ARSIMI

Sukses i ri për Fakultetin Ekonomik – akreditohen dy profile të reja

Pas përfundimit me sukses të procesit të akreditimit,  Agjencia e Akreditimit të Kosovës ka marrë vendim që ta akreditoj Programin Menaxhim dhe Ndërmarrësi me dy profile: profili i parë – Menaxhim dhe Ndërmarrësi; profili i dytë – Menaxhim i Marketingut dhe Shitjes. Sipas vendimit të AKA  me nr ref. 1566/20 të datës 11.09.2020, programi është akredituar për një periudhe trevjeçare, 1 tetor 2020 – 30 shtator 2023.

Dekani i Fakultetit  Ekonomik, Prof.Ass.Dr. Xhevat Sopi, këtë vendim e ka vlerësuar si një sukses të një punë të përbashkët ku janë përfshirë stafi akademik i Fakultetit Ekonomik, Zyra për Zhvillim Akademik, partnerët nga industria me Bordin Industrial të UKZ-së, studentët aktual dhe ata alumni me mbështetje nga menaxhmenti i UKZ në krye me Rektorin, Prof.Asoc.Dr. Bajrma Kosumi.

Sipas Dekanit Sopi, regjistrimi në vitin e parë në këtë program do të fillojë menjëherë këtë vit akademik, ku konkursi për pranimin e studentëve do të shpallet së shpejti. Gjithsej do të pranohen 100 studentë, ku dy vitet e parë të këtij programi janë të përbashkëta kurse ndarja sipas profileve do të bëhet në vitin e tretë. Studentët duhet të deklarojnë preferencat e tyre kur të regjistrohen në vitin e parë ndërsa ndarja finale sipas profileve bëhet në vitin e dytë.

Dekani, Prof.Ass.Dr. Xhevat Sopi, duke mos fshehur gëzimin për këtë sukses,  thotë se ky është një hap i parë në planin e reformimit të Fakultetit Ekonomik me programe të reja të cilat janë në harmoni me kërkesat e tregut të punës. Ai tregon se për shkak të pandemisë Covid 19, në proces ka mbetur edhe akreditimit i programit Menaxhim dhe Ndërmarrësi në nivelin master me dy profile: profili i parë – Menaxhim dhe Ndërmarrësi; profili i dytë – Menaxhimi Financiar.

Krahas Programi Menaxhim dhe Ndërmarrësi të sapo-akredituar,  në Fakultetin Ekonomik edhe këtë vit akademik do të pranohen studentë për Programin Banka, Financa dhe Kontabilitet. Për detajet së shpejti do të njoftoheni në konkursin për pranimin e studentëve të rinj në UKZ.

You Might Also Like