Futboll

Vëllezër në jetë, rivalë në fushë

Derbi Gjilani – Prishtina, i zhvilluar ditën e diele për shumëçka ishte i veçantë. Prishtina pas disa vite që u shpall kampion, sivjet shihte mundësinë që sërish të arrijë titullin, derisa Gjilani tri pikë ndaj Prishtinës i kishte të domosdoshme, në mënyrë që të ngjitet në vallen që shpije për garat evropiane.

Pas një ndeshje tejet taktizuese dhe të sigurt, Gjilani ia doli që nëpërmjet golit të Edi Bashës në pjesëlojën e parë të shënojë fitore minimale me rezultat 1:0.

Më e veçanta e këtij derbi ishte ballafaqimi në mes të dy vëllezërve Shqipëri Taipi (Gjilani) dhe Gjelbërim Taipi (Prishtina), ballafaqimi i të cilëve është shoqëruar me një foto dhe ku pas ndeshjes, SC Gjilani ka dalë me një dedikim “Dy shpata, i njëjti çelik”.

Ballafaqimi mes dy vëllezërve, Shqipërim dhe Gjelbërim Taipi, është një moment i veçantë për futbollin Kosovar. Në njërën anë është rivaliteti i fortë sportiv mes dy klubeve të mëdha, ndërsa në anën tjetër lidhja e gjakut që i bashkon dy vëllezër, Shqipërimin e Gjelbërimin.

Janë vëllezër në jetë, por rivalë në fushë për 90 minuta ata janë kundërshtarë të vendosur, duke dhënë maksimumin për ekipet e tyre, por jashtë fushës mbeten vëllezër që ndajnë të njëjtën ëndërr dhe pasion për futbollin.

Ky ballafaqim vëllazërish është dëshmi se sporti jo vetëm krijon rivalitet, por edhe histori të bukura familjare që e bëjnë futbollin edhe më emocionues.

Kësaj radhe më i suksesshëm ishte Shqipërimi, por historia vazhdon, ngase Prishtina e Gjilani do të ballafaqohen edhe një herë tjetër./kryelajmi.com/.

You Might Also Like