prodhon të mira materiale;
– inxhinieri i IT që e hap perspektivën e Kosovës në botën virtuale;
– kryetari i komunës që mban përgjegjësi maksimale para qytetarëve;
– politikani i pakorruptuar;
– polici dhe ushtari që e kalojnë natën duke u kujdesur për paqen tonë;
– e reja dhe i riu që e duan Kosovën, edhe atëherë kur ajo nuk I ofron të gjitha ato që ata
ëndërrojnë.
Dua ta përmbyll këtë fjalë me një thënie shumë të njohur, po e cila më bën të kthjellem sa herë më
mjegullohet mendja: mos pyet çka bën atdheu për ty, po çka bën ti për atdheun!
Ju faleminderit dhe na priftë e mbara gjithmonë!
Gjilan, më 16 shkurt 2021