Libri

Tregimi që fitoi Çmimin e parë në konkursin anonim letrar, “Flaka e Janarit”

Tregimi që fitoi Çmimin e parë në konkursin anonim letrar, “Flaka e Janarit”, 2022
Rozafë SHPUZA
DRITËHIJET E PRISHTINËS
Ndoshta trekandëshi i dritës krijuem mes atyne kambëve të gjata, t’nguluna si kompas imagjinar në trotuarin e shpuem përçudshëm prej hunjsh, ku valëviten teneqe me emna rrugësh, që duken sikur janë aty veç me m’diftue se ky kryeqytet ka me m’tundue pashmangmënisht me arkitekturën e tij kryeneçe, m’ban me hapëzue përhanshëm mbas tij. Hija, e ndërkallun tërthoras me trekandshin e dritës, derdhet mbi mue. Ndihem pezull, marrisht e joshun nga ky kryeqytet pa lum. Kam lexue dhe kam pa shumë kronika të luftës, kësisoj imagjinata m’ka servirë nji pamje disi ndryshe të këtij vendi, që saora vorbullohet prej tufa të shkujdesuna korbash.
Arsyeja e ardhjen teme asht nji seminar për të zhdukunit, por mjegulla që ka shtriqë pushtetin e saj ndër kryqëzimet dhe rrugicat mes pallateve e ban edhe ma misterioze arsyen e vizitës teme të parë në këtë vend, ku, anipse kalohet nji kufi, flitet e njajta gjuhë, valvitet i njajti flamur, kafja pihet ngeshëm, njajtë, krejt njajtë me vendin prej nga vi unë, pos burrave që më duken tepër të gjatë, anipse statujat e heronjve tregojnë përçudnisht të kundërtën.
Vazhdoj me ndjekë burrit që më shoqnon. Semaforët bri udhëkryqesh, pulsojnë kode ndjellëse, por hapat e mi ndalen simbas tekave të hapavë të tij. Kam veshë nji palë këpucë kamoshi bojqielli, që herë-herë marrin trajtën e reve kur ngasin me u ba nji me shtrëngatën. Vazhdoj me ndjekë trekandëshin e dritës, pa as ma të voglen mëdyshje. Tashma, mundem me skicue përsosmënisht shpatullat e tij të drejta dhe kofshët paksa të hapuna nalt, çka krijon atë trekandësh drite, që më ka përmbytë ndjesish.
Nuk di sa eca, ose, ma mirë me thanë, s’di sa kohë e ndoqa atë burrë. Njifarsoj kohe hapat ndaluen. Trekandëshi i dritës u zhba, prejse burri u kthye me m’thanë diçka. Buzët e tij belbën, por prej zhurmës së trafikut nuk arrita me ndigjue asnji fjalë. Hapat e mi duhet të jenë sa gjysma e të tijëve, ndaj më asht dashtë me vrapue për me e arritë dhe kjo asht arsyeja pse fyti më asht tha dhe s’jam e zonja me artikulue asnji fjalë. Si duket, ai e mori heshtjen teme për pohim dhe vazhdoi rrugën. Edhe unë e ndoqa tue ba përpjekje mos i ndenjë përbri, por mbrapa. Druhem mos ma pikasë shpërqendrimin që, njifarsoji, duhej të më jetë reflektue ndër retina, ndaj kam ulë sytë kah hapësina e dritës e krijueme mes këmbëve të tij të gjata dhe eci përhanshëm.
Ngrehina ku kena hy ka nji pullaz të tejpashëm e lojnat e dritës më ngrejnë pusi mirazhesh. Siluetat e njerëzve që gjinden në atë ngrehinë të pazakontë më duken surreale… Tashepar’ preki me gishta flokët, prejse frikohem mos jam ba hije. Korridoret e ngrehinës zhurmojnë dhe më duket se askush nuk e venë re praninë teme. Burri që ndoqa asht zhdukë diku mes turmës. Baj nji hap dhe ndalem e prore preki flokët, si me dashtë me shkarkue ndër to ndjesitë që s’jam e zonja me i ba zapt. Ndjej se pëllambët më janë qullun. Kërkoj me ankth trekandëshin, farin tem, por pullazi i tejpashëm i mrrolë hijet dhe i shumon mirazhet.
Jam nji e huej në kët kryeqytet pa lum që më cytë me klithma korbash. Korridoret e ngrehinës kapërthehen ndërvedi e unë kam hupë shtegun… Si në jerm ndjej se dikush më thërret, por përhumbja jeme asht e pacak, ndaj nuk e kuptoj prejkah vjen zani. Bash kur bluja e syve m’bahet e ujshme, dikush më tërhekë prej nji kanati paksa të hapun.
Terri i sallës ku gjendem saora ma hupë krejt ekuilibrin, por prania e frymarrjes së njerëzve të tjerë më qeton sadopak. Dy krahë më kanë rrokë, por nuk baj asnji përpjekje me u lirue prej kësaj dane mishit. Asht nji mikja jeme që më ka shque n’atë terrinë e më fton me u ulë pranë saj. Gjaja e vetme që më shkon ndërmend asht me prekë me gishta flokët, prejse i tutem honit mes andrrës e zhgjandrrës, por ndjehem e pafuqishme, si ai udhëtari i largët ngurosun prej shtojzovallesh. Ndjej se të zhdukunit janë të pranishëm në atë sallë, prejse nga ekrani gjigant pulsojnë dritëhijet e nji filmi bardhezi me dëshmi të luftës. Tana mediat e botës lajmëruen se ky vend përjetoi shumë dhimbje, por sot po shfaqen, përmes këtij ekrani hermetik, dëshmi rrëqethëse të parrëfyeme ma parë.
Herë-herë heshtjen e sallës e prishin ofshamat. Hapësina mes të pranishëmve dhe të zhdukunve sa vjen e bahet ma e ngushtë. Asgja s’bëzan, as korbat që s’dijnë me pra’, as njerëzit në korridoret e ngushta të ngrehinës me pullaz të tejpashëm, as tejat ndër raftet me libra të njeshun ndër muret e sallës…
Mes dritëhijesh, në ekran shfaqet trekëndëshi i dritës që buron prej nji palë kambëve të gjata dhe unë nuk jam ma e sigurt nëse udhërrëfyesi jem ishte real…
___________
Kodi: Janari

You Might Also Like