Futboll

Vendosi super goditja e Gerhard Prognit

Kryendeshja e javës dhe e tërë stinorit vjeshtor është zhvilluar këtë të dielë në Suharekë, ku fitorja e cilësdo skuadër do të bënte që ajo të dimërojë në pozitën e parë, ndërkohë që barazimi i shkonte për shtati Dritrës, që do të mbetej e para.

Dy kryetrajnerët Bekim Isufi i Ballkanit dhe Ismet Munishi i Gjilanit kanë nisur ndeshjen në mënyrë të kujdesshme, andaj nuk ka patur raste të mira shënimi.

Fillimin e ndeshjes më mirë e nisën vendasit që tentuan në disa raste të ndëshkojnë mysafirët, por pa arritur kuadratin e portës së Enea Koliçit.

Gjilani u tregua e rrezikshme në një rast kur Arbër Prekazi gjuajti me kokë pas harkimit nga këndi, por topi përfundoi mbi portë.

Ndryshe, kjo ndeshje do ta përcaktojë njërën nga këto dy skuadra kampion vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll.

Ndërkohë që pas një gabimi të portierit të Ballkanit, Frashëri, Progni për pak sa nuk përfitoi, por fatmirësisht gardianit të Ballkanit, topi i ra në dorë dhe shpëtoi pa pësuar.

Në pjesëlojën e dytë, Ballkani ishte më kërkues, por ishin pikërisht mysafirët që shënuan të parët. Në fakt në minutën 75, Gerhard Progni i Gjilanit, ka dhënë një projektil nga largësia dhe ka qëlluar këndin e epërm të djathtë të portës së Ballkanit.

Në vazhdim, Ismet Munishi ka bërë disa zëvendësime radhazi, duke ngulfatur lojën  e Ballkanit, kurse lojtarët e Gjilanit ditën të mbajnë topin aq gjatë sa për të pamundësuar ekipin vendas që të krijojnë raste të mira shënimi. Në fund Gjilani ngadhënjeu me rezultat 1:0.

Me këtë fitore Gjilani dimëron në pozitën e parë.

You Might Also Like