Dr. Rita A. Leka ka përmbyllur me sukses një etapë tepër të rëndësishme në rrugëtimin e saj profesional, duke dhënë me sukses provimin specialistik në fushën e Nefrologjisë. Përmes një performance të shkëlqyer gjatë gjithë procesit të specializimit, dr. Rita dëshmoi përkushtimin e saj, duke vijuar kështu traditën e familjes së njohur Leka, e cila ndër vite i ka dhënë mjekësisë shumë profesionistë.

Në këtë arritje të rëndësishme, dr. Leka u vlerësua nga një komision profesionistësh të lartë. Ajo shprehu falënderime të veçanta për anëtarët e komisionit: Prof. Dr. Ibrahim Rudhani, Prof. Ass. Mimoza Bërbatoci-Ukimeraj dhe Dr. Venera Hasangjekaj, për vlerësimin korrekt dhe profesional.
Një falënderim i veçantë i është dedikuar mentorit të saj, Ass. Dr. Naim Morina, i cili e ka mbështetur dhe udhëhequr përgjatë gjithë rrugëtimit të saj drejt specializimit.
Për nefrologen e re, ky sukses është realizim i një ëndrre të kamur, por edhe rezultat i një mbështetjeje të madhe familjare.
“Jam shumë e nderuar dhe e lumtur që kam arritur ta përmbyll një ëndërr timen, të specializoj në fushën e Nefrologjisë. Falënderim të posaçëm ka familja ime, e cila ka besuar në punën time dhe më ka ofruar përkrahje të palëkundur në çdo hap drejt këtij qëllimi,” u shpreh dr. Rita A. Leka.
Edhe pse ky titull shënon një kulm në karrierën e saj deri më tani, Dr. Rita e sheh këtë si një fillim të ri. Sipas saj, arritja e sotme është vetëm një motiv më shumë për t’u shërbyer pacientëve me profesionalizëm.
“Suksesi nuk është fundi i rrugës, por forcë për të vazhduar më tej,” theksoi ajo në përmbyllje të këtij procesi. Dr. Rita A. Leka, me origjinë nga Gjilani, jeton dhe vepron në Prishtinë, ku pritet të kontribuojë me ekspertizën e saj të re në shërbimin e nefrologjisë.





