Te Drita deklarohen para duelit ndaj Shkëndijës: Jemi të motivuar dhe të gatshëm për fitore
Drita do të luajë nesër (e enjte) ndaj Shkëndijës së Tetovës në kuadër të Ligës së Konferencës.
Në atë që po përshkruhet si një ditë festive për shqiptarët, para duelit në konferencë për media nga klubi gjilanas kanë dalë trajneri Zekirija Ramadani dhe Rron Broja.
Ramadani ndeshjen ndaj Shkëndijës e cilësoi si me të vështirën që ekipi i tij ka pasur deri më tani në arenën ndërkombëtare, teksa shtoi se ata tashmë kanë bërë përgatitjet e duhura dhe janë tejet të motivuar.
“Kemi presion. Jemi para tifozëve tonë. Është ndeshja më e vështirë që e kemi pasur në arenën ndërkombëtare. Patjetër që besoj te ekipi, është mirë që është rikthyer i gjithi, përveç Mesas. Do të mungojë edhe një kohë të gjatë”.
“Kam një bindje që secili futbollist që e merr formacionin dhe mundësinë për të luajtur do ta jap atomin e fundit për ta arritur synimin. Vijmë nga një fitore në Dublin, atje ku shkuam me shumë mungesa, pa katër sulmues. Morëm rezultat pozitiv, por do të jetë më vështirë se në Dublin”.
“Kam besimin tek ekipi im duke u bazuar te stërvitjet që kemi bërë. E kemi bërë analizën, i kemi shpërndarë gjitha informatat, ekipi nesër do të jetë super i motivuar”, ka thënë Ramadani.
Në anën tjetër Broja shtoi se skuadra e njeh mjaft mirë Shkëndijën dhe lojtarët e tyre.
“E njohim shumë mirë Shkëndijën, kanë lojtarë cilësorë. Por edhe ne kemi kualitet dhe nesër do të luftojmë për një fitore historike”, ka deklaruar Broja.




