Trashëgimi

Shtëpia-kullë e Xheladin Rrustemit në Terziaj

dini Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan

 

Kjo shtëpi  ka dy kate. Përdhesi është ndërtuar në vitin 1947, ndërsa kati në vitin 1950. Shtëpia është ndërtuar krejtësisht me gurë pa as edhe një hatull. Për material lidhës është përdorur llaçi prej balte. Përdhesi ka një korridor dhe dy kthina. Njëra kthinë, ajo në të majtë të korridorit, ndahet vetëm me një themel prej gurësh dhe shfrytëzohej si  dhomë zjarri. Ka dy dritare dhe drita depërton më mirë, ndërsa kthina në të djathtë është e ndarë me murin prej qerpiçësh dhe ka vetëm një dritare, me pakëz dritë, por është përdorë për dhomë ndeje mu për shkak të thurjes.

Komunikimi me katin është realizuar nëpërmjet shkallëve të jashtme, – shkallë druri, me mbulesë të veçantë. Një ballkon  me tri dritare tejpërtej anës përparme të shtëpisë komunikon me katër dhomat e katit. Tri prej tyre janë të mëdha, ndërsa njëra është më e vogël. E vogla ka shërbyer si qilar. Kjo dhomë i jep katit formën e një L-je  të shtrirë. Tri dhomat tjera lineare, njëra pas tjetrës radhazi, kanë shërbyer për fjetje. Secili prej vëllezërve ka fjetur në dhomën e tij. Bile edhe qilarin e kanë adaptuar për dhomë kur ishte martuar vëllai i katërt i Ismajl Rrustemit.

Dhoma e parë ka dy dritare, ndërsa tri tjerat kanë vetëm nga një dritare. Dy nga tri dhomat që janë në pozitë  lineare kanë gjiriz, ndërsa vetëm ajo e mesit nuk ka, por të tria kanë oxhaqe. Dyshemeja e tyre është bërë me dërrasa të trasha prej bungu, prandaj edhe sot janë të forta mjaft. Dhomat kanë dysheme më të ngritur sesa dyshemeja e ballkonit.

Muret ndarëse të dhomave, veç murit perimetral, janë bërë me qerpiçë dhe llaç balte, sikundër edhe suvaja që ishte me llaç balte, mbi të cilën është realizuar një gëlqerosje. Kjo shtëpi-kullë shfrytëzohet nga i zoti sidomos verës.

Kulmi  është katërujës, i mbuluar me qeramidhe.

You Might Also Like