Libri

VEÇ PRITJA GJURMON SKUTAT E TRUPIT TIM

KLEJDA PLANGARICA

VEÇ PRITJA GJURMON SKUTAT E TRUPIT TIM

( cikël poetik )

E PAMJAFTUESHME

Më shtyp pamjaftueshmëria ime,
si hapat e fundit në dëborën e prillit…
Përplaset dyshueshëm mungesa mbi mua:
– Nuk mjafton dëbora apo gjurmët?

E pamjaftueshme jam unë për dimrin,
që kurrë s’mësova ta pranoj siç është.
Ia desha borën (sa shumë!)…Por e shkela…
Tani, hakmarrshëm, çdo prill më shkel ajo.

E pamjaftueshme për ty, për ne!
Nuk kam më bore për ta mbush paplotësinë tënde
Tkurrem gjithë kohës të mbuloj zgavrat bosh,
përmes zbrazëtisë shoh dashurinë që shembet!

(2012)

𝐓𝐑𝐈𝐏𝐓𝐈𝐊 – 𝐏𝐄𝐑 𝐇𝐔𝐌𝐁𝐉𝐄𝐍 𝐃𝐇𝐄 𝐏𝐑𝐈𝐓𝐉𝐄𝐍…

***
Sa lodhshëm më rënduakan humbjet!
Më kot i quajnë zbrazëti
Mantel dëbore që po m’i thyen supet
Mbeta amalgamë pritjesh…

***
Do shumë kohë të arrij gjysmë-shekullin,
Por mbart një shekull lamtumirash mbi vete
Çdo natë prek gjurmët e të dikurshmëve
Qe ikjeve enden si lavjerrës
Pa u ndalur kund…

***
Këtu ku jam nuk pres askënd
Atje ku isha s’më pret askush,
Veç pritja gjurmon skutat e trupit tim
Dhe vazhdon gërmimin pa fund…

( Gusht, 2015)

𝐑𝐑𝐄𝐊𝐉𝐄

Terrinave të vargjeve të tua
Rrekem –
Me gjet një fill Klejde aty.
Herë-herë m’duket se e diktoj një qerpik…
A thua imi të jetë?!
E herë një tunikë centauri*
Që s’ka si të jetë imja!

Plot ditë, ngarenda drejt teje
Me një mantel të kuq mbi supe
Dhe stepesha mbi urë…
Tanimë,
Veç u avitem fjalëve me buzë,
Se kam lirinë që çdo varg të ta puth!

*Tunika/manteli i centaurit – Simbol i një dhurate fatale, përmes së cilës gjeti vdekjen Herkuli në mitologjinë greke.

(Maj, 2020)

PA BËZAJT

Ai është buzëqeshje
Shpon tejpërtej mjegullat rreth meje
Pa bëzajt
Hiç, asnjë shkrepje!

Ai është vështrim
E rrokullis si zhongler rruzullin tim
Pa bëzajt
Hiç, asnjë pëshpërimë!

Ai është kripë
M’i shpërthen një e nga një receptorët
Pa bëzajt
Hiç, asnjë pikë!

Ai është frymë
Më përvidhet si ikacak anekënd trupit
Pa bëzajt
Hiç, asnjë grimë!

Ai është gjumë
Më nanuris, më trullos e shpie në shtegtim
Pa bëzajt
Hiç, asnjë çikë…

Ai nuk bëzan, por nuk është heshtje!
Është rrokullisje, trullosje, shpërthim…
Thellë meje

(dhjetor 2020)

𝐆𝐀𝐓𝐈𝐓𝐔

Hej, këtu jam!
Gatitu!
Në pritje të atij ojniku*
që zbret një çast mes zhegu
dhe lë si vragë nga pas
një mungesë të gjatë sa një breg…

Hej!
Duku, pra!
A është ngricë a zheg?
Prej kur u fanite
s’e kuptoj më dritën,
prej dielli është, a prej bore?

Hej, vego pra!
Derdhe atë baticë fryme,
atë lëngështim prej drite…
Vërshimin të më mbështjellë pres,
gishtat e tu prej ojniku
ta hedhin reve të okërta
këtë balonë që dergjet në breg…

*𝘖𝘫𝘯𝘪𝘬 – 𝘌𝘳ë 𝘦 𝘭𝘦𝘩𝘵ë 𝘥𝘦𝘵𝘪, 𝘱𝘶𝘩𝘪 𝘥𝘦𝘵𝘪.

(5 shkurt 2022)

MUZA

E lakuriqtë karshi tij … si rrallëherë
U fanit
Po flatrat ngjeshur pas shpine ai s’ia pa
Sytë shigjetuan të vetmin nishan mbi gji,
As frymë, as bulëza, as shkëndijë!
Iu druajt zhegut, regëtimës … Ai!
E deshi vetëm me një stinë!

(Korrik, 2022)

GJËMIM

I pazhurmshëm ky gjëmim!
Shkëndija drite fluturojnë mes valësh,
pa përplasje krahësh.

Deti gjëmon,
por veç përgjysmë mbërrijnë në breg
rënkime pulëbardhash në terr.

Oshtima pret prekjen…
që ta përkthejë drithërimën
në gjuhën e vet!

(18.09.2025)

___________________

Shënime për autoren

Klejda Plangarica ka lindur në Elbasan (15.8.1980) dhe jeton prej vitesh në Tiranë. Është diplomuar në dy degë me Master Shkencor, në “Gjuhë-Letërsi” dhe në “Barazi Gjinore dhe të Drejtat e Njeriut”. Për shumë vite ka punuar si gazetare dhe drejtuese e emisioneve në televizione të ndryshme dhe më pas në pozicionin e Zëdhënëses dhe Këshilltares për Mediat, në Ministrinë e Brendshme, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Aktualisht punon si korrektore dhe redaktore letrare e veprave letrare e shkencore.
Në vitin 2012 ka publikuar vëllimin e saj me poezi “Dritëzim ikjesh”, ndërsa krijimet e saj (në poezi dhe prozë) janë vlerësuar me disa çmime dhe janë pjesë e antologjive të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Klejda Plangarica është gjithashtu autore e Projektit Studimor “Barazia Gjinore në Policinë e Shtetit”, (2013), si dhe bashkëpërkthyese në gjuhën shqipe e librit “Një ëndërr pasioni” të Lee Strasberg, (2021). Nga ana tjetër, një sërë veprash letrare e shkencore mbajnë emrin e saj si korrektore dhe redaktore letrare, ndërkohë që vijon angazhimin në aktivitete të ndryshme kulturore, si skenariste dhe moderatore. Është vlerësuar me titullin “Ikonë e Fjalës Artistike” nga Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare, si dhe është anëtare e Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve në SHBA.

You Might Also Like