VESTALET E SHENJTA TË MIRKO GASHIT
(Trekëndëshi poetik i paqes në Gjilan, kujton 25-vjetorin e shkuarjes në amshim të Mirko Gashit)
Edicioni i dhjetë i manifestimit “Trekëndëshi poetik i paqes”, në organizim të Ars Clubit “Beqir Musliu” Gjilan, u mbajt në ambientet e hapëta impresive të restorantit DUNAVI, në Grykë të Karadakut. Merrnin pjesë një numër i vogël krijuesish nga Kosova, Maqedonia e Lugina e Preshevës, apo, siç tha organizatori: nga Kosova Lindore. Merrnin pjesë dhe familjarë të poetit Mirko Gashi.
Pjesëmarrja u reduktua për shkak të rrethanave pandemike. Kështu, sivjet nuk u mbajt Ora e Madjhe Letrare, por manifestimi e pati vlerën e vet të rëndësishme: iu kushtua poetit të shquarjo vetëm gjilanas, por të mabrë letërsisë sonë, Mirko Gashit, në 25-vjetorin e shkuarjes së tij në amshim. Me këtë rast, ky klub kishte botuar kohëve të fundit nxoti nga shtypi librin me poezi të Mirko Gashit “Blegërimë resh”, në redaktim e me parathënie të Anton N. Berishës, si dhe me shënimet bibiliografike nga P. Buzhala. Për veprën diskutuan dhe lexuan pjesë nga punimet e tyre Anton N. Berisha, Nexhat Rexha, Emin Azemi, Prend Buzhala, Mehmetali Rexhepi dhe Sherafedin Kadriu. Krijuesit deklamuan vargje nga poezia e Mirkos. Mbresëlënës ishte edhe momenti i zbulimit të portretit të punuar nga piktori Ahmet Ibrahimi. Me këtë rast u prezantua edhe Revista letrare e Manifestimit, ku përfshiheshin poetët shqiptarë, të planifikuar të lexonin për Orën e Madhe Letrare. Të pranishmit evokuan edhe çaste nga jeta dhe krijimtaria e Mirko Gashit.
1.
Anton N. Berisha, duke shkoqitur raportet letërsi-tematikë-art, theksoi: ” Mirko Gashi gjakoi ta shtjellojë tekstin sa më artistikisht, t’i shqiptojë në mënyrë sa më komplekse e thellësore disa dukuri qenësore jetësore e shpirtërore, në mënyrë që poezia e tij të komunikojë sa më intensivisht me marrësin. Duke mbetur, në rastet më të shpeshta, në një rrafsh të lartësuar të transponimit poetik të botës, ai shprehu mospajtimin; ironizoi kohën dhe veprimet e njerëzve, të cilët e fshehnin fytyrën e vërtetë; shprehu dhe u ngrit kundër tragjikes që pësonte bota që i përkite, prandaj poezia e tij shpesh shquhet me përmasën e protestës e të kundërvënies; nëpërmjet artit zhveshën e denoncohen ata që ia trazuan e ia lëkunden jetën atij dhe popullit të tij, që kurdisen sprova, të papritura e ligësi të ndryshme. Poeti qenësisht jetoi me kohën dhe me problemet e kohës së vet, po njëherit edhe me të kaluarën, e cila është thellë e pranishme në të tashmen. Tridhjetë vjet më vonë, po i qasëm përsëri poezisë së Mirko Gashit – asaj të lënë në dorëshkrim e të botuar pas vdekjes së poetit3, që me titullin “Blegërimë resh”, po ribotohet nga shtëpia botuese “Beqir Musliu” e Gjilanit, të drejtuar nga shkrimtari Sabit Rrustemi, që ka meritën kryesore për daljen në dritë të këtij libri, të pasuruar me të dhëna bibliografike për veprimtarinë e poetit si dhe me faksimilet e disa poezive në dorëshkrim.
2.
Në kumtesën e tij me titull GJAKIMI I LIRISË NË POEZINË E MIRKO GASHIT”, nexhat Rexha buri në dukje trajtat e mbisundimit të mendimit poetik në poezitë e Mirko Gashit: “Ato kanë fuqinë e dëshmisë artistike; ato krijojnë pasionin e brendshëm përmes të cilit skaliten idetë në jetëdhënie të synimeve shpirtërore. Traumatizimet shoqërore në poezitë e këtij vëllimi, janë trajtuar me optikën e përjetimit, ato të japin tejpamjen e thellësive të dhembjeve shpirtërore për të kundërvënë mungesën e lirisë. Trysnitë, trazimet e detyrueshme për të mundur të keqen dhe vizioni për të komunikuar me dhembjet e plagosjet shpirtërore vijnë si vargëzim poetik në kapjen e çështjeve të ndjeshme që themelojnë vend të qëndrueshëm në diktatin e zemrës
Në këto evoluime kohësh e personalitetesh poezia e Mirko Gashit me racionalizëm poetik qartëson mospajtimin me dhunën e diktaturës. Mospajtimi me rrethanat e kohës, shprehet përmes figurave të zgjedhura, në realitet figurat poetike në poezinë e tij janë edhe verdikt autonom i tij, sepse vargjet komunikojnë krejtësisht të lirë.
Heu, heu
po m’i mohoni qirinjtë
në namin tim
mjerimi juaj
Kah po fluturon
ai zog
pa grila
(Ai Zog)
Në të vërtetë lirikat e këtij vëllimi të japin shumëkuptimësinë e vetëdijes kolektive nën veprimin e prizmit origjinal, për të pa të padukshmen, e cila qëndron mbi supet e njeriut tonë. Natyra si reliev dhe preokupim determinon nostalgji për njeriun e secilës kohë, kur ai rikthen kohët dhe peshon dashurinë e dhembjet për të afërmit e farefisit apo për ata që kanë ruajtur diçka nga vetja.
3.
Kurse Sherafedin Kadriu me kumtesën “POEZI E VLERAVE TË LARTA POETIKE” nënvizoi objektin e këngëtimit poetik: “Autori i parathënies qysh në fillim ka thënë me të drejtë se Mirko Gashi hyn në radhën e atyre pak poetëve tanë bashkëkohorë, që ishte i dhënë qenësisht pas krijimit të poezisë dhe se me përkushtim e zhvilloi dhe e thelloi procesin e vet krijues poetik. Në atë proces, u shkrua poezia pas një përimtimi e hulumtimi paraprak të objektit që Mirko Gashi donte ta trajtonte. Ky mendim i Berishës mbetet një nga vlerësimet kryesore të poezisë së këtij poeti .Mirko Gashi dallohej nga krijues tanë të tjerë nga fakti që dinte çfarë donte nga secila poezi, dinte si ta ngjizte realitetin dhe imagjinatën në tematikën e motivuar nga një tip dualizmi karakteristik, ku bashkëveprojnë dy polet ekzistuese: e mira dhe e keqja, e bardha dhe e zeza, drita dhe errësira, qiellorja dhe tokësorja; gjithnjë duke shpërfaqur nuanca të këtyre kategorive filozofike, sociale, etike e etnike:
Më mirë uria se koria
duro Lumi im
hala mundesh
Gandi çohet peshë
nëse ndryshe s’mundesh
(Duro biri im)
Sa i madh del si urtar! Durimi është për njeriun. E vërtetë, këtë e thotë edhe filozofia popullore e fetare. Mirëpo, etnikja ballkanase, e sprovuar në shekuj, përligj një konstatim që çohet peshë para vetë Gandit nëse ndryshe s’mundesh! Profetë s’ka më në botë, por nëse ky varg është profetik, atëherë bota mund të përmbyset deri në palcë, – se aty ne jemi plim/tri fe e një fis/por kurrë jo narcis. (Gandiana e përsëritur–Samedin Mumxhiut e Anton Nikë Berishës).”
4.
Autori i këtyre radhëve (Prend Buzhala), veçoi disa poezi të këtij vëllimi, duke iu bërë një inbtepretim letrar, siç janë figurat e vestaleve të shenjta në poezinë e tij…
(Prend Buzhala)