Gjilan

U mbajt mbledhje përkujtimore për profesorin Nexhat Rexha

Në Gjimnazin Shoqëror ‘’Zenel Hajdini” është mbajtur mbledhje përkujtimore për profesorin e gjeografisë Nexhat Rexha, i cili ka ndërruar jetë ditën e djeshme në Gjilan.

Profesori Nexhat Rexha mbi katër dekada kishte punuar në arsim e puna e tij është çmuar lart nga kolegët dhe udhëheqës arsimorë.

Jeton Rexhepi, drejtor në Gjimnazin Shoqëror ‘’Zenel Hajdini”, tha se me pikëllim të thellë sot ndahemi fizikisht nga profesor Nexhat Rexha, profesori ynë, miku e kolegu ynë; njeriu i përkushtuar për edukimin e arsimimin; njeriu i drejtë e kryengritës; burri i jashtëzakonshëm që gjithmonë reflektonte dijen, urtësinë në komunikim, maturinë e kryengritjen kur kërkogej; burri e profesori që gjithmonë ngjasonte me trashëgiminë më të mirë të shqiptarëve dhe na e sillte atë si vazhdimësi të qenies tonë.

“Profesor Nexhat Rexha ishte profesor për të gjithë ne me njohuritë e këshillat, me qëndrimin e vendosur dhe modelin që ofronte si njeri e edukator. Na e impononte autoritetin e tij sepse i tillë ishte gjithë jetën, dhe gjithë ne shihnim modelin si duhej të ishim”, tha drejtori Jeton Rexhepi që shtoi se në këtë moment ndarjeje fizike, ta mundim dhembjen, duke qenë falënderues që e patëm në mesin tonë; që na priu para e që e kishim pas; që e kishim në anën e djathtë e në anën e majtë; që na mbushte me qenien e tij kudo pranë nesh. Trashëgimia e profesorit Nexhat mbetet e pavdekshme, prandaj ndarja fizike sot, nuk duhet të na thej. Ju si familjarë e ne si miq duhet vazhduar të ecim në rrugën që na e ka mësuar; bashkë me profesorin tonë, bashkë me më të mirën që e ka mbjell në ne! I përjetshëm qoftë kujtimi për profesor Nexhat Rexhën! Përkulje e nderim punës së jashtëzakonshēm; të pikëlluar me ndarjen e krenarë që e njohëm, që e patëm, që do ta kemi.

Shpend Nuhiu, drejtor i Arsimit në Gjilan ka theksuar se po i jepet lamtumira profesorit shumë të dashur Nexhat Rexha, i cili mbi 40 vite ia kushtoi edukimit dhe dijes. Nuhiu tha se profesori Rexha e deshi profesionin me pasion, ai la gjurmë të pashlyeshme dhe ishte model i edukatës, andaj kujtimi për të do të mbetet i gjallë dhe i pashlyeshëm.

Ismajl Kurteshi, ish-drejtor i Arsimit në Gjilan, tha se është shumë e vështirë të flasësh për profesorin Nexhat rexha, një profesor e pedagog i mirë. Ai ishte shembull se si duhet punuar me nxënës e ai do të mbetet në mendjet tona si profesor e qytetar i nderuar. Profesori Nexhat Rexha ishte shembull i përkushtimit, andaj t’a ruajmë kujtimin për profesor Nexhatin e t’a qojmë në vend amanetin e tij.

Sami Hoxha, ish-drejtor në Gjimnazin Shoqëror ‘’Zenel Hajdini”, tha se kjo ditë është ditë dhembjeje e krenarie. Nexhat Rexha ishte një profesor i mirë e i vyeshëm, atdhetar, me traditë familjare e me një karakter të fortë njerëzor të fuqishëm.

“Profesori Nexhat Rexha diti të jetë i afërt me të gjithë. Ai ishte model për zhvillimin e kurrikulës së re, një njeri i kompletuar, i cili la një bagazh të paçmuar”, tha ish-drejtori Sami Hoxha.

Në emër të familjarëve u falënderua djali i profesorit Nexhat Rexha, Amiri. Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot (e premte) me drekë në Varrezat e fshatit Bresalc të Komunës së Gjilanit. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like