Në kuadër të orientimit për karrierë, Universiteti i Kirklarelit në Turqi para maturantëve gjilanas, në ambientet e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka mbajtur një prezantim informues për programet që ofron ky universitet prestigjioz. Në këtë takim të pranishëm ishin edhe Naim Aliu, kryetar i Bashkësisë Islame në Gjilan, Bekim Mustafa, drejtorë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” si dhe këshilltarët për karrierë nga të gjitha shkollat e mesme të Gjilanit.
Fillimisht, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, Jeton Rexhepi, ka theksuar se orientimi në karrierë për maturantët është shumë i rëndësishëm dhe ka falënderuar mysafirët nga Turqia për vizitën që i kanë bërë shkollave të Gjilanit dhe për mundësinë që po u japin maturantëve gjilanas në përzgjedhjen sa më të mirë të të ardhmes së tyre.

Feim Gashi, profesor në Universitetin e Kirklarelit tash e 12 vite, ka theksuar se ai vetë jeton tash e 25 vite në Turqi dhe ka folur për kushtet që ofron ky universitet, i cili ka mbi 25 mijë studentë, 11 fakultete, shtatë shkolla të larta edhe atë nga të gjitha fushat.
Sipas tij, vetëm nga shtetet e Ballkanit, në këtë universitet ka 700 – 800 studentë, prej tyre edhe nga Kosova dhe se ky universitet ofron edhe bursa.
Gashi foli edhe për kampuset, për 176 programet e ndryshme, sikurse edhe për kushtet që i ka ky universitet, derisa edhe nxënësit maturantë me pyetjet e tyre u interesuan për mundësitë e studimit në këtë universitetet./kryelajmi.com/.




