Muzikë

„Vargje dhe tinguj“ nga opusi krijues i Jusuf Gërvallës

 

 

Manifestimi Shumëkulturor “Flaka e Janarit”, rrugëtimin e vet e ka vazhduar me aktivitetin „Vargje dhe tinguj“ nga opusi krijues i Jusuf Gërvallës, ngjarje kjo të cilën kryetari i komunës Alban Hyseni ka mirëpritur, zëvendëskryeministren në detyrë Donika Gërvalla, Ardita Sinanin, kryetare e Preshevës, Kadri Rahimajn, kryetar i Kamenicës dhe mysafirë të tjerë.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka theksuar se “Flaka e Janarit” paraqet një organizim unik e të veçantë në trojet shqiptare, në data të rëndësishme që paraqesin vlera të veçanta.
„Dëshmorët pos përpjekjes për liri, përfaqësuan edhe vlera kulturore e i tillë ishte Jusuf Gërvalla. i cili i këndoi atdheut dhe kjo krijimtari është një vlerë e pasur që duhet të bartet ndër gjenerata, e cila duhet të jetojë me këtë mishërim e frymëzim ndër breza“, ka thënë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, që shtoi se kjo datë dhe ky organizim është shumë i veçantë.
Zëvendëskryeministrja në detyrë, Donika Gërvalla, njëherit e bija e heroit Jusuf Gërvalla, ka theksuar se pas interpretimeve të jashtëzakonshme janë të tepërta fjalët, por ka shtuar se Gjilani ka patur kujdes të vazhdueshëm ndaj kësaj pjese të muzikës dhe askund përveç se në vendlindjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, vargjet e Jusuf Gërvallës dhe tingujt e Jusufit dhe Bardhoshit nuk e kanë atë tingull që e kanë në qytetin e Kadri Zekës në Gjilan.
„Kur kujtohen heronjtë ndër janarët e kuq të lirisë, atëherë e ndjejmë edhe më tepër detyrimin për të punuar më shumë për Kosovën“, ka thënë Gërvalla, që ka shtuar se nëna e tyre Ajshe i kishte dërguan në vendin ku Jusuf Gërvalla e përshkruan në poezinë, aty ku gjithçka është e vërtetë dhe melodi dhe duhet të kujdesemi për Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Ajo ka rikujtuar porosinë e babait të saj se rruga e nderës është më e vështira, por është e vetmja e vërtetë, andaj ka kërkuar që të jetësohet amaneti i heronjve e të mos harrohet sakrifica që bëna atë për këtë vend.
Në pjesën artistike fillimisht janë deklamuar poezitë e Jusuf Gërvallës nga përmbledhja me poezi „Shenjat e shenjta“, “Fletë testamenti” nga përmbledhja me poezi „Kanjushë e verdhë“, „Tashmë nuk ka kthim“ nga përmbledhja me poezi „Fluturojnë e bien“, „Një këngëtari“ nga „Fluturojnë e bien“, „Dy fije fletë“ nga „Kanjushë e verdhë“ dhe „Letërsisë“ nga „Shenjat e shenjta“, që janë deklamuar nga Blend Arifi dhe Safete Baftiu, të shoqëruara me kitarë nga Mehmetali Arifi.
„Njeri ku je“ me kitarë kanë luajtur Mehmetali Arfi dhe Reshat Beqiri e në këtë ngjarje kulturore janë interpretuar edhe këngët e Jusuf Gërvallës “Maji” – Hekuran Bllaca, “Do të kthehem nënë” – Ylberinë Avdyli, “O bilbil ta bëra benë”, interpretuar nga Hekuran Bllaca, “Kënga e bilbilit” – Erletë Rexhepi dhe „Këta janë fëmija“ nga Farush Azemi, të gjitha këto nën përkujdesjen artistike të Mehmetali Rexhepit dhe të shoqëruara nga Formacioni orkestral nga Trupa Artistike Muzikore nën dirigjimin e Mentor Latifit e të mbështetur nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan.
Aktivitetet e “Flakës së Janarit 2026” do të vazhdojnë me “Fest Flakën.

You Might Also Like