Viti

Sokol Haliti nominohet edhe për mandat të katërt për kryetar të Vitisë

Sot ishte një nga ato momente kur njeriu ndalet dhe pyet veten: “A kam bërë gjithçka që kam mundur për qytetin tim?” Unë këtë pyetje e bëj shpesh. Jo si politikan, por si bir i këtij vendi. Dhe përgjigjja është: Po, kam dhënë gjithë veten, por ende nuk mjafton. Sepse Vitia meriton më shumë. Sot, më është dhënë mundësia të jap edhe më shumë. Dhe ndjej të njëjtin nder dhe të njëjtën përulësi si herën e parë. Për herë të katërt, ju më dhatë një besim që nuk matet me poste apo tituj. Besim që na ka mbajtur bashkë, që na ka shtyrë përpara. E kemi dëshmuar se ndryshimi nuk është fjalë, por vepër, e kemi kthyer besimin në ura, shkolla, rrugë, projekte e shpresë. Vitia nuk pret më, ajo vepron. Zhvillohet, investon, rritet. Sot, Vitia është një model, dhe këtë nuk e them unë, e thonë punët tona. E thonë qytetarët që ndiejnë ndryshimin çdo ditë. Por kjo nuk është fundi i një rruge, është fillimi i një kapitulli të ri. Kjo nuk është vetëm kandidaturë. Ky është një betim: që asgjë nga e arritura nuk do të harrohet. Që asnjë vajzë e djalë në këtë komunë të mos ndihet më pak se fëmijët në qytetet më të zhvilluara të vendit. Kemi ditur të ruajmë vlerat tona dhe kemi pasur guximin të ëndërrojmë më shumë. Tani është koha për vizion, për hapin e radhës. Këtë rrugëtim nuk e bëj vetëm. E bëj me strukturat e jashtëzakonshme të LDK-së në Viti, me kryesinë, me forumet, me rininë tonë të palodhshme, me gratë e guximshme, me aktivistët që kanë ndarë nga vetja për këtë projekt, me mërgatën tonë që i jep frymë vendit, me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha, me qytetarët tanë që e mbajnë këtë vend gjallë çdo ditë. Me mësuesit, fermerët, prindërit, themelet e gjithçkaje që ndërtojmë. Fryma që LDK-ja I sjell Republikës sonë të shenjtë, është frymë e një Kosove që mendon qartë, vepron me maturi dhe synon lart. Ne në Viti jemi krenarë që jemi pjesë e kësaj rruge. Ne ndërtojmë politika të qëndrueshme, kompetencë e maturi, jo narrativa kalimtare. Sepse besimi fitohet përmes rezultateve të prekshëm. Ne nuk e kërkojmë pushtetin për të ushtruar forcë, por për të shërbyer. Dhe sot, me këtë frymë, e them me bindje: Ne nuk kërkojmë edhe një mandat për të qenë në pushtet. Kërkojmë edhe një mandat për të qenë në shërbim. Në shërbim të qytetit. Në shërbim të ëndrrave tuaja. Në shërbim të Vitisë që nuk ndalet dhe që nuk kthehet më asnjëherë mbrapa. Faleminderit për gjithçka që kemi ndërtuar bashkë! Dhe më shumë faleminderit për gjithçka që do të ndërtojmë tutje!

You Might Also Like