OPINION

VLERA E SHTATORES SË IDRIZ GJILANIT PESHON NË QENDËR TË QYTETIT TË GJILANIT

Më 7 tetor 2016, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan, i ka parashtruar kërkesë zyrtare Komunës së Gjilanit, zyrës së kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Lufti Haziri dhe Këshillit të përhershëm komunal për vlerësimin e meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i komunës së Gjilanit, nga tërësia etnike shqiptare dhe nga bota, që të fillojnë procedurat për ngritjen e shtatores së dëshmorit të kombit, Idriz Gjilanit, në qendër të qytetit të Gjilanit. Kjo nismë përkon me 70-vjetorin e martirizimit të Idriz Gjilanit, në dhjetor të vitit 1949.

Duke u bazuar në veprimtarinë kombëtare të Idriz Gjilanit, shtatorja e tij duhet të vendoset në një vend meritor në hapësirën publike të qytetit të Gjilanit. Një figureje të tillë, siç ishte Idriz Gjilani, shtatorja i bënë nderë të vendoset në krah të shtatores së Idriz Seferit dhe Agim Ramadanit. Që të tre së bashku përfaqësojnë tri periudha të ndryshme të historisë së popullit shqiptar në luftën e armatosur për çlirim e bashkim kombëtar. Për të vlerësuar dhe nderuar veprimtarinë e tij atdhetare, vendi më meritor që do t’i bëjë nderë edhe gjilanasve dhe që mbështetet nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan, është vendosja e shtatores së Idriz Gjilanit para teatrit të qytetit në qendër të Gjilanit. Çdo lokacion tjetër që do të caktohet nga komuna e Gjilanit për vendosjen e shtatores, për LHK “Ali Hadri” dega në Gjilan është i papranueshëm, sepse minimizon vlerën dhe rëndësinë historike të Idriz Gjilanit, kohën kur jetoi e veproi ai dhe idealin e sakrificën e tij ndaj kombit.

LHK “Ali Hadri” dega në Gjilan shpreson se Komuna e Gjilanit, nën udhëheqjen e kryetarit z. Lufti Haziri, do të shqyrtojë paraprakisht këtë çështje me rëndësi historike për kombin dhe atdheun tonë.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” – dega në Gjilan

___________________________

Mr. Naim MUSLIU – Kryetar

You Might Also Like