Stadiumi i Qytetit në Gjilan do t’i ketë 8,750 ulëse, kurse projekti në këtë fazë nuk do të ndryshohet. Kështu është thënë këtë të premte në përurimin e vazhdimit të punimeve në Stadiumin e Qytetit, projekt ky i zvarritur tash e sa vite.
Në përurimin e punimeve ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani e ku ishte pjesëmarrës edhe Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit.
“Ky është një lajm të mirë për qytetin dhe për klubet sportive SC “Gjilani” dhe FC “Drita”, jemi për nisjen e punimeve në këtë projekt të rëndësishëm për Anamoravën. Stadiumi do të ketë kapacitet prej 8,750 ulësesh dhe do të përfundojë në fund të muajit maj të vitit 2027. Kostoja e përgjithshme e projektit kap shumën prej 12 milionë e 740 mijë euro. Pas dy viteve, në maj të vitit 2027, do ta kemi një stadium modern, të realizuar tërësisht”, u shpreh kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se ky projekt i shërben drejtpërdrejt komunitetit sportiv dhe se pengesat e mëhershme tashmë janë tejkaluar.
“Barrierat janë tejkaluar. Askush nuk mund ta ndalë më këtë projekt jetik për qytetin dhe sportin”, theksoi Hyseni.
Sipas zëvendësministres Daulina Osmani, ky investim është pjesë e planit pesëvjeçar të Qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës në të gjithë Kosovën. Ajo sqaroi se punimet do të realizohen brenda afatit dyvjeçar, nga operatori ekonomik që ka fituar tenderin.
“Të gjitha mundësitë për ndryshime brenda projektit do të diskutohen pas përfundimit të kësaj kontrate,” deklaroi Osmani.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti është ndalë në një takim me tifozët, punëtorët që po i kryejnë punimet, sikurse që i është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve, që kishin të bënin me dhe pers tadiumin. /kryelajmi.com/.