Është vënë gurthemeli i Shkollës së Mesme të Mjekësisë në oborrin e Spitalit Rajonal në Gjilan.
Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, tha se në disa momente gurthemelet që i vejmë janë më shumë sesa vetëm kuptimi i një objekti që ndërtohet dhe shënim e fillim i një epoke të re për shumë prej nesh.
Sipas tij ndërtimi i shkollave janë ndër investimet më afatgjate, më të rëndësishme dhe nga vlera më të mëdha për një shoqëri të tërë.
“Në këtë shkollë që po e vejmë gurthemelin, nuk është vetëm mësimi që do të jepet këtu, por shumë më shumë është ndërtimi i brezave të së ardhmes”, tha Alban Hyseni.
I pari i Gjilanit, theksoi se kontribut i përbashkët me organizatën Islamic Relief, nuk matet as me vlerë e as me metër investim, por më shumë matet në të ardhmen me jetët që do të shpëtohen nga kuadri që krijohen nga kjo shkollë.
“Nga kjo shkollë do të ndërtohet shpresa për shërbime e shëndet për të ardhmen. Po e fillojmë një epokë të re për Shkollën e Mjekësisë në Gjilan, bashkë për gjithë Anamoravën, Preshevën, Bujanocin, Kumanovën e më gjerë, ku nxënësit mësimet do t’i ndjekin në këtë shkollë”, tha Hyseni.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, tha se sot po nisë të jetësohet shkolla.
Sipas tij ajo që e bënë këtë ditë të veçantë, është partneriteti jonë me Islamic Relief Kosova që u janë mirënjohës.
“Ky projekt pos krijimit të objektit e infrastrukturës, është themel i drejtësisë, garanci e barazisë dhe një mundësi e të ardhmes për të gjithë pa dallim”, tha kryetari Hyseni.
Drejtori gjeneral i Islamic Relief, Wassem Ahmed, tha se janë të lumtur që po vënë gurthemelin e kësaj shkolle dhe është një ditë e rëndësishme jo vetëm për Gjilanin , por për gjithë rajonin në formimin e brezave që do të përgatiten si profesionistë shëndetësor.
Ai premtoi mbështetje edhe në realizmin e projekteve tjera.
Zv. ministri i Arsimit, Arsim Ademi, tha se jo vetëm Komunës së Gjilanit, por edhe më gjerë i duhet kjo shkollë.
Sipas tij MAShT-i, kanë fokus mbështetjen e investimeve të nevojshme në arsim, ku edhe nuk kanë munguar investimet për krijimin e kushteve më të mira për nxënësit.
Drejtori i Islamic Relief Kosova, Dr. Mohamed Soliman, tha se ky projekt është shumë me rëndësi për gjithë regjionin.
Ai premtoi se do të vazhdojnë me përkushtim mbështetjen në realizimin edhe të projekteve tjera.