VETËCENSURA NË ROMANIN “ZEZONA” TË MUSA RAMADANIT
Nexhat Rexha
Në vitin 1978, kur u botua romani “Zezona” i Musa Ramadnait, sikur filloi një epokë më liberale në botimin e veprave të traditës, po atë vit u botua kompleti i veprave të Naim Frashërit, Sami Frashërit,Lasgush Poradecit, për të vazhduar me botimet reprezentative të Rilindasve tjerë. Në këtë frymë kulturore romani”Zezona”, e filloi jetën e vet në lexim të shumanshëm.
Shtrirja kohore e ngjarjeve në roman, aktualizon dhembjet nëpër sundimet e egra në Kosovë e në trevat tjera shqiptare, të cilat mbeten të okupuara nën obrellën sistemit politik të Serbisë- Jugosllavisë. Musa Ramadani ngjarjet në roman i ka trajtuar po ashtu siç kanë ndodhur, në realitet periudhat kohore i ka shtrirë në hapësirën e sundimeve të përziera. Kështu, në hyrje të librit ai ka përshkruar ardhjen e sunduesve, si dhe mbledhjen së armëve në territorin e Kosovës, kuptohet vetëm për shqiptarët. Gjendja e tensionuar dhe terrori i vazhdueshëm që behej, aktualizon çdo sundues për të zhdukur entitetin e shqiptarëve në trojet e veta. Në këto okupime e sundime të ndryshme, sikur çdo herë përsëritej e njëjta platformë politike për dëbimin e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. Në këtë rrjedhë të kohëve ëshë shkruar edhe romani “Zezona “ i Musa Ramadanit. Konceptimi i ngjarjeve në vepër, bëhet përmes dialogimit të mbyllur dhe dëshmonte se çdo sundues që vinte, krijonte alibi për të torturuar njeriun tonë. ” Okupatori ishte shtrirë gjerë e gjatë në këtët pjesë të Kosovës dhe kishte zënë ,si në pritë,çdo skutë aty ku mund të frymonte njeri i gjallë”
Në këtë aktualitet që konfirmon rrjedhat e sundimit pas Luftës së Dytë Botërore, që në faqet e para të romanit ai shkruan se ngjarjet zhvilloheshin njëra pas tjetrës në program të vazhdueshëm për të traumatizuar popullatën shqiptare në metoda të ndryshme: ”Muajt e parë zunë t’ua marrin miellin, drithin e bylmetin. Në vjeshtë provuan t’i mobilizojnë në radhët e veta. Dimrit- kur u stabilizuan mirë- nisën t’ua mbledhin edhe armët armët” . Nëpër këto parashtrime të përziera, në fillim dhe në fund të romanit, autori krijon mundësi për të mos e ndaluar romanin në botim nga politika e kohës, në interpretim të dyanshëm historik të ngjarjeve të trajtuara. Në realitet të gjitha ngjarjet e dialogimet në roman janë të njohura për njeriun e këtyre kohëve, sepse të gjitha rrëfimet janë aktualiteti i vitit 1956,kur ndodhi aksioni i mbledhjes së armëve në të gjitha trevat e banuara me shqiptarë.
Ngjarjet e trajtuara në roman janë vendosur në fshatin L, që do të thotë se autori ka lokalizuar këtë problematikë në një veçanti të unifikuar, duke i dhënë fjalës e rrëfimit shtrirje të përgjithshme. Kështu, protagonistët në vepër kanë identifikim përmes inicialeve, ata komunikojnë me Kryeplakun. Kurse, ata që kishin vë rendin e ri shoqëror, komunikonin vetëm me udhëheqësit e këtij aksioni pamëkeq. Kryeprotagonisti me nofkën Mustakoçi, i cili i prinë aksionit me bashkëpunëtorët e tij në fshatin L. Përmes listave, depërtuan deri thellësi të krimit.
Dialogimet e banorëve të fshatit L, bëhen më shumë gojë më gojë, sesa në kolektivitet .
Bisedat e para bëhen me Kryeplakun , duke kërkuar ndihmën e tij, se çfarë po ndodhë, duke aluduar se këta: ” Mos kanë ardhur të na marrin tokën?!”
Në rrëfimin “ Një grua e një nuse”, autori shpalosë brengat e tyre:” Çka po thu ori?! Pasha rizanë e zotit s’e ke rrenë! Në gjysmë të natës,kur të gjithë flejnë si të vdekur,ai tap,çohet e bërtet: jo, s’kam ,s’kam…! Prapë një trohë e zë gjumi, kur prapë ia nis, s’kam merrni vesh…! as para.. as pushkë.. eni në shtëpinë time e hallakatni lirisht!” . Nata për banorët e fshatit L ,sikur kishte sjell vetëm tmerrin, e pagjumësia prodhonte hulucinacione për të gjithë. Bisedat e banorëve të fshatit L, filluan të zhvillohen vetëm nëpër oda. Sepse shtëpitë e tyre sikur ishin bërë të huaja. Ku të merrnin informacione më shumë se në oda dhe atë te Kryeplaku, i cili ishte ngujuar në odën e tij dhe nuk dinte as çka t’i thoshte fshatarëve, edhe pse ata kishin besimin se ai do të tregonte atë qo po ndodhte në fshatin e tyre.” Plqetë kishin thën: ata njerëz s’kan ardhur për të mirë! Plakat kishin shtuar: o , Ata do ta sjellnin zezonën! Njëra ndër plakat më të moshuara, ia kishte dhënë kukamës”
Në tregimin “ Kronika e korrierit të shkollës”, është ritreguar autenciteti kohor i zhvillimit të ngjarjeve në roman, sepse krejt këto kanë krijuar hallkën zinxhirore të protagonistëve të këtyre ngjarjeve, të cilat saktësojnë faktorizim të pushtetit të ri, si dhe vendosjen e tyre kryesisht në shkolla. Nëpër këto zhvillime të ngjarjeve autori me saktësi dëshmon rrëfimet e protagonistëve, sepse botërisht dihej se aksioni i dimrit të acartë kishte ndodhur pikërisht nëpër shkolla, për të tmerruar shkollarin e atyre viteve. Prandaj, këto ngjarje e veprime janë dëshmia më origjinale e të ndodhurave, ato janë ruajtur në kujtesën e dy brezave, ata që përjetuar dhunën e kërbaçin dhe ata që me sy i shikuan, përjetuan zhvillimet e këtyre proceseve të montuara të politikës serbe.
Kërbaçi si mjet i torturës deri në alivanosje!
Ata erdhën për të nënshtruar këtë popull me skenarë të njëjtë, ashtu siç kishte ndodhur para Luftës së Dytë Botërore, për dëbimin e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. Mirëpo, kësaj here represioni e dhuna kishte koordinim më të sofistikuar, sepse sa kishte përfunduar aksioni i “ Vishakut- Tepricave”, dhe popullata, kishte arritur t’i mbijetonte kësaj dhune e urie të bukës, sikur ia doli të mund vdekjen. Jeta filloi të merrte një frymëmarrje tjetër. Mirëpo, pushteti i ri socialist, nuk u kënaq me këtë proces dhe nuk mundi të krijonte bindjen përmes dhunës, se duhet ikur nga kjo tokë. Për këtë edhe dizajnoi këtë reperesin, ngjarje ndër më të rëndat në këtë periudhë kohore. Shpikën, apo vazhduar traditën e elaborateve kundër shqiptarëve, përmes aksionit të mbledhjes së armëve. Kësaj radhe armët dhe dajaku, u bënë sinonim i kësaj tragjedie për popullatën shqiptare. Mjeti i dhunës fizike për të zbatuar këtë fatkeqësi ndjellakeqe nuk e realizoi platformën politike serbe, ata zgjodhën kërbaçin dhe njerëzit tanë që i shërbyen besnikërisht të keqes. Ata që erdhën për të ushtruar dhunën përmes protagonistit Mustakoçi, vetëm jepnin urdhëra me shenja dhe kërbaçi vepronte. Në rrëfimin “Ditari i në ish këshilltari” autori shkruan. ”Po dëgjoj është bërë nami. Hije e zezë u ka rënë njerëzve në fytyrë. Po kërcet dajaku- më shkurtë!!!!. U bëra –ta vras veten, si thonë. Mësyva në Komunë, drejt te përgjegjësit. Kush e pret mbledhjen e ta qesësh në rend dite këtë çështje. Aty mora vesh se ku qëndron puna. S’ndodhte kjo vetëm me fshatin, as me vetëm Komunën tonë/ Tërë Kosova merrte frymë vështirë” .
Ngjarjet në roman të ofrojnë mundësinë e përjetimit, ato reflektojnë në përshtypje e faktografi, për të konstatuar se këto që po ndodhnin ishin të dizajnuara nga politika e kohës. Këto ndodhi, janë përjetime të familjarizuara, të cilat kanë bërë jetë së paku gjysmë shekullore në dy brezat e shekullit të kaluar. Nëse e njohim realitetin e pushtimeve Ballkanike, ngjarjet në romanin “Zezona“, krijojnë analogjinë e bartjeve të këtyre pushtimeve, ndër me të egrat, sepse edhe pas pushtimit klasik të vitit 1990, Serbia ka zhvilluar të njëjtën platformë të dhunës përmes kërkimit të armëve. Në vitet e 90-ta politika serbe , kishte në program të sigurimit të shtetit dhe policisë, kërkimin e armëve te shqiptarët, kuptohet me metodën më të moderuar. Kërkim i armës për mërgimtarët kur vinin ne vendlindje, e që kishte qëllim plaçkitjen e tyre, si dhe ndjekjen e largimin e tyre nga vendlindja, sidomos për ata, të cilët merreshin me aktivitete kombëtare. Krejt këto ndjekje bëheshin për të zbrazur Kosovën e njerëzit e saj. Të gjitha këto ndjekje e variante të dhunës, janë të dukshme, ato të krijojnë rrethanën e përndjekjeve të vazhdueshme, siç rrëfen autori në tregimin “Kallëzimi i Kryepalkut”, kur ai rrëfen: ” Heee, njeriu është njëmend më i fortë se guri! Po them, de: të tetëdhjetat i rrotova, kësi zullumi s’mbaj mend!.
Dhuna dhe represioni në kërkim të armëve, barti me vete edhe pikëpamje psikologjike deri në absurditet. Në shumë lokalitete për shkak të dhunës fizike, e cila krijoi situatë konfuze e rrugë pa shtegdalje, disa të torturuar bënë edhe vetëvrasje. Dhuna me kërbaç, bëhej natën, deri në mëngjes, m’u atëherë kur shkolla hapej për nxënës, dhe këto tortura e alivanosje të dukeshin në pamjen e tyre, për të krijuar trishtimin tek fëmijët.
“ Shkolla tani i kishte ngjarë një burgu të rëndë.Ky ishte një burg i posaçëm, i çuditshëm, burg lufte. Kush kishte hyrë në të i drejtë, kishte dalë i kërrusur si korubë” . Tortura krijonte edhe një rrugë tjetër pas saj, shkoni e gjeni armët kudo, këtu t’i sillni. Kjo të jepte udhëzimin për të blerë një armë disa herë, andej përtej kodrave.
Në Kaptinën e nëntë, autori shkruan “ Ku është qëndresa”. Biseda e personazhit , Fshatari me burmak, zhvillohet me pushtetarët, të cilët e lejojnë të flasë. Fshatari me burmak, konsiderohej njeri i çmendur e për këtë ata e lejojnë të flas. Ai në takim shkon vetë për të rrëfyer përjetimet e fshatarëve të fshatit L. , tregon se ai kërkonte llogari nga Mustakoçi. Për krejt këtë dhunë që kishte ndodhur. Dialogimi i tyre është krejt i lirë, sepse ata e lejojnë Fshatarin me burmak të shprehet lirshëm, duke kërkuar nga ai se kush qëndron prapa fjalëve të tij. Fshatari me burmak, është i vetmi banor i fshatit L, që i përcjellë kamionët me armë atë ditë që largoheshin nga fshati. Duke iu dhënë atyre mallkimin e tij. Të gjitha ngjarjet në roman krijojnë asociacionin e protagonistëve, të cilët bartin me vete përjetimet e atyre ditëve të kobshme, ata shpalosin atë kohë, në vitet e fundit të jetës së tyre ,siç është rrëfimi në tregimin”Memoaret e një polici”. Kur njeriu flet me veten ” Pranoj: kam rrahur shumë. Djem e të rinj, burra, e ndonjë plak. Ndërgjegjja më ka brejtur: pse hidhesha mbi ta si i tërbuar…… Kjo më mundon, para syshë më dalin qindra fytyra” .
Musa Ramadani romanin e përmbyll po me, “Kaptinën pa numër”, ashti siç e fillon, ashtu edhe e përfundon, mirëpo, për lexuesin e vëmendshëm dhe njohësit e historisë së këtyre periudhave historike është e kuptueshme, pse autori ka paraqitur këto dy, Kaptina pa numër, të cilat mjegullojnë pushtuesin këtij realiteti. Në realitet, të gjitha rrëfimet e protagonistëve dëshmojnë për një periudhë tjerët të këtyre ngjarjeve, ato janë vazhdimësi dhe realizim i mundshëm artistik, për t’i ikur censurës së kohës. Romani “ Zezona, në kohën kur u botua, ishte ndër romanet më të lexuara të kohës. Ai vlen të lexohet edhe sot, për të dëshmuar se Musa Ramadan, ka gjetur mënyrën e rrëfimit prozaik në mënyrë e metodologji të mëvetësishme në shtjellimin e ngjarjeve, vetë gjuha e protagonistëve të ofron përjetimin real të kohës. Ata që kanë bashkëjetuar më njerëzit e saj kohe, kanë lidhur ngjarjet e romanit me rrëfimet e shumta nëpër odat e atyre viteve. Romani “ Zezona”, radhitet ndër ato romane, që brenda vetes ka mesazhin e fuqishëm për të kuptuar kohën më famëkeqe të aksionit të mbledhjes së armëve, me kryprotoganistin e politikës serbe Aleksander Rankoviq, që me vonë pas vitit 1966 , ka identifikimin e dhunës për shpërnguljen e popullatës shqiptare. Brenda tekstit, autori ka parapërgatitur lexuesin e vëmendshëm ,se politika serbe me platformat e saj, kundër shqiptarëve gjithnjë është një ogur i keq, që punon për të zhdukur nga faqja e dheut njeriun tonë.
Romani “ Zezona”, në tërërsinë e trajtueshmërisë brenda tekstit, ka racionalitetin e procesit të zhvillimit të ngjarjeve, duke i dhënë shpirt protagonistëve, me qartësi e gjuhë metaforike në kontekstin e rrëfimor.
Më 27 janar 2024