OPINION

Të dhëna për Gjilanin dhe themelimi i tij si qendër urbane

aliriza Shkruan: Mr. sc. Aliriza Selmani,

Të dhënat e para për Gjilanin janë nga shek. XIV, në aktdhurimet mesjetare kishtare serbe, në të cilat krahas shumë fshatrat të Famullisë Morava përmendet edhe fshati Gilani (Gjilani). Pas rënies së Kosovës nën sundimin osman më 1455, në defterin (regjistrin) e parë të Vilajetit Vëllk (Vushtrrisë) të këtij viti, Gjilani përmendet si fshat i Nahijes Topollnica me 41 shtëpi, i cili i takonte këtij Vilajeti. Pas një shekulli sipas defterit po të Sanxhakut të Vushtrrisë për vitin 1569/70 (977H), Gjilani vazhdon të ishte fshat i Nahijës Petollnica, që së bashku me disa nahije të tjera hynte në kuadër të Kadillëkut të Novobërdës. Në këtë kohë Gjilani kishte 38 shtëpi “Hane” (kryefamiljari mashkull), 12 shtëpi “Muxherred” (kryef. Femër- vejushë) dhe 19 shtëpi muslim, që do të thotë se në këtë kohë Gjilani kishte gjithsej 69 shtëpi nga të cilat 50 shtëpi krishtere dhe 19 shtëpi myslimane. Të dhënat dokumentare dëshmojnë së në shek.XVI, krahas qyteteve, procesi i islamizimit të popullsisë shqiptare, kishte filluar edhe në disa fshatra të kësaj ane. Më vonë nga të dhënat për vitin 1671, Gjilanin e hasim si fshat të Dioçezës katolike të Shkupit, në të cilin thuhet se ishin 20 katolikw (Shqiptarw). Duhet cekur se fshati mesjetar Gilan, ndodhej rreth 1500 metra në veri perëndim të vendbanimit të ri të qytetit të Gjilanit, të themeluar nga Gjinollët.

Gjilani si qendër urbane është relativisht i ri dhe sipas disa të dhënave përmendet nga gjysma e dytë e shek. XVIII, kur në atë kohë familja feudale shqiptare Gjinollët, filluan ta bëjnë qendër të Nahijes Morava, duke i dhënë statusin e Mydyrllëkut, gjw që lidhet me fillimin e shuarjes së jetës në Novobërdw. Si vend për vendbanim të ri zgjodhën një vend të përshtatshëm në kryqëzimin e rrugëve Prishtinë-Vranjë, Novobërdw-Kumanovë dhe për Shkup nëpër Karadak, rreth 1.5 km. në jug-lindje të vendbanimit të përparshëm- fshatit Gilan, ku themeluan konaqet, sarajin, kullën për mbrojtje dhe më vonë objekte tjera. Udhëpërshkruesi Todor P. Stankoviq, konsull serb në Prishtinë, i cili më 1897, ishte në Gjilan, thotë se Gjilanin e themeloi Bahti Be Gjinolli rreth vitit 1750, për të cilin thotë se i pari e kishte ngritur sarajin, në të cilin kishin punuar 300 punëtorë, për të cilin thotë se tani nuk ekziston Edhe Ivan Ivaniq, nëpunës i konsullatës serbe në Prishtinë (fundi i shek. XIX), thotë se Gjilani është themeluar para 160 viteve. Të dhënat e udhëpërshkruesve të fillimit të shek. XIX, të cilët vizituan Gjilanin, flasin për një kasaba apo qytezë, kështu baroni Bozhur thotë se Gjilani është një qytezë me disa grupe shtëpishë, Anri Pukvil i cili më 1807, kalon neper Gjilan, për të cilin thotë se ka 2-300 shtëpi, kurs Ami Bue më 1830, ishte në Gjilan dhe thotë se ka 1500-2000 banorë. Edhe nga të dhënat dokumentare të vitit 1822, shihet se Gjilani akoma ishte qytezë e  Kadillëkut të Novobërdës. Konsulli Austriak në Shkodër Han më 1858 vizitoi Gjilanin për të cilin thotë është qytet i bukur, kurse si qendër administrative është themeluar më 1818. Te ky udhëpërshkrues kishte lënë përshtypje lagjja e Qarshisë apo qendra zejtare e tregtare, me rrugët e gjëra e të drejta, e cila nga gjysma e shek. XIX, po zgjerohej rreth Xhamisë së qendrës (Xhamia e vjetër A.S). Këto të dhëna e të tjera tregojnë se deri në fillim të shek. XIX, Gjilani ishte në kuadër të Kadillëkut të Novobërdës dhe se është dashur të kalonte edhe një kohë për tu bartur i tërë pushteti në këtë qendër të re  administrative, ushtarake, fetare etj. Në favor të kësaj flasin tapitë e lëshuara nga Kadillëku i Novobërdës, në vitet 70-ta të shek. XVIII. Kështu në njërën prej tyre thuhet se Ahmet Aga i Novobërdës më 1772 (1186) H, ia kishte shitur pronat e veta  çifligare disa çifqijëve shqiptarë të fshatit Bukovik. Në këtë kohë detyrën e kadiut e ushtronte  Ibrahim Hasani.

Me fillimin  reformave të “Tanzimatit” (1839), që synonin forcimin e pushtetit qendror, Gjilani si mydyrllëk i Nahijes Morava, së bashku me Prishtinën, Vushtrrinë, Pejën e Gjakovën hynte në kuadër të Sanxhakut të Prizrenit. Sipas konsullit Austriak Major në Shkodër (më 1858), tregtia e këtyre qyteteve ishte e lidhur përmes Prizrenit me Shkodrën. Kjo kishte zgjatur deri me ndërtimin e hekurudhës Mitrovicë-Shkup-Selanik më 1873/4, kur tregtia e Kazasë së Gjilanit ishte e orientuar në këtë drejtim Gjilani si mydyrllëk i Nahijes Morava mbetet deri te reformat administrative osmane më 1867, kur në vend të elajeteve formohen Vilajetet si njësi administrative dhe u bë njëherit riorganizimi i njësive më të vogla administrative sanxhaqeve, kazave etj). Nga kjo kohë  Gjilani me rrethinë mori formën definitive të Kazasë (Rrethit) dhe hyn ë në kuadër të Sanxhakut të Prizrenit, nën të cilin mbeti deri me formimin e Vilajetit të Kosovës më 1 shkurt 1877, me qendër në Prishtinë deri më 1888, dhe pastaj me qendër në Shkup deri në përfundim të sundimit osman më 1912. Gjatë kësaj kohë Rrethi i Gjilanit hynte në kuadër të Sanxhakut të Prishtinës dhe kapte një territor mjaft të gjerë të komunave të tanishme Gjilan, Viti, Dardani si dhe disa territore të komunave të tjera për rreth, në kuadër të cilit kishte 227 fshatra. Në këtë kohë Gjilani pësoi ndryshime të mëdha, në rritjen e numrit të banorëve me migrimin e popullsisë, zejtarë, tregtare bujq nga fshatrat dhe qytetet e rrethinës, dhe kështu ngadalë fillon të zhvillohet si qendër administrativ, ekonomike, ushtarake, kulturore, fetare etj. Filluan të ngriten objektet për nevojat familjare të bejlerëve, të administratë, ushtarake, dyqane zejtare, tregtare etj. Po ashtu nga kjo kohe e ndoshta edhe më herët ka filluar të ngriten edhe objekte fetare islame. Nga gjysma e e dytë e shek. XIX Gjilani u bë qendër e Kazasë e një rrethi të gjerë administrativ, ushtarak, zejtarë e tregtarë, me një numër objektesh të kulturës islame, me vlera arkitektonike, arsimore, edukative të karakterit profan e fetarë duke marrë tipare të një qyteti orjentalo-islamik. Lagjet më të vjetra ishin: Mëhalla e Bejlerëve dhe Çifllëk Mëhalla, mes të cilave ishte një zbrazëti prej disa qindra metra. Me ardhjen e banorëve të rijë u themeluan lagje të reja siç janë Atik Xhami Mëhalla, Mëhalla e Varoshit, Mëhalla e Romëve muslimanw, Ba]qevina Mëhalla e Poshtme e Re (Dere Mëhalla), ndërsa më vonë mëhalla e Balecit, mëhalla e Muhaxherëve dhe lagje të tjera. Mes këtyre lagjeve apo grupe shtëpisë kishte zbgaztira e sidomos atyre në të majtë dhe në të djathtë të lumit Mirusha (Dobrusha). Kjo do të zgjatë deri pas vitit 1830, pas zjarrit që e kishte përfshirë Gjilanin dhe pas kësaj kohe kemi një popullim dhe zhvillim më të shpejtë të Gjilanit, vjen deri te bashkimi i lagjeve.

Karakteristikat dhe tipet kryesore të qytetit oriental janë, dendësia e shtëpive, çarshia pa banesa, dyqane të vogla të dendura, me qepena (kanate), sahat kullën, shatërvanë, sokaqe të ngushta të shtruara me kalldrëm, xhamitë, shatërvani, hamamet, teket dhe tyrbet, çezmat krojet publike, shtëpi dykatëshe të bejlerëve, shtëpi përdhese- “dollma” e të tjera  të rrethuara me mure të larta, me kopshte të bukura etj. Sa i përket të dhënave statistikore për numrin e tërësishëm të banorëve dhe të përkatësisë fetare në Kazanë e Gjilanit, kemi të dhënat osmane, gjermane serbe e bullgare të fundit të shek. XIX, në bazë të cilave shihet se tërë Rrethi i Gjilanit kishte 58.000 banorë, prej të cilëve 37.000 ishin shqiptarë mysliman, apo 65,57 % e popullsisë dhe 1616 shqiptarë katolik Ndërkaq sa i përket Gjilanit, në bazë të Sallnameve (Vjetarëve) të Vilajetit të Kosovës, për vitin 1873/4, Gjilani kishte 527 shtëpi, afër 3.000 banorë, ndërsa në atë për vitin 1897/98, (1314H), dhe 1900-1, Gjilani kishte 1.000 shtëpi, apo rreth 5-6.000 banorë, prej të cilëve shumica ishin shqiptarë mysliman dhe të tjerët serb, rom e të tjerë, të shpërndarë në shumë lagje (mëhallë). Sipas disa të dhënave deri në fund të sundimit osman Gjilani kishte  rreth 10.000 banorë, prej të cilëve sipas autorit M. Saviq, 3.300 ishin serb ndërsa të tjerët shqiptarë e të. Pas kësaj kohe, pas tërheqjes së pushtetit osman nga këto vise numri i popullsisë shqiptare të Gjilanit dhe rrethinës filloi të binte, si pasojë e shpërnguljes në Turqi e vende tjera. Kështu nëse e marrim regjistrimin Jugosllav të vitit 1921, shohim se Gjilani kishte rënë në 6.727 banorë. Kjo rënie kishte vazhduar edhe më vonë, kështu në periudhën 50 vjeçare (1912-1961), Gjilani kishte arritur në 12.681 banorë, apo një shtim prej vetëm 2.681 vetë, gjë që nuk ishte në përputhje me shtimin natyror të popullsisë.

 

You Might Also Like