11 vjet më parë u shpallë Pavarësia e Republikës së Kosovës. Ky ishte synim i disa brezave, pas mbetjes një pjese të madhe të hapësirave shqiptare jashtë Shqipërisë së pavarur të 1912-tës. Sigurisht kur nuk u bë Shqipëria natyrale, kjo ishte mundësia tjetër më e mirë, pavarësisht se edhe me këtë rast, copëza të mëdha të Atdheut e popullit shqiptar mbeten të shkapërderdhur në shtete tjera, ku përjetojnë lirinë e cunguar a të pjesshme, për ç’ gjë ata me të drejtë shprehin mospajtimet dhe kanë kërkesat e tyre. Në këtë rast do të duhej që dy shtetet shqiptare përpos synimit për bashkim të tyre, do të duhej të kenë parasysh përkujdesjen dhe përkrahjen për realizimin ekëtyre kërkesave të drejta.
Sot në këtë përvjetor të njëmbëdhjetë të pavarësisë, ku mbeti entuziazmi i 17 Shkurtit të vitit 2008? Ku mbeti dhe treti ai gëzim i madh i pa parë ndonjëherë për pavarësinë tonë?! Ku mbetën porositë e heronjve, dëshmorëve? Sa po u qëndrojmë besnik zotimeve, për zhvillim të demokracisë, të zhvillimit ekonomik, të shtetit të drejtës e të përparimit të gjithmbarshëm të shtetit tonë më të ri në botë?
Për përgjigje në të tilla pyetje duhet të jemi përgjegjës të gjithë e në radhë të parë krerët shtetëror të institucioneve më të larta, që për çudinë dhe të keqen tonë, janë kthyer në opozitarë të pa kuptimtë ndaj njëri-tjetrit. Duke krijuar paradoksin më të madh në shtetit tonë të ri dhe duke e dëmtuar rrugëtimin normal të tij. Ky opozitarizëm madje ka lënë nën hije opozitarizmin e natyrshëm të partive politike, si proces të natyrshëm demokratik.
Megjithatë, pavarësia dhe liria me çmim gjaku, i ka rrënjët në popull dhe s’mund të zhbëhet pa u zhbërë populli, prandaj populli im i shumëvuajtur, festo, gëzo, ushqe e sendërto pavarësinë e vërtetë e të përjetshme të Republikës së Kosovës!
QENDRA E LËVIZJE VETËVENDOSJE NË GJILAN