Libri

U promovuan katër libra

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, në Gjilan në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Librit, janë  promovuar katër libra: Libri “Letërsia nga burgu” autor Prof. Dr. Bajram Kosumi, dy libra “Thekse letrare” dhe “Erosi dhe kozmosi në poezinë e Kadaresë” të autorit Prof. Asoc. Dr. Merxhan Avdyli, si dhe libri “ Fishta dhe tradita e leximit ” me autorë profesor Flamur Maloku.

Këtë promovim e hapi Dekani i Fakultetit të Edukimit në UKZ, Prof. Asoc. Dr. Merxhan Avdyli.

Për librin “Letërsia nga burgu” kanë folur Prof. Ass. Dr. Bashkim Musliu, i cili ka thanë se autori risjell në vëmendjen e letërsisë dhe historiografisë shqipe  trajtesën e burgut politik, burgut fizik, burgut shpirtëror, nga burgu.

Libri përmban analiza të teksteve të poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, që shkruan në burgje.  Libri është kapitull më vete në letërsinë shqipe (botim i përpunuar), në botim të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Në libër trajtohet letërsia shqipe e krijuar në burg gjatë periudhës 1945-1999.

Për dy librat “Thekse letrare” dhe “Erosi dhe kozmosi në poezinë e Kadaresë” të autorit Prof. Asoc. Dr. Merxhan Avdyli, ka folur profesori Flamur Maloku. Ai ka thënë se autori përmes këtyre dy librave studimor, tenton të futet në shumësinë e kuptimeve përballë gjuhës, gramatikës së tekstit. Këtu jepet edhe si shenjë e afrimit të hapësirës më të madhe për lexuesin, ku prishet skema tradicionale, autor-tekst-lexues, në favor të këtij fundit.

Kurse për librin “Fishta dhe tradita e leximit”, i autorit Flamur Maloku, ka folur prof.. Asoc. Dr. Nevrije Ismaili. Ajo ka thënë se libri kthen vëmendjen nga vlerat e përjashtuara nga panteoni i letrave shqipe. Optika studimore, ndaj lirikës dhe përmasave të figurës dhe veprës letrare, ndaj ngjyrave të epikës, është një trajtesë e hershme nga ana e autorit Flamur Maloku paraqitur në librin “Fishta dhe tradita e leximit”, po ashtu është edhe një kujtesë studimore për t’i kthyer sytë nga vepra e madhe e Fishtës. Ky libër është botuar në Qendrën e Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, Tiranë

Ndërkohë në fjalën e tij Rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi, ka thënë se  letërsia ndihmon me ik nga realiteti sepse ajo nuk e përfill pushtetin politik, as demokracinë por e ka lirinë e vet. Sipas Rektorit Kosumi, letërsia na ndihmon që të bëhemi njerëz më të mirë dhe se ajo,  më shumë se çdo ide sociale në përmbajtjen e vet, të bënë njeriun më të mirë të mundshëm, të bënë të lumtur dhe të bënë të jesh i barabartë me të gjithë.

You Might Also Like