Ismet ALIU
S’NA KA BRAKTISUR ËNDRRA
( cikël poetik )
KJA BIBLIKE NË FUND TË SHEKULLIT XX
Mbreti im Dioklician
Dheu kish Ethe, vapë jeta, qielli
Ikja biblike zvarritej me kuaj frike
Me rropulli nëpër këmbë
Mbreti im mos më akuzo…
Ma vodhën qumështin e luleve
Mitet,Qiellin, Hartën ma zhbënë
Nata e Shekujve Hije pati lëshuar
Mbreti im Dioklician
Pastaj
Mjegulla, Ujërat ranë
U ktheva. Në hi e gjak e eshtra ngrita Kullën…
Mbreti im Dioklician
Të gjallë e të vdekur s’na ka braktisur Ëndrra
T’i mbledhim Gjymtyrët te Vjedhësit e Dheut
Të bëhemi Trup i tërë
NJERIU I MIRË
Foli me vetëveten në pyll
Iu shua një Yll
Ani se mali s’kishte Sy
harroi që ka Veshë
Ra ai Vesh pylli
Atë natë iu dogj Fylli
Ai u ngjall në një legjendë
Anise Kënga i vdiq
E Gjahtari i marri
Në KurrëkundHiq
NË KUJTIM TË CUFËS
( me rastin e njëvjetori të shkuarjes në amshim )
Në ndërrim motesh
Pa e kryer dordalecin për nipër e mbesa
Ike…
Në kurthat e mallit, Mik
Na tradhtoi loti, lotPloti – O
E tash hakërrimë zjarri na ka malli
Cuf’ – O
Koha tjerri çaste ditë
E rrodhi, rrodhi….
Vera u poq në degë të kulumbrisë
Hapi qepallat syri i blertë i barit
Pastaj
Ikën dallëndyshet,
Sërish erdh Kalorësi i Bardhë
E Ti?
…
Ti burrë aq shumë na lë mallë..
FQINJI IM KRIMINEL
Kokën e kishte
Shpellë Dhelprash
Mendimin sall Dimër
Ku kultivonte
Trëndafila të Zez
E stina e Ëndrrës barbare
Qershitë s’t’i poqi kurrë
Gjaku i Hartës së prerë
Të zuri si ankth me vrerë
2.
Tek dhunoje gra,
Dëboje njerëz
T’i ra egoizmit Lia e Qenit
E t’u dogj Etja Mesjetare
Prijës dhe varrmihës…
Akademisë tënde t’i ra Morti
Në Moh harrimi
Fshehurazi të varrosi
Në fushën pa fund
Ku mrizonin Delet e Zeza
Ku turpi të fshihej në Mjegulla
FLAMURI
Frymëmarrja e tokës
Me të lashtat e gjakut tim
Koka
Dhe mendimi i lirë
Që përthekon Atdheun
Është F l a m u r
( 1987 )
1999*
Pa dhënë ferk
Qe thyer Dita në kurriz
Në atë asDritëasTerr
Na përgjonte frika
Na hante Syri i Habisë…
Na u rritën mjekrat
Grave u shteruan gjinjtë
Kot pritëm
Një jetë e më shumë
Mëngjesi nuk erdhi
Erdhën Ata
Fillimisht Zotit të Shtëpisë
ia nxorën sytë
Pastaj e kallën shtëpinë
Ç fat…
Ai nuk e pa Lonin
Kur e futen në tenxhere
___________
Kot më flisni… Nuk mund ta harroj…
DIMËR 1956/57
Motmot: Shekull
Sall një Stinë
Bërtimë
Zemra Gropë
Thellimë. Shpirti vrimë
2.
Gjak
Dëborë
Dhe Ulurimë…
O Zot
Një jetë njeriu
Vrimë Miu
Stinë prej Bore…
IM ZOT DHEU IM
Udhës udhësh im Zot Dheu im
Ti i vetëm në Udhë ecën
Shekullon Shekujve
Qiejt e Natës idiote
Lëshohen mbi Ty
Ti s’ke frikë nga Errësira
Por frikësohesh
Se Udhët mund të ikin
E të mbetesh pa Udhë
Udhës Udhësh im Zot Dheu im
______________________________
ISMET ALIU
u lind në vitin 1957 në fshatin Balaj, Ferizaj, është shkrimtar shqiptar.
Është prezentuar në panoramën poetike (antologji) “Rrjedh e lë gjurmë” (Bota e re,1984) të studentëve të Universitetit të Prishtinës,poashtu është prezentuar në librin “Katërmbëdhjetë autorë” 1986, libër i djegur me vendim të gjyqit. Autori për veprat e tija është shpërblyer shumëherë. Ndër shpërblimet më të çmuara është ai i SHSHK për tregim dhe ai i “Flakës së janarit”.
Gjatë viteve 93/94 ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i revistes “Zgjimi”. Ka në dorëshkrim disa vepra poezi e prozë.
Është prezentuar në /* FJALA POETIKE */ – Antologji e poezisë shqipe në Kosovë, bot. Balkan Free Press dhe Jalifat Publishing, 2013
Herë pas herë shkruan edhe esse, recensione e vështrime
VEPRAT LETRARE
“Rrathë në hapësirë”, “Rilindja”, Prishtinë,1987
“Babai i pasjellshëm”, “Rilindja”, Prishtinë,1989
“Vrasja e indiferencës”, “Rilindja”, Prishtinë,1990
“Ëndrra me krahë dylli”, “Buzuku”, Prishtinë,2007
“Në anën tjetër të pasqyrës”, “Ura”, Ferizaj,2010
“MURI I QELQTË mes mortit e jetës”,”Faik Konica”,Prishtinë, 2011