Gjilan

USAID: Gjilani është komuna që ka pasur ngritjen më të madhe në procesin e gradimit

Gjilan, 23 dhjetor 2019 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim drejtorin e programit Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM), Stephen Carpenter, ku edhe zyrtarisht u bë transferi i pajisjeve dhe inventarit nga projekti i realizuar muaj më parë për komunën e Gjilanit.

Kryetari Haziri e ka falënderuar drejtorin Carpenter për mbështetjen e jashtëzakonshme për Gjilanin, në fushën e prokurimit, financave, auditimit, personelit e Zyrën e Informimit, në ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen e madhe me anë të pajisjeve dhe inventarit të ofruar.

Drejtori i programit Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM), Stephen Carpenter, e ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin e mirë, ndërsa ka la lavdëruar Gjilanin për përparimin e madh në shumë fusha.

“Ka qenë kënaqësi të bashkëpunojmë me kryetarin Lutfi Haziri dhe zyrtarët tjerë të Komunës dhe jam i lumtur që Gjilani ka ecur shumë përpara brenda tri viteve. Pra, është komuna që më së shumti ka përparuar në fushën e gradimit, nga 44 pikë sa ka qenë në fillim, ka arritur në 67 pikë”, tha ai.

Takimi i sotëm ka qenë lamtumirës për drejtorin e këtij programi pasi që e përfundon mandatin në këtë pozitë, por nga ai dhe zyrtarët e projektit, Afërdita Mekuli dhe Agim Salihu u shfaq zotimi i bashkëpunimit deri ne përfundimin e projektit.

“Besoj që në vitin e ardhshëm Gjilani të arrijë pikët maksimale të gradimit dhe të merresh shembull për komunat tjera”, ka thënë Carpenter.

‘Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse’ (TEAM) është projekt pesëvjeçar i financuar nga USAID që ka filluar me 11 janar 2017 dhe është planifikuar të përfundojë në janar 2022. Projekti është i dizajnuar që të përmirësojë drejtësinë, transparencën dhe mbikëqyrjen e prokurimit duke ofruar asistencë të plotë në të gjitha 38 komunat e Kosovës, me theks të veçantë në pesë komunat që janë në fokus të projektit përmes mentorimit, trajnimit dhe stërvitjes për të përmirësuar llogaridhënien për fondet dhe shpenzimet publike.

You Might Also Like