Unversiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, çdo ditë po dëshmon se ka staf të përkushtuar që punon me transparencë dhe korrektësi për studentët, por edhe për qytetarët që kanë nevojë për shërbimet e tyre.
Referentët administrativë Tringa Salihu, Kushtrim Demi, Burim Ademi dhe Rrezart Rexhepi po e kryejnë punën e tyre me përkushtim, duke ndihmuar studentët dhe qytetarët sa herë që u duhet ndonjë dokument apo shërbim.
Këtë e dëshmon edhe bashkatdhetari nga Gjilani, Xhevat Leka, i cili jeton prej 40 vitesh në Zvicër. Ai është shprehur shumë i kënaqur me shërbimin e marrë në Universitetin Publik “Kadri Zeka”. “Jam shumë i lumtur që kam hasur në një staf të tillë pune. Me ngrohtësinë dhe profesionalizmin e tyre, shërbimet që më ofruan ishin të një cilësie të lartë. Mua më duhej të siguroja disa dokumente nga fakulteti ku kisha studiuar shumë vite më parë, dhe isha skeptik se procesi do të zgjaste. Por falë këtyre punëtorëve të vyer e të edukuar, për vetëm 10 minuta u pajisa me të gjitha dokumentet e kërkuara. Për mua ishte një befasi shumë e këndshme. Jam i lumtur që edhe në Kosovë administrata po funksionon si duhet, duke mos i lënë qytetarët të humbin kohë. I përgëzoj sinqerisht punonjësit e Universitetit Publik ‘Kadri Zeka’ për profesionalizmin e treguar”, ka theksuar mërgimtari dhe humanisti i njohur, Xhevat Leka.
Ky vlerësim është një dëshmi se administrata e Universitetin Publik “Kadri Zeka” është duke u bërë shembull pozitiv se si duhet t’u ofrohen shërbime qytetarëve në Kosovë.