OPINION

Si e shkatërroi politika Derbin e Gjilanit?

Shkruan: Blerian Dushica
Derbi i Gjilanit është një nga ndeshjet më të zjarrta – jo vetëm në Kosovë – por edhe më gjerë.
Është luajtur në Superligë, Ligën e Parë e po ashtu edhe në Kupën e Kosovës, por sa herë që këto dy skuadra janë vënë përballë njëra-tjetrës, spektakli nuk ka munguar – që nga shkallët e stadiumit e deri te fusha e lojës.
Një qytet i dashuruar në futboll, i ndarë në dysh sa herë vinin ditët e ndeshjeve. Ndaheshin shokët, ndaheshin edhe familjet. Ka raste konkrete, kur një vëlla ishte me Gjilanin, tjetri me Dritën. Atmosfera që niste që nga oborri i shtëpisë. Por, si gjithmonë, kur gjyqtari fishkëllonte tri herë, gjithçka kthehej në normale… deri në derbin tjetër.
Tifozëri të jashtëzakonshme, të dyjat. Pasuri për futbollin e Kosovës. Një javë para derbit, mobilizimi në qytetin e Gjilanit fillonte. Qyteti ndahej në ngjyrë të kuqe dhe të kaltër.
Përgatitjet për një ditë të madhe fillonin. Zëri i tifozëve dëgjohej ngado, disa duke kënduar për klubin e zemrës, e disa duke thumbuar kundërshtarin.
Ditën e ndeshjes, normalisht, qyteti bëhej më i zhurmshëm se kurdo herë. Në një anë të qytetit mblidhedhin “Skifterat”, në anën tjetër “Intelektualët”, mirëpo destinacioni ishte i njëjti, Stadiumi i Qytetit. Me t’u afruar kah stadiumi e ndjeje pasionin e dashurinë që vinte nga bërtimat e tifozëve. Kur hyje brenda, zhurma e tyre të shurdhonte, të bënte që trupi të dridhej dhe me apo pa qëllim të vinte të kërceje dhe të këndoje edhe ti. Drithëruese. Rrëqethëse. Është një nga ndjenjat më të mira që kam përjetuar në 22 vjet jetë.
Ndodhnin raste kur nuk mund të siguroje një biletë/vend në stadium, dhe si tifozët më – gjithmonë gjenin zgjidhje. Shikonin e këndonin nga jashtë. Disa nëpër shtëpitë afër, disa nga jashtë stadiumit, disa nga një objekt afër stadiumit (në foto), i cili dukej si një tribunë – i stërmbushur. Megjithatë, kjo ndjenjë, sot, fatkeqësisht pothuajse nuk ekziston.
Mundohemi, por është e vështirë. Nuk ka derbi me vetëm një tifozëri. Nuk ka derbi pa thumbimet që i bëhen njëri-tjetrit në stadium. Tash, ky derbi, me keqardhjen më të madhe, është shndërruar në një ndeshje të zakonshme.
Faji, siç thonë, në këtë rast, nuk është jetim.
Ekskluzivisht bie mbi politikën dhe politikanët. Pa përjashtim. E them, sepse janë këta që e kanë lënë një qytet me këso dashurie për futbollin, pa stadium. Një nga gjynahet më të mëdha që janë bërë ndaj këtij qyteti dhe qytetarëve të dashur të tij.
Tenderime, ritenderime, projekte, shkelje, punime me hapa të breshkës, ndalim punimesh… Për të gjitha janë fajtorë politikanët.
Duke nisur nga kryetari paraprak e tek aktuali – që tashmë mezi ka rinisur punimet – e deri tek ata ministra të sportit, duhet t’u vijë turp për humbjen e hijeshisë së këtij derbi. Duhet t’u vijë turp për tërë ato ndeshje që nuk janë luajtur në atë stadium, e disa madje janë detyruar të luhen në qytete tjera. Turp që na keni bërë të humbim sa e sa spektaklin, në një stadium që këto dy klube e meritojnë. Dy klube që e përfaqësonin Kosovën në Evropë. Me Dritën që tashmë edhe po luan në Ligën e Konferencës – por jo në shtëpinë e saj. Të gjithë, pa përjashtim, jeni fajtorë. E ato ndeshje të humbura e atë shkëlqim të humbur të këtij derbi, nuk ia falim kurrë.

You Might Also Like