Futboll

Të dielën luhet derbi i shtatëdhjetë në mes të Gjilanit dhe Dritës

Këtë të diele, me fillim në orën 13 në Stadiumin me bari sintetik do të zhvillohet derbi i shtatëdhjetë me radhë në mes të Gjilanit dhe Dritës.

Këto të dhëna janë nxjerrë nga libri monografik “Drita – Gjilani 1995 – 2025), i autorit Enver Sadiku në të cilin janë paraqitur të gjitha ndeshjet kampionale, për Kupën e Kosovës, në turne të ndryshëm dhe një ndeshje miqësore e zhvilluar.

Kësaj radhe derbi do të zhvillohet kur të dy ekipet gjilanase kanë synime të qarta. SC Gjilani që është i treti e kërkon daljen në Evropë, ndërkohë që Drita që gjendet në pozitën e dytë me pikë të barabarta me të parin – Ballkanin, por luftojnë për titullin kampion.

E metë e këtij derbi edhe kësaj radhe do të jetë pamundësia e përcjelljes nga një numër i madh i shikuesve, ngase Stadiumi me bar sintetik nuk i plotëson kushtet për një gjë të tillë.

Kësaj radhe është shumë e vështirë të parashikohet fituesi, ngase të dy ekipet janë në një formë shumë të mirë, por që në këtë kampionat nganjëherë kanë ditur edhe të zhgënjejnë në momentet më vendimtare edhe atë me ekipe që janë më poshtë të rendituara në tabelë.

Një gjë dihet, derbi Gjilani – Drita kësaj radhe pritet të jetë shumë i paqartë deri në fund aq më tepër që për të dy ekipet pikët janë shumë të nevojshme. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like