Gjilan

Haziri: Ilir Mustafa ka qenë kumbar i integrimit të komunave të Kosovës në Këshillin e Europës

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, të mërkurën është mbajtur një mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare, Ilir Mustafa, ku të pranishëm ishin institucione lokale e qendrore, familjar e bashkëpunëtorë të tij.

Në fjalën e rastit, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ndihet krenar që e ka njohur dhe ka bashkëpunuar me këtë veprimtar për më shumë se dy dekada, duke thënë se nuk është frikuar dhe nuk është ndalur asnjëherë në rezistencën e tij për liri, pavarësi e bashkim.

“Prania e përfaqësueve politik dhe institucional, e deputetëve të Kuvendit të Republikës dhe qytetarëve, tregon qartë se si Iliri rrugën e tij të shkurtër e ka bërë të bujshme në ecjen e madhe të ngadalshme, por gjithmonë i buzëqeshur në rezistencën për liri, pavarësi dhe për shtet të përbashkët. Ai nuk është frikuar dhe nuk është ndalur asnjëherë”, ka thënë Haziri.

Kreu i Gjilanit tha se Iliri ka qenë në gjendje t’i bëjë mbi 1 mijë kilometra në ditë për një takim 10 minutësh në Francë, Gjermani dhe nëpër Europë, vetëm për t’i njoftuar dhe sensibilizuar  për çështjen e Kosovës.

“Ilir Mustafa është njeriu i parë që ka bindur kryetarin e Komunës së Milhouse që në vitin 1996 të nënshkruaj partneritet me Komunën paralele të Gjilanit dhe ky parneritet është formalizuar në vitin 2001. Përveç tjerash, Iliri ka qenë kumbar i integrimit të komunave të Kosovës në Këshillin e Europës. Është autoriteti i tij dhe puna e tij që ne jemi institucioni i parë pas luftës i cili ka qenë i pranuar në Strasburg. Ka qenë jo vetëm ambasador, por edhe misionar që ka arritur me sukses të plotë ta bëjë një përfaqësim aq dinjitoz, për të cilin ne sot jemi shumë krenar”, ka shtuar kryetari Lutfi Haziri.

Ndërkaq, veprimtari Sami Kurteshi ka thënë se angazhimi i tij në Francë, sidomos në Këshillin e Europës, ishte vendimtar në shumë raste për Kosovën.

Në emër të familjes ka folur djali i Ilir Mustafës, Armendi, i cili ka falënderuar kryetarin Haziri për organizimin e kësaj mbledhje komemorative, sikurse edhe të gjitha institucionet tjera dhe të gjithë miqtë e babait për nderin dhe respektin që kanë treguar.

Përndryshe, përveç Komunës së Gjilanit, edhe institucionet tjera e kanë nderuar jetën dhe veprën e Ilirit, përmes dhjetëra telegrameve të ngushëllimit, përfshirë kryeministrin z. Isa Mustafa, Asociacionin e Komunave të Kosovës, Komunën e Ferizajt, Komunën e Podujevës, e të tjera.

You Might Also Like