OPINION

TRURI ZHVILLOHET NË LËVIZJE DHE JO NË HESHTJE

Shkruan: Dr. sc. Mimoza Shkodra – Bislimi
Që në momentin e lindjes, kontakti i parë që fëmija krijon me botën nuk është përmes fjalëve, por përmes lëvizjes. Levizjet spontane, reagimet instinktive, shtrirja e duarve, tërheqja e këmbëve janë mënyrat e para se si foshnja komunikon dhe ndërvepron me realitetin përreth.
Lëvizja është gjuha e parë e trurit. Ajo aktivizon sistemet nervore, ndihmon në krijimin e lidhjeve të para neurale dhe vendos themelet për zhvillimin motorik, emocional dhe kognitiv.
Siç e theksojnë studiuesit (Gabbard, 2018),
zhvillimi motor është i ndërlidhur ngusht me zhvillimin e trurit dhe të të nxënit. Prandaj, kur fëmijët janë aktivë fizikisht që nga fëmijëria e hershme, ata jo vetëm që rriten më të shëndetshëm fizikisht, por edhe më të aftë në përqendrim, mësim dhe zgjidhje problemesh.
Lëvizja motorike nuk është luks – është nevojë bazike për zhvillim të plotë. Dhe roli i prindërve, mësuesve dhe institucioneve është që të krijojnë mundësi që kjo lëvizje të ndodhë çdo ditë, në mënyrë të sigurt, të lirë dhe të strukturuar.
Truri i fëmijës është si një laborator në ndërtim , çdo përvojë, emocion dhe lëvizje kontribuon në strukturimin e tij. Në vitet e hershme, zhvillimi i trurit ndodh me shpejtësi marramendëse. Pikërisht në këtë fazë formohen bazat për të menduarit, të nxënit, ndjenjat dhe sjelljen.
Një tru i shëndetshëm është bazë për një fëmijë të lumtur, të aftë për të mësuar dhe për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme. Por, për ta ruajtur këtë shëndet, nuk mjafton vetëm ushqimi apo edukimi formal – nevojitet edhe lëvizje e rregullt dhe aktivitet fizik.
Si ndikon aktiviteti fizik në trurin e fëmijëve?
– Rrit rrjedhjen e gjakut në tru, duke furnizuar me më shumë oksigjen dhe lëndë ushqyese.
– Stimulon prodhimin e neurotrasmetuesve si dopamina, serotonina dhe endorfina, të cilët rrisin përqendrimin, humorin dhe energjinë.
Në kohën që jetojmë tani, bëhet thelbësore të rikujtojmë fuqinë transformuese të aktivitetit fizik në zhvillimin e trurit te fëmijët. Trupi kur lëviz nuk zhvillohet vetëm trupi por edhe TRURI – dhe ky nuk është vetëm një slogan, por një fakt i mbështetur nga dhjetëra studime shkencore.
Shkenca moderne e neuropsikologjisë ka vërtetuar se aktiviteti fizik ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin strukturor dhe funksional të trurit. Sipas një studimi të publikuar në “ JAMA Network Open” ( 2023), fëmijët që ushtrojnë rregullisht tregojnë rritje të volumit të hipokampusit – pjesa e trurit që kontrollon kujtesën dhe të mësuarit – dhe përmirësim të ndjeshëm të funksioneve ekzekutive.
Ndërkohë, një analizë tjetër e vitit 2024 në “ Neuroscience Research Reviews” konfirmon se aktiviteti fizik stimulon sekretimin e proteinës BDNF (Brain-Derived Neurotrophic Factor), e cila ndihmon në rritjen e neuroneve dhe përmirësimin e lidhjeve nervore. Kjo ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e kujtesës, përqendrimit dhe kreativitetit te fëmijët.
Për fat të keq, shumë shkolla në vendet tona e kanë anashkaluar orën e Edukatës Fizike, duke u fokusuar në rezultatet akademike. Por ky është një paradoks. Studiuesit nga Universiteti i Illinois (2022) theksojnë se fëmijët që janë më aktivë fizikisht në shkollë arrijnë rezultate më të larta në matematikë dhe lexim, krahasuar me ata që kalojnë gjithë ditën ulur.
Aktiviteti fizik përmirëson rrjedhjen e gjakut në tru, ul stresin dhe ndihmon në rregullimin e emocioneve ku të gjitha këto janë kushte të nevojshme për të mësuarit.
Familjet duhet të inkurajojnë aktivitetin ditor të fëmijëve përmes lojës në natyrë, sportit ose ecjeve familjare. Është shumë më e dobishme për një fëmijë të luajë 1 orë në oborr sesa të kalojë atë kohë para një tableti.
Mësuesit dhe edukatorët mund të përfshijnë elementë të lëvizjes edhe gjatë mësimeve në klasë – përmes metodave interaktive dhe aktiviteteve që kërkojnë bashkëpunim fizik.
Institucionet shtetërore dhe shkollat duhet ta shohin edukimin fizik si komponent të barabartë me lëndët tjera dhe të investojnë në infrastrukturën sportive, në trajnimin e mësuesve të edukatës fizike dhe në zhvillimin e politikave të integruara shëndetësore dhe edukative.
Truri i një fëmije nuk rritet vetëm nëpër libra, por edhe nëpër fusha sportive, lojëra në natyrë dhe sfida fizike.
Le të fillojmë me hapa të vegjël: një lojë më shumë në park, një orë edukate fizike më shumë në shkollë, një prind më shumë që luan me fëmijën e vet. Sepse truri i një fëmije është një tokë e gjelbër që lulëzon vetëm nëse lëviz.

You Might Also Like