Mbledhja e tretë e Komitetit për Politikë e Financa, është mbajtur sot, në të cilën janë shqyrtuar dhe miratuar pikat e parapara për këtë mbledhje, e të cilat do të procedohen në seancën e Kuvendit komunal.
Fillimisht kryesuesi i Kuvendit Naim Pira ka njoftuar rreth ligjërisë së vendimeve të marra në Kuvend, që janë kthyer nga Zyra ligjore e MAPL-së. Kurse në pjesën e parë të diskutimeve rreth pyetjeve dhe propozimeve të anëtarëve të KPF-së, Jakup Demiri nga VV ka paraqitur kërkesën e këtij subjekti që të shqyrtohet mundësia për debat në Kuvend, rreth propozim vendimit që kompanisë “KEDS”, ti ndalohet vendosja e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike, në maje të shtyllave elektrike, në hapësirat publike të komunës së Vitisë.
Këtë propozim vendim, ata e arsyetuan duke e konsideruar si shkelje e të drejtave elementare të njeriut, siç është transparenca në qasje të shpenzimeve elektrike të njehsorëve elektrik. Rreth këtij propozimi të këshilltarit të VV-së, zv kryetari i komunës Hasan Aliu, tha se do të merret menjëherë pas takimit dhe do të zhvilloj një takim me përgjegjësit e KEDS-it, për tu njoftuar me këtë çështje. Kjo pikë, nuk u procedua në Kuvend pa u informuar më detaisht rreth vendimit që ka marr KEDS-i.
Në këtë seancë të KPF-së, u miratua propozim vendimi për bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake të vitit 2018 në vitin 2019, gjithashtu u miratua edhe propozim vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 70.000 € për pagesën e obligimit të fshatrave Goshicë dhe Gërmovë për projektin e ujësjellësit dhe kanalizimit.
Po ashtu u miratuan edhe propozim vendimi për këmbimin e pronës se paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme në pronësi të pronarit Azem Bislimi (Rrustem), propozim vendimi për dhënien ne shfrytëzim pronën e paluajtshme e Komunës së Vitisë në shfrytëzim afatshkurtër për ndërtimin e Shtëpisë së pleqve në zonën kadastrale në Letnicë, u miratua plani i punës së komitetit konsultativ për persona me aftësi të kufizuar për vitin 2019, propozim vendimi për shqyrtimin dhe miratimin e planit të punës së komitetit konsultativ për pjesëmarrjen e qytetarëve ne vendimmarrje për vitin 201, si dhe propozim vendimi për shqyrtimin dhe miratimin e planit të punës të komitetit për komunitete për vitin 2019.
Edhe pse nuk ishin në rend dite për këtë mbledhje të KPF-së, si pika të reja për seancën e ardhshme të Kuvendit, hyjnë edhe propozim vendimi për shkarkimin e Gazmend Hasani nga detyra e anëtarit të komitetit për persona me aftësi të kufizuara, si dhe një Informatë rreth ndërtimit të shkollës fillore “Halil Alidema” në Pozharan.
Aziz Zuka