Në ambientet e Bibliotekës Ndërajonale “Fan S. Noli » në Gjilan është promovuar libri me poezi « Mes hijes dhe dritës », i autores Arjeta Dërmaku – Rushti, botues i së cilës është Klubi Letrar « Nositi » Dardanë.
Në lidhje me këtë libër folën Nexhat Rexha, redaktor, Baki Krasniqi, recensent dhe Arsim Halili, kritik letrar.
« Poezi në kërkim të dritës » është titulluar vështrimi i redaktorit Nexhat Rexha, i cili ka theksuar se është ky një libër që ia vlen të lexohet, ngase poetja arriti që me vetëmohim të kalojë rrethanat e jetës dhe sinkronizoi ëndrrat e mundshme të një pezmi, ajo shkroi për mallin e dashurisë, për ndjenjat e një nëne, ajo beson në veten e saj, duke dëshmuar se dashuria ndaj njeriut mund mundimin.
Baki Krasniqi, recensent, në vështrimin e tij me titull « Autobiografia në vargje », tha se vargjet e Arjetës janë të bukura dhe se poetja i këndon dashurisë, fëmijëve, familjes e mërgimit, ajo fokusohet në dukuri, por jo duke vajtuar. Poetja ka nostalgji për prindërit, për vendlindjen, fshatin e për të afërmit e saj, andaj ka krijuar një libër unikat, me poezi moderne dhe figura letrare.
Arsim Halili, kritik letrar në vështrimin e tij me titull „Gravura poetike e ndezur nëpër kohë », tha se janë këto poezi të shkruara nga një zë femëror, të shkruara me mjeshtri, me varg kryesisht në veten e parë, varg i cili mund të krahasohet me një lule pranverore.
Autorja, Arjeta Dërmaku – Rushiti, pasi ka falënderuar të gjithë të pranishmit, atë që kontribuuan për daljen në dritë të këtij libri, shokët e shoqet e klasës që përkundër se kanë kaluar 30 vite ishin të pranishëm bashkë me kujdestarin e tyre dhe mësimdhënës të tjerë, vajzat e veta dhe familjarët, tha se faqet e këtij libri flasin më tepër se që flet ajo vetë, andaj shtoi se është shumë e kënaqur me promovimin e këtij libri, duke premtuar se edhe në të ardhmen do të vazhdojë të shkruaj. /kryelajmi.com/.