OPINION

Zgjedhjet e jashtëzakonshme 2025 nuk janë luks politik — janë pasojë e dështimi

Shkruan: Bekim Selishta

Zgjedhjet e jashtëzakonshme 2025 nuk janë luks politik — janë pasojë e dështimit. Janë rezultat i neglizhencës, arrogancës dhe shkëputjes së pushtetit nga qytetari.

Votuesi është trajtuar si numër për ditë zgjedhjesh dhe është harruar sapo janë mbyllur kutitë e votimit. Qeverisja është kthyer në klub të mbyllur për pushtetarë që jetojnë larg realitetit të qytetarëve, sidomos atyre që jetojnë jashtë Prishtinës.

Qytetet dhe qytezat e vogla janë lënë pa zë, pa investime dhe pa perspektivë. Kostoja e jetesës është rritur në mënyrë alarmante, ndërsa politika vazhdon të prodhojë fjalime boshe. Qytetarët nuk ushqehen me slogane dhe nuk paguajnë faturat me propagandë. Janë lodhur nga premtimet e ricikluara dhe nga programet që nuk ua ndryshojnë jetën as për mirëqenie, as për zhvillim.

Liderët politikë nuk flasin më për qytetarin — flasin vetëm për poste. Kush bëhet ministër, kush zëvendësministër, kush kap privilegjet. Pushteti është shndërruar në qëllim në vetvete, jo në mjet për shërbim publik. Për këtë arrogancë kanë rënë perandori, dhe për këtë arsye po rrënohet besimi i qytetarëve në politikë.

Pa qytetarin nuk ka shtet. Pa politikë të ndershme nuk ka përfaqësim. Dhe pa përgjegjësi nuk ka të ardhme. Zgjedhjet e vitit 2025 duhet të jenë ndëshkim për dështimin dhe kthesë për ndryshim — jo një riciklim i atyre që e kanë keqpërdorur besimin publik.

You Might Also Like