Vashat e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, Alma Mehmeti, Bleona Mehmeti, Vlerë Qerimi, Shyhrete Sadiku dhe Malisë Sadiku janë kampione të Kosovës në pingpong për nxënëse të shkollave të mesme.
Në garat e mbajtur në Shkollën “Tefik Qanga” në Ferizaj, vashat që udhëhiqen nga Blerim Shala, profesor i Edukatës Fizike dhe Sportit në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, në ndeshjet e zhvilluara nuk e kanë humbur asnjë set, duke i mposhtur rivalet e tyre nga Fushë Kosova dhe Ferizaj, me rezultat bindës 3:0.
Gjithësesi se ndër më meritoret për këtë sukses janë vetë vashat që kanë punuar me përkushtim e me zell, sikurse edhe mësimdhënësi i tyre Blerim Shala, i cili kaherë kishte filluar përgatitjet për t’u shpallur fillimisht kampion në garat komunale, ato rajonale e së fundi edhe në nivel vendi.
Edhe drejtoria e shkollës, ka krijuar të gjitha kushtet për përgatitje sa më të mira. Pas këtij suksesi të madh, ku vashat e natyrorit janë stolisur me medalje dhe me kupën, drejtoria e shkollës, në përbërje Bekim Mustafa, drejtor dhe Agim Asllani, zëvendësdrejtor kanë nderuar me mirënjohje këto nxënëse.
Bekim Mustafa, drejtor i Shkollës ka theksuar se nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” po dëshmojnë se përpos mësimit janë të përkushtuar edhe në aktivitete të tjera, sidomos në ato sportive. Ai ka përgëzuar nxënëset dhe mësimdhënësin Blerim Shala për suksesin e treguar.
Blerim Shala, profesor, tejet i entuziazmuar me këtë sukses, ka theksuar se tërë kohën ishte në ankth se a do të shpërblehet mundi dhe puna e bërë, ai thotë të ketë pasur besim në vashat e gjimnazit, të cilat dëshmuan se janë të pamposhtura.
Kapitenia e ekipit Malisë Sadiku, tha se ky nuk do të jetë suksesi i fundit i tyre dhe se edhe në të ardhmen do të punojnë edhe më shumë me qëllim të arritjes së sukseseve të reja.