Libri

U promovua libri “I tillë ishte Hushi” i autorit Nijazi Idrizi

Gjilan, 28 nëntor 2018 – Në Teatrin e qytetit të Gjilanit, ishin mbledhur një numër i madh i përfaqësuesve institucional, përfaqësuesve të fshatit, familjes dhe qytetarë të shumtë të ftuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe me kontributin e autorit Nijazi Idrizi, që të bëhej promovimi i librit “I tillë ishte Hushi” që i dedikohet dëshmorit Ibrahim Uruqi.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në fjalën e tij, ka rrëfyer për rëndësinë e madhe që ka ky libër, sepse siç ka thënë ai, po bëhet për një personalitet të veçantë të organizimit të madh në luftën për lirinë e Kosovës.

“Ibrahim Uriqi, apo “Hushi”, siç është njohur nga të gjithë, sot na mungon shumë, sepse ai ka qenë gjithmonë i vendosur, i guximshëm dhe me vizion të qartë për lirinë e Kosovës dhe ecjen përpara të idealit, pavarësisht sakrificës. Me Hushin kam pasur rastin që në aktivitete të shumta të jemi së bashku në rrugën e organizimit për lirinë e Kosovës. Ai kishte vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e papërshkruar edhe gjatë kohës sa ishim në burg. Pas nesh më askush nuk ka ra në burg nga shokët tanë, sepse të gjithë kemi mbrojtur njëri-tjetrin, në mënyrë që rruga e nisur të kulmonte me lirinë, çfarë e ka dashur edhe vet Hushi”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Haziri gjithashtu ka thënë se Hushi është një gurë i fuqishëm në themelet e lirisë së Kosovës dhe do të jetë i palëvizshëm deri sa të ketë shqiptarë mbi këtë dhe.

Autori Nijazi Idrizi, ka thënë se libri për Ibrahim Uruqin është një monografi e përmbledhur për një figurë e cila është dhe mbetet krenari e palëkundur e luftës së organizuar në vitin 1999.

“Monografia për Ibrahim Uruqin që po promovohet sot në kuadër të shënimit të festës së 28 Nëntorit, është një rrugë që e kemi nisur për Hushin. Ky libër që është i ndërtuar nga njohja që kishim për të, nga rrëfimet e shumta të shokëve, familjarëve dhe të afërmve të tij, sot nuk i vëhet pikë, përkundrazi është një presje e madhe”, ka thënë Idrizi, i cili i ka dorëzuar familjes kopjen e parë të librit.

E në emër të familjes ka folur vajza e dëshmorit, Albulena Uruqi e cila ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen e librit dhe Idrizit për këtë monografi.

“Babai im nuk u kthye me 15 qershor 1999 për të festuar lirinë, por ai më dha mua dhe gjithë qytetarëve lirinë të cilën po e shijojmë të gjithë së bashku”, ka thënë ajo.

Kurse, me fjalën e tij është paraqitur edhe Ahmet Isufi, ish Komandant i Zonës Operative të Karadakut, i cili ka përmbledhur në pika të shkurtra vendosmërinë, angazhimin dhe vullnetin që kishte Hushi në rrugën e tij drejtë lirisë.

Ndërsa nga këndvështrimi historik është paraqitur në këtë promovim Dr.Fitim Rifati, i cili ka përmbledhur kauzën kombëtare, idealin dhe sakrificën që ka bërë Ibrahim Uruqi gjatë gjithë jetës deri në rënien e tij.

You Might Also Like