Gjilani do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore në prag të sfidës ndaj APOEL Nicosia në kuadër të rundit të parë kualifikues në Ligën e Evropës. Përpara ndeshjes nënkampionët e vendit kanë mbajtur edhe një konferencë shtypi, shkruan Gazetasheshi.com.
Në konferencë është paraqitur edhe futbollisti Muhamed Useini, i cili para mediave ka deklaruar se ekipi nuk ka frikë dhe se është i gatshëm për të shkaktuar befasi.
“Jemi të përgatitur, nuk duhet të frikësohemi. Befasitë janë të mirësardhura në futboll. Ne do të provojmë të fitojmë”, ka deklaruar Useini.
Para sfidës ka folur edhe trajneri i skuadrës Gentjan Mezani i cili ka deklaruar se gjasat për këtë takim dy skuadrat i kanë të barabarta.
“Do t’i qasemi ndeshjes me kujdes. Kemi punuar në të gjitha aspektet sidomos në atë defansiv, pasi që kundërshtari ka shumë cilësi në sulm. E kemi studiuar mirë kundërshtarin, por nuk është ai APOEL-i i para disa viteve. Mendoj se gjasat janë 50-50”, ka deklaruar Mezani.