Shkruan: Sylejman Ismajli
Ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin, ka zgjuar kureshtjen dhe emocionin e miliona shqiptarëve kudo që gjenden.
Ky interesim i madh i futbolldashësve, e veçanërisht i popullit të Kosovës, nuk lidhet vetëm me rezultatin sportiv, por më tepër me kujtimet nostalgjike, ndjenjat patriotike dhe vështirësitë historike që kemi kaluar me shtetin serb.
Kjo ndeshje është pritur me dekada, e sidomos që nga data 1 tetor 2014, kur në stadiumin “JNA” në Beograd, gjatë ndeshjes u shfaq me dron flamuri autokton në mes të fushës, në një situatë të tensionuar në maksimum.
Stadiumi “Air Albania” sonte duhej të ishte i mbushur me tifozë nga Kosova dhe nga të gjitha trevat shqiptare, për t’i përkrahur me zemër kuq e zinjtë, për ta mbajtur në kujtesë këtë përballje të madhe sportive dhe historike. Një mundësi për të treguar se dimë çfarë është sporti dhe futbolli, dhe si të japim shembuj pozitivë për mbarë botën.
Por këtë festë të tifozëve e ka cunguar Federata Shqiptare e Futbollit. Më së shumti e kanë pësuar tifozët nga Kosova, të cilëve u është pamundësuar pjesëmarrja përmes reduktimit të biletave dhe kufizimeve të shumta në sjellje brenda stadiumit.
Kontrolli i sigurisë është tej mase i rreptë, përtej normave të një ngjarjeje sportive – stadiumi i ngjan më shumë burgut të famshëm “Alkatraz” sesa një fushe futbolli. Shikuesit po iu nënshtrohen rregullave ekstreme, sikur të ishin në frontin e luftës, jo në një ndeshje.
Kontrolli fizik i të gjithë tifozëve është i detyrueshëm dhe i imtësishëm, deri në detaje personale. Ndalohet përdorimi i banerave dhe flamujve që “mund të prishin imazhin” e ndeshjes. Tifozët nga Kosova nuk lejohen të mbajnë flamurin e shtetit të tyre, as të prekin rrethojat e stadiumit, madje as të kenë monedha metalike me vete. Nëse shfaqet, qoftë edhe rastësisht, ndonjë simbol i UÇK-së, pasojat mund të jenë të rënda. Imagjinoni sikur Mirlind Daku të shënojë dhe të zbulojë tatuazhin e heroit Agim Ramadani – çfarë do të ndodhte?
Organizatorët kanë paralajmëruar se çdo tifoz që mban flamur apo pankarta që “nxisin urrejtje” do të përballet me masa ligjore. Kjo dëshmon se kjo ndeshje është më shumë politike sesa sportive. Që nga hyrja, çdo shikues është nën vëzhgim nga kamerat, policia sekrete, forcat e rendit dhe siguria private – gjë që e bën “Air Albania”-n të duket si një “Alkatraz futbollistik”.
Populli dhe tifozët shqiptarë, e në veçanti ata nga Kosova, gjithmonë kanë ditur të jenë zëri i fuqishëm dhe civilizuar në tribuna, pa incidente. Por kësaj here, për fat të keq, do të ndihen si në teatër kukullash – e në rast të sjelljeve të padëshiruara, mund edhe të përballen me ndëshkime e arrestime.
Për çdo tifoz, e sidomos për ata nga Kosova, kjo ndeshje është më shumë se thjesht një përballje sportive. Është ndeshje emocioni, krenarie kombëtare. Por, pavarësisht gjithçkaje, populli shqiptar ka ditur gjithmonë të jetë i qetë, i edukuar dhe paqedashës. Le të jetë edhe sonte një shembull për të treguar se ne jemi një komb i emancipuar dhe se rruga jonë është paqja, me të gjithë popujt dhe botën e civilizuar.