Pensionohet Riza Fazliu, një emër i veçantë dhe i palodhur i arsimit shqip
Gjilan – Në vitet e ’90-ta, populli ynë u përball me një armik shekullor e barbar, që synonte ta zhdukte nga faqja e dheut kombin shqiptar. Megjithë dhunën e egër serbe, populli nuk u gjunjëzua. Përkundrazi, organizoi mësimin në kushte të jashtëzakonshme, ruajti arsimin shqip dhe mbrojti dinjitetin kombëtar. Brenda kësaj kohe të vështirë, një nga figurat që la gjurmë të thella në fushën e arsimit ishte Riza Fazliu, arsimtar, pedagog dhe drejtues i përkushtuar, i cili për shumë vite kontribuoi në ngritjen e cilësisë arsimore dhe pedagogjike në rajonin e Gjilanit. Rrugëtimi i Riza Fazliut është një histori përkushtimi, dijeje dhe dashurie për arsimin. Me punën e tij të palodhshme, ai u bë shembull për kolegët dhe frymëzim për gjeneratat që vijnë. Të lumtë, Riza Fazliu, emri yt do të mbetet i gdhendur me nder në kujtesën e arsimit shqip.
Pas një karriere të gjatë, plot përkushtim dhe idealizëm, Riza Fazliu është pensionuar, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në fushën e arsimit.
Ai njihet për profesionalizëm, humanizëm dhe përkushtim ndaj brezave të rinj, duke ndihmuar me dashuri dhe përkushtim gjenerata të tëra nxënësish dhe kolegësh.
Fazliu lindi në vitin 1960 në fshatin Karaçevë të Kamenicës. Shkollën fillore e nisi në vendlindje, por e përfundoi në Gjilan, në shkollën “Selami Hallaqi”. Më pas vijoi gjimnazin “Zenel Hajdini”, ku u dallua për seriozitet dhe përkushtim. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku diplomoi në vitin 1985 në degën e Artit Figurativ.
Karrierën e tij e nisi në Shkollën fillore “Ramiz Cërnica” në vitin 1982, ku dha mësim në lëndën e artit figurativ. Më vonë punoi edhe në “Thimi Mitko”, ku për vite me radhë dha kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit dhe edukimit artistik. Në periudhën 1995–1999 ai u emërua drejtor i shkollës, duke e udhëhequr me përkushtim të madh, në kohën më të ndjeshme të arsimit shqip.
Në tetor të vitit 2008 ai magjistroi në shkencat e historisë së artit figurativ, ndërsa është në përfundim të doktoraturës. Paralelisht me detyrën e tij si Udhëheqës i Inspektoratit Rajonal të Arsimit në Gjilan, Riza Fazliu ka kontribuar edhe si ligjërues në Fakultetin e Edukimit, duke ndarë përvojën e tij të gjatë me brezat e rinj të mësuesve.
Në kujtimet e tij, Fazliu shpesh rikthehet te vitet e vështira të arsimit paralel gjatë pushtimit serb, kur mësimdhënësit dhe nxënësit mbajtën gjallë shkollën shqipe me përkushtim dhe sakrificë. Ai kujton me emocion protestat e arsimtarëve dhe prindërve për mbrojtjen e shkollës, ndarjen nga sistemi serb dhe mbajtjen e mësimit në kushte të jashtëzakonshme.
Gjatë drejtimit të shkollës “Thimi Mitko”, ai organizoi aktivitete të shumta kulturore dhe arsimore, përfshirë botimin e revistës “Bleta” dhe Buletinit Informativ, që shërbenin për transparencë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me prindërit dhe komunitetin. Po ashtu, nën drejtimin e tij, u rivendos dokumentacioni pedagogjik, u organizuan dhjetëra mbledhje të Këshillit të shkollës dhe u ngrit fryma e bashkëpunimit me donatorë, qytetarë dhe institucione humanitare.
Në mesin e shumë ndihmuesve që e mbështetën shkollën gjatë atyre viteve përmenden me respekt Tefik Ibrahimi, Zija Selmani, vëllezërit Hamdi e Shukri Berisha, Shukri Osmani, Rexhep Hasani, Musa Idrizi, si dhe shumë të tjerë që kontribuan për arsimin shqip në rrethana të vështira.
Rrugëtimi i Riza Fazliut është një histori përkushtimi, dijeje dhe dashurie për arsimin. Me punën e tij të palodhshme, ai u bë shembull për kolegët dhe frymëzim për gjeneratat që vijnë.
Të lumtë, Riza Fazliu, emri yt do të mbetet i gdhendur me nder në kujtesën e arsimit shqip.