Në këtë aktivitet morën pjesë stafi akademik dhe studentët e programit “Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe studimet evropiane”.
Përurimi u hap nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Selim Daku, i cili përshëndeti të pranishmit, duke veçuar edhe praninë e dy bijave të autorit.
Më pas, profesori i FShS-së Avni Rudaku, njëherësh recensent, redaktor dhe lektor i librit, foli për vlerat shkencore dhe dokumentare të veprës.
Pas një prezantimi të shkurtër të biografisë së autorit, Rudaku u ndal veçanërisht në mjedisin ndërkombëtar të Novobërdës mesjetare, temë kjo me interes të veçantë edhe për studentët e marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Novobërda mesjetare ishte e pasur jo vetëm me miniera, por edhe në aspektin sociologjik e demografik, me diversitet etnik dhe kulturor. Ajo tërhoqi sasë, dubrovnikas, grekë, italianë e osmanë, duke ndikuar ndjeshëm në jetën sociale, kulturore dhe ekonomike të popullatës rezidente. Kjo bëri që Novobërda të shndërrohej në një mjedis unik ndërkombëtar”, tha Rudaku.
Ai shtoi se libri përmban të dhëna të mbledhura nga rrëfimet e respondentëve të moshuar, të regjistruara nga vetë autori sa ishte gjallë, si dhe referenca të shumta arkivore, duke e pasuruar veprën me hollësi mbi jetën e përditshme dhe diversitetin etnik, fetar e kulturor të Novobërdës.
Në linjë online nga Stambolli u kyç edhe e bija e autorit, Konsullja e Republikës së Kosovës në Stamboll, znj. Suzan Novobrdalija. Ajo theksoi se i ati ka lënë pas një numër të madh dorëshkrimesh për Novobërdën, Gjilanin dhe Janjevën, si dhe dhjetëra artikuj të botuar ndër vite, duke shprehur shpresën që së shpejti të botohen edhe dorëshkrimet e tjera.
Znj. Novobrdalija u shpreh e emocionuar që libri i babait të saj po promovohet pikërisht në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, duke kujtuar kontributin e hershëm të tij në arsimin dhe jetën institucionale të Gjilanit, i cili në vitin 1961 kishte nënshkruar vendimin për themelimin e Shkollës Normale “Skënderbeu” në Gjilan, ku në vitin 1975 Normalja e Gjilanit u transformua në Akademi Pedagogjike, ndërsa sot në funksionon Universiteti Publik “Kadri Zeka”.
Ajo përmendi edhe rolin e Bejta Novobrdalijës si Kryetar i Komunës së Gjilanit, Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Nënkryetar i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese të vitit 1974, si dhe angazhimet e tij diplomatike si Ambasador në Afganistan dhe Konsull i Përgjithshëm në Stamboll, përveç veprimtarisë së tij si gazetar.
Në fund të aktivitetit, studentëve dhe pjesëmarrësve iu dhurua nga një kopje e librit, e nënshkruar nga dy bijat e autorit.
Libri “Novobërda, të dhëna dhe legjenda” është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, në kuadër të Thirrjes Publike për Mbështetjen e Autorit 2025.
Projekti kulturor është udhëhequr nga Sevim Kestelli, dizajni i kopertinës është realizuar nga Migjen Fazliu, ndërsa shtypi dhe botimi janë bërë nga shtëpia botuese “Lena Grafik”.
Libri përfshin disa kapituj që trajtojnë themelimin, lulëzimin dhe rënien e Novobërdës, si dhe trashëgiminë e saj historike e kulturore, të mbështetur edhe në burime osmane. /kryelajmi.com/.





