Gjilan, 29 nëntor 2018 – Komuna e Gjilanit e mbështetur edhe nga USAID, programi TEAM, kanë punuar së bashku edhe me bordin e drejtorëve dhe menaxherët e zyrave në hartimin e planit të prokurimit për vitin 2019, i cili pas plotësimeve përfundimtare do të publikohet për të marrë edhe inpute nga shoqëria cilvile.
Kryetari Lutfi Haziri ka thënë se ky hartim i Planit të Prokurimit është bërë në raport me buxhetin e miratuar të Komunës së Gjilanit për vitin 2019 dhe në të parashihen të gjitha aktivitetet e prokurimit që do të inicohen gjatë vitit 2019.
“Ky planifikim është detajuar në afro 130 specifikacione të ndryshme, në mënyrë që viti 2019 të jetë një vit me dinamikë të fuqishme të planifikimit, me monitorim të vazhdueshëm dhe me mbikëqyrje të detajuar të kontratave në harmoni me ligjin dhe duke zënë të gjitha afatet ligjore nga fusha e prokurimit. Investimet kapitale, mirëmbajtja dhe ngritja e cilësisë së shërbimeve, janë vetëm disa nga pikat që duhet të inicohen, duke mos lënë asnjë nga pikat e përfshira në këtë plan të prokurimit pa i dhënë trajtimin maksimal”, ka thënë Haziri.
Përndryshe, USAID TEAM po e mbështetë Zyrën e Prokurimit me një këshilltar profesional nga kjo fushë në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit me Komunën e Gjilanit në fushën e transparencës, i cili është nënshkruar muaj më parë.