Vllaznia e Pozharanit është gati për ndeshjen historike ndaj Ferizajt, ndeshje barazhi që mundëson inkuadrimin në elitën e futbollit kosovar.
Puna e palodhshme gjatë një viti, përkushtimi i shtabit teknik, kryesisë, lojtarëve e tifozëve u kurorëzua me sukses, me vendin e tretë në Ligën e Parë të Kosovës dhe tashti i tërë Pozharani, komuna e Vitisë dhe e tërë Anamorava është në pritje të shtunës apo të dielës për ndeshjen e vitit.
Sallah Sherifi, kryetrajner që u dëshmua se gjatë tërë kohës e ngriti ekipin në formë, tash është para një sfide të vështirë, por ai e ka studiuar ekipin e Ferizajt dhe i di aftësitë e ekipit të vet, andaj sic thekson vetë kryetrajneri pret që ekipi i tij të ketë një ndër paraqitjet më të mira e pse jo edhe që të arrihet qëllimi jetik.
“Po punojmë për ndeshjen e barazhit, të gjithë jemi të mobilizuar dhe presim që kudo që luhet ndeshja tifozët tanë “Tigrat” ta dominojnë atmosferën e ne në fushë të japim maksimumin nga vetja dhe të arrijmë qëllimin për inkuadrim në rang më të lartë të garave”, thotë kryetrajneri Sallah Sherifi.
Edhe kapiteni Armend Miftari shprehet se lojtarët janë të motivuar, e dinë rëndësinë e ndeshjes dhe se zotohen se do të japin gjithçka nga vetja vetëm e vetëm që të sjellin gëzimin më të madh që ndonjëherë e ka përjetuar Pozharani dhe mbarë komuna e Vitisë.
Në ndeshje të tilla si kjo, një detaj mund të jetë përcaktues e kush më mirë se lojtarët me përvojë mund t’a bëjnë dallimin. Premton Muja, futbollist i njohur në jetë ka pasur shumë ndeshje me rëndësi, shumë nga to i ka vendosur vetë, andaj edhe kësaj radhe pritet që pikërisht ai të bëjë dallimin, të shfrytëzojë përvojën e tij për t’i sjell “Tigrave” gëzimin aq të pritur.
Pa dyshim se ndër më të dalluarit te Vllaznia në këtë kampionat ka qenë qendërsulmuesi Lirian Ferati, prej të cilit pritet që edhe kësaj radhe të tund portën kundërshtare.
Leonard Kallaba, la Maqedoninë dhe erdhi në Pozharan e një vendim i tillë iu shpagua, ngase dha kontributin e madh që ekipi i Vllaznisë të jetë në mesin e tre të parëve.
Sipas Sallah Sherifit, kryetrajner, ekipi është i motivuar, me padurim e pret ndeshjen, janë mobilizuar të gjithë, atmosfera është shumë e mirë, kryesia, shtabi teknik, futbollistët dhe “Tigrat” janë të përgatitur, kurse edhe përparësia psikologjike është në anën e Vllaznisë.
Ndeshja Vllaznia – Ferizaj po afrohet e me të po afrohet edhe spektakli. A është kjo gjenerata që do t’a bëjë historinë e futbollit pozharanas e tërë kjo do të dihet këtë fundjavë.